MENU
klinika

Ndëshkohen subjektet që nuk regjistrohen

Katërfishohen gjobat për bizneset

16.12.2021 - 22:00

Qeveria ka katërfishuar gjobat për bizneset që shkelin ligjin në fuqi, i cili i detyron ata të deklarojnë të dhëna të vërteta në Qendrën Kombëtare të Biznesit dhe të regjistrohen sipas afateve. Projektligji i miratuar nga qeveria, për “Regjistrimet e biznesit” sjell ndryshime në ligjin aktual, duke rritur masat administrative ndaj subjekteve. Kështu, sipas projektligjit, bizneset që deklarojnë në regjistër të dhëna të pavërteta, kur nuk përbën vepër penale, përbën kundërvajtje administrative dhe do të gjobiten me një vlerë prej 60 mijë lekësh.

Po ashtu, moskryerja e detyrimit për regjistrimin fillestar dhe regjistrimet e tjera të detyrueshme, brenda afateve të parashikuara nga legjislacioni në fuqi, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë 60 mijë lekë. Në ligjin aktual masa e gjobës për të dyja këto shkelje ka qenë në vlerën e 15 mijë lekëve.

Sipas legjislacionit në fuqi, personat fizikë, shoqëritë e thjeshta dhe degët apo zyrat e përfaqësimit, kanë detyrim të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit përpara datës së nisjes efektive të veprimtarisë; ndërsa personat juridikë, brenda 30 ditëve kalendarike nga data e themelimit, por, në çdo rast, përpara datës së nisjes efektive të veprimtarisë. Ndryshimet ligjore mesa duket vijnë si nga problematikat e konstatuara në këtë drejtim dhe si mekanizëm më i fortë për të shmangur devijimet nga ana e bizneseve.