Mediat në Kosovë thonë se Rama po i bën një pritje të ngrohtë Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Kështu, gazeta Koha teksa raporton mbi atë çka pritet të ndodhë sot dhe nesër në Shqipëri në kuadër të nismës “Ballkani i Hapur” thotë se Tirana është dekoruar me flamujt e Serbisë.
“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po i përgatit një pritje të ngrohtë presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç, dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në vigjilje të takimit mes tyre për “Ballkanin e Hapur”, në Tiranë. Kryeqyteti i Shqipërisë është parë të hënën i dekoruar me flamuj të Serbisë e të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në shkrimin e gazetës Koha.
Sot dhe nesër në Tiranë zhvillohet takimi i radhës për “Ballkanin e Hapur”, me praninë e tre liderëve, Ramës, Vuçiqit dhe Zaevit.
Ndërkohë Ish-kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka njoftuar se do ta kundërshtojnë këtë takim me një protestë sot nga ora 16:00, që do të nisë nga selia e Partisë Demokratike drejt Zyrës së Kryeministrit në kryeqytetin e Shqipërisë.