MENU
klinika

Analiza

Putin ndryshoi, por jo lidhja Rusi-Gjermani…

16.12.2021 - 10:28

Duke iu drejtuar Bundestagut më 13 mars 2014, Angela Merkel nuk mund të ishte më e qartë në dënimin e saj të aneksimit të Krimesë nga Vladimir Putin disa ditë më parë. Rishikimi i kufijve të Ukrainës me forcë binte ndesh me rendin ndërkombëtar të bazuar në rregulla që Gjermania e kishte të shtrenjtë. Evropa po rijetonte një konflikt të shekullit të 19-të për sferat e ndikimit, “një konflikt që ne besuam se e kishim kapërcyer”, u tha Merkel parlamentarëve.

Denoncimi i saj i qartë i agresionit rus dhe mbështetja për sanksionet ekonomike kundër Moskës shënoi fillimin e daljes së Gjermanisë nga ajo që John Lough e quan gjendjen e saj të “mohimit të vetëdijshëm” për drejtimin autoritar dhe revizionist të Rusisë.

Për pjesën më të madhe të dy dekadave të mëparshme, duke përfshirë pjesën më të madhe të kancelarisë 16-vjeçare të Merkelit, mendimet për drejtimin e Rusisë dhe aftësinë për të ndikuar atë përmes dialogut bosh dhe devotshmërisë rreth partneritetit, kishin turbulluar mendimin e politikës së jashtme gjermane. Deri në një farë mase ende po. Merkel refuzoi të pranonte se gazsjellësi i ri Nord Stream 2 që sjell gazin rus në Gjermani, nuk ishte asgje tjetër veçse një “projekt tregtar”.

Problemi i Rusisë i Gjermanisë kërkon të shpjegojë pse parimet thelbësore të politikës gjermane ndaj Moskës nën kancelarët Helmut Kohl, Gerhard Schröder dhe Merkel (deri në vitin 2014) nuk ndryshuan edhe pse Rusia në mënyrë të qartë ka ndryshuar.

Përmes të menduarit të gabuar dhe një “kërkimi kokëfortë për “partneritet strategjik”, Gjermania pa dashje përfundoi duke mbështetur shfaqjen e një regjimi rus armiqësor ndaj interesave dhe vlerave të tij”, shkruan Lough, një analist dhe ish-zyrtar i NATO-s.

Duke pasur parasysh largimin e Merkelit nga detyra, ardhjen e një qeverie të re koalicioni dhe një kërcënim të ripërtërirë të agresionit ushtarak rus ndaj Ukrainës, ky libër është në kohën e duhur. Ai është gjithashtu i nuancuar dhe i hulumtuar thellë. Pika fillestare e Lough është se marrëdhënia e Gjermanisë me Rusinë është lidhja më e rëndësishme midis botës perëndimore dhe vendit më të madh në kontinentin evropian. Ata kanë ndërvepruar intensivisht për shekuj, duke u lënë gjermanëve një “trashëgimi komplekse psikologjike” që i jep formë mënyrës së tyre të të menduarit.

Të dy iu dorëzuan ideologjive radikale dhe të dy kryen krime kundër njerëzimit. Lufta e tyre e asgjësimit krijoi një “lidhje gjaku të derdhur” të pashembullt. Faji i luftës është ende një ndikim i fuqishëm në mendimin gjerman për Rusinë, më pak për Ukrainën, e cila vuajti më shumë. Falja ruse e pasluftës ka krijuar një ndjenjë të “borxhit dhe detyrimit” gjerman, të cilin Moska ende kërkon ta shfrytëzojë.

Lough gjithashtu tregon për “mitologjinë” e kultivuar ende në qarqet e partisë Socialdemokrate se Ostpolitik – politika e afrimit dhe angazhimit e nisur nga Willy Brandt – ishte faktori më i rëndësishëm në përfundimin e luftës së ftohtë. Ndërkohë, ka një mirënjohje të qëndrueshme për dritën jeshile të Moskës për ribashkimin e Gjermanisë, edhe pse ndoshta ishte rezultat i rrethanave po aq sa dashamirësia e Kremlinit.

Së fundi, ekziston “tërheqja ekonomike” e një vendi të gjerë të pasur me burime – dhe besimi se tregtia inkurajon partneritetin dhe ndryshimin politik.

Ndërveprimi do të thotë se Rusia “është e pranishme në mënyrë të pashmangshme në ndërgjegjen gjermane”, shkruan Lough. Gjermanët ndihen më të aftë për të kuptuar rusët sesa të tjerët në perëndim. Ajo ka krijuar Russlandversteher, ose “kuptuesit e Rusisë”, në të gjithë establishmentin gjerman me një ndikim të fortë në politikëbërjen.

Lough është çuditërisht dashamirës ndaj Merkelit, duke i nderuar udhëheqjes së saj për sanksionet e BE-së dhe guximin në zhvendosjen e politikës gjermane ndaj Rusisë në një pozicion më realist. Por është e “arsyeshme të pyesim” pse asaj iu deshën 15 vjet për të “arritur në përfundimin se shteti i kriminalizuar përbënte rreziqe serioze për qytetarët e tij, fqinjët e tij dhe Evropën në tërësi”.

Megjithatë, pas zgjedhjeve, do të duhen më shumë se disa paragrafë për të ndryshuar atë që ai i quan “reflekset historike” të Gjermanisë…

Burimi: Financial Times

Përktheu dhe përshtati: konica.al