MENU
klinika

Zhvillimet e fundit në PD

“Berisha nuk tërhiqet”, Zheji: Ose do krijojë parti të re, ose do tentojë të marrë PD-në

20.12.2021 - 17:06

“Berisha dhe Basha, ku ndahen dhe ku bashkohen ata”? Kjo është pyetja që po komentohet këtë mesditë në emisionin “Pika mbi i”, në News24, me të ftuar deputetin demokrat, Ervin Salianji, dhe analistin Artur Zheji.

Duke u ndalur te zhvillimet e 18 dhjetorit, Salianji u shpreh se atë u zhvillua Kuvendi Kombëtar i PD dhe jo Kuvendi i Bashës. Ndërsa për referendumin e Sali Berishës, deputeti i PD theksoi se është për të qeshur me të madhe kur sheh shifrën 98% të pjesëmarrjes, pasi sipas tij, kjo tregon se ata vetë firmosin, vetë vulosin e vetë numërojnë.

Nga ana e tij, analisti Zheji tha se Berisha nuk është një guriçkë, ndaj dhe do të shihet në protestën e sotme edhe pozicioni i tij, ndërsa shtoi se ai nuk tërhiqet, pavarësisht se sipas tij, pak rëndësi ka nëse do shkojë drejt krijimit të një partie të re apo do tentojë të marrë selinë e PD.

Salianji: Më 18 dhjetor ishte Kuvendi i PD, jo i Bashës. Sa i përket referendumit, të vjen të qeshësh me të madhe, kur sheh shifrën 98%, që do të thotë se vetë firmosin, vetë vulosin, vetë numërojnë. Në Korçë kam parë kuti sipër bilardos, por njerëz nuk kam parë. Kjo tregon dëshpërimin e madh në të cilin janë. Nuk ka mbështetje për Sali Berishën apo kundër Amerikës.

Zheji: Ka një trajtim disi të thjeshtëzuar të çështjes. Duke qenë se në Kuvendin e 18 dhjetorit dëgjova disa paragrafë të rëndësishëm nga fjalimi i Bashës, për ta thyer përgjithmonë këtë metaforën e hipokrizisë. Unë them që raporti i ri me të vërtetën fillon duke parë raportin e ri me plagën që ka shkaktuar Sali Berisha. Nuk mund të flasësh për doktorin, si një guriçkë. Ai është gur i madh. Në momentin që ti deformon raportin me të vërtetën, e deformon atë pa e filluar akoma. Kështu ka qenë gjithmonë PD, rrumbullakoste shifrat. Kemi dy palë. Në momentin kur nuk kemi arbitër, psh. një gjyqtar, duhet ta bëjë arbitrin media. Protesta e sotme do të ndajë shumë gjëra. Nëse Berisha ka fuqi për të bërë politikë, do kuptohen shumë gjëra. E kam fjalën, do shihet shumë shpejt sa autentik ishte Kuvendi i 11 dhjetorit dhe ai i 18 dhjetorit. Berisha nuk tërhiqet nga pozicioni i vet. Do shkohet drejt një partie të re ‘de facto’ apo do tentojë të marrë selinë e PD, kjo pak rëndësi ka. Fakti që ai nis sot nga selia e PD, është një presion ndaj Bashës dhe atyre që nuk iu bashkuan Kuvendit të tij.