MENU
klinika

Analiza

Muret kufitare për emigrantët, po shkaktojnë katastrofa

16.12.2021 - 14:56

Nga George Monbiot, The Guardian

Ky është shekulli në të cilin janë bashkuar fatkeqësitë humanitare dhe ato mjedisore. Përkeqësimi i klimës ka zhvendosur miliona nga shtëpitë e tyre dhe ka të ngjarë të dëbojë qindra miliona të tjerë. Kriza humanitare ka shqetësuar Madagaskarin dhe për momentin është e para që është cilësuar nga OKB-ja si shkak i ndryshimeve klimatike.

Kjo nuk do të jetë e fundit. Qytetet e mëdha e gjejnë veten të rrezikuar nga mungesa e ujit. Ndotja e ajrit shkakton 10 milionë viktima në vit. Kimikatet sintetike në tokë, ajër dhe ujë shkaktojnë efekte të panumërta si tek ekologjitë ashtu edhe tek njerëzit. Por funksionon edhe anasjelltas. Katastrofat humanitare ose, për të qenë më të saktë, reagimet mizore dhe irracionale të qeverive ndaj tyre, po shkaktojnë katastrofa ekologjike. Askund nuk është më e dukshme kjo se sa në ndërtimin e mureve kufitare, raporton abcnews.al

Për momentin, me ndihmën e 140 inxhinierëve ushtarakë britanikë, Polonia ka filluar ndërtimin një muri prej çeliku 5.5 metra të lartë, përgjatë 180 km të kufirit me Bjellorusinë. Muri është cilësuar si një masë “sigurie”, por ky mur po mbron Europën jo nga një kërcënim, por nga nevojat e dëshpëruara të disa prej njerëzve më të cenueshëm në Tokë: veçanërisht refugjatët nga Siria, Iraku dhe Afganistani që i shpëtojnë persekutimit, torturës dhe vrasjeve masive.

Ata janë shfrytëzuar mizorisht nga qeveria e Bjellorusisë, e cila i ka përdorur si armë politike. Tani, të rrezikuar nga dimri, ata janë bllokuar në kufi , duke |”ngrirë” nga i ftohti dhe të uritur, pa pasur një vend se ku të shkojnë. Kur ra Muri i Berlinit, kjo u pa si fillimi i një epoke të re lirie. Në vend të kësaj, janë ngritur gjithnjë e më shumë mure.

Që nga viti 1990, Europa ka ndërtuar mure kufitare gjashtë herë më të gjata se barriera në Berlin. Në mbarë botën, numri i kufijve të ndërtuar është rritur nga 15 në 70 që nga fundi i Luftës së Ftohtë: tani ka 47,000 kilometra mure në kufi. Për ata që janë bllokuar në këta kufij, mizoritë e kapitalizmit vështirë se dallohen nga mizoritë e komunizmit.

Efektet humanitare të këtyre mureve janë të dokumentuara. Por ndikimet e tyre ekologjike janë gjithashtu shkatërruese. Rrugët dhe tokat bujqësore kanë izoluar botën e egër. Ashtu siç e kuptojmë më mirë se kurrë më parë rëndësinë e lidhjes ekologjike, ne po krijojmë dhe po i ndajmë habitatet me një shpejtësi marramendëse.

Tani e dimë se, edhe në rezerva të mëdha, kafshët e egra mund të shkojnë drejt zhdukjes nëse nuk merren masat e nevojshme. Diversiteti i tyre gjenetik ngushtohet, duke reduktuar suksesin e tyre në mbarështim dhe duke i bërë ata më të ndjeshëm ndaj sëmundjeve. Barrierat i pengojnë ata të lëvizin ndërsa kushtet ndryshojnë. Kushtet tani po ndryshojnë shumë shpejt, si pasojë e ndryshimeve klimatike.

Muri i ri midis Polonisë dhe Bjellorusisë, midis ndikimeve të tjera të zymta, do të ndajë në dy pjesë pyllin Białowieża, pyllin më të madh të lashtë në ultësirën e Europës. Tashmë, një pengesë e përkohshme me gjemba është shtrirë në mes të pyllit, duke bllokuar lëvizjen e popullatave të tij të famshme të bizonëve, ujqërve, derrit, rrëqebullit, drerit, dhe kafshëve të tjera të egra, dhe duke parandaluar arinjtë që sapo kanë filluar të kthehen nga rikolonizimi i pyjeve.

Megjithatë, pavarësisht nga përpjekjet më të mira të shkencëtarëve si Dr. Katarzyna Nowak nga Stacioni Gjeobotanik Białowieża, pasojat masive ekologjike janë shpërfillur gjerësisht. Nuk ka pasur asnjë vlerësim të ndikimit mjedisor të murit të Polonisë, në kundërshtim me Direktivën e BE-së për Habitatet dhe traktatet ndërkombëtare. Fatkeqësi të ngjashme po ndodhin në mbarë botën. Gardhi kufitar i ngritur mes Sllovenisë dhe Kroacisë në vitin 2015 mund të shkaktojë zhdukjen graduale të rrëqebullit në malet Dinarike, raporton abcnews.al

Barriera midis Indisë dhe Pakistanit ka shkaktuar një kolaps në popullsinë e një dhi të egër të rrallë. Gardhet më të gjata kufitare në botë ndajnë Kinën, Mongolinë dhe Rusinë nga njëra-tjetra. Ata kanë izoluar popullata të mbetura të gomarëve, gazelave mongole. Muri i Trump, që ndan Shtetet e Bashkuara nga Meksika, është një kërcënim për disa lloje të rralla gjitarësh si dhe për bufin pigme, i cili fluturon shumë poshtë për të kaluar pengesën. Ekziston një lloj ambientalizmi i krahut të djathtë, të paktën 100 vite më parë, që e barazon imigrimin me ndotjen. Madison Grant ishte një nga themeluesit e lëvizjes amerikane të saj, i cili ndihmoi në krijimin e rrjetit të parqeve kombëtare.

Grant besonte se në ruajtjen e ekosistemeve të Amerikës së Veriut, ai po mbronte domenin e “racës mjeshtërore” nordike, që po “kapërcehej” në SHBA nga “llojet e racave të pavlera”. Në vitin 2018, prezantuesi i Fox News, Tucker Carlson, deklaroi : “Unë në fakt i urrej “mbeturinat”, që është një nga arsyet pse jam kaq kundër imigracionit të paligjshëm”. E djathta ekstreme europiane ka kaluar papritur nga mohimi i krizës mjedisore në përdorimin e saj si një argument për përjashtimin e emigrantëve.

Jo vetëm që këto qëndrime bien ndesh me gjithçka që është më e mira për mjedisin, ndjeshmërinë dhe konsideratën e tij ndaj të gjithë njerëzve dhe gjithë jetës jonjerëzore por politikat e ndarjes dhe frenimit që ato promovojnë janë ekologjikisht katastrofike. Megjithëse muret kufitare shkaktojnë një sërë viktimash dhe vuajtjesh, dhe janë vetëm pjesërisht efektive në qëllimin e tyre për të përjashtuar njerëzit, ato janë në fakt plotësisht efektive në përjashtimin e shumë specieve të tjera.

Në fakt jo kushdo që kujdeset për njerëzit ka nevojë për më shumë argumente kundër politikave të ashpra që na ndajnë nga njëri-tjetri. Por ka më shumë argumente dhe ato janë të fuqishme.

Muret kufitare po përshpejtojnë krizën e zhdukjes dhe po i bëjnë ekosistemet të pashmangshme. Ashtu si njerëzimi nuk njeh kufij, as kafshët e egra. Nuk ka asnjë konflikt midis kujdesit për planetin dhe kujdesit për njerëzit. Në fakt, nuk mund të kesh njërën pa tjetrën.