Kryeministri Rama shtroi mbrëmë darkën zyrtare të samitit “Open Balkan” me Presidentin Vuçiç dhe Kryeministrin maqedonas Zaev në Elbasan.
Por ajo që bie në sy është prezenca në këtë samit e Jim O’Brien, kreut të Zyrës së Koordinimit të Sanksioneve në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, i cili është në rang ambasadori, njëkohësisht edhe përfaqësues i Këshillit Atlantik. Prezenca e tij në takimin e “Open Balkan” në Tiranë ndodh në një periudhë kur ish-Kryeministri Sali Berisha është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ndërsa nuk ka kursyer akuzat ndaj Sekretarit Blinken si të ndikuar nga Xhorxh Soros për këtë vendim.
Zyra që drejton Jim O’Brien është pikërisht ajo që propozon sanksione ekonomike dhe financiare ndaj personave të shpallur “non grata”. Ishte pikërisht kjo zyrë që propozoi sanksionet ekonomike dhe financiare ndaj grupit të afaristit serb Zvonko Veselinoviq në Veri të Kosovës. Në urdhrin ekzekutiv të Presidentit Biden kërkohet bllokimi i pronës dhe pezullimi i hyrjes në SHBA të personave të caktuar, që kontribuojnë në situatën destabilizuese në Ballkanin Perëndimor. Presidenti Biden deklaron se persona të tillë përbëjnë një kërcënim të pazakontë për sigurinë kombëtare dhe politikën e jashtme të Shteteve të Bashkuara.
SAMITI
Për shkak të protestës së organizuar në Tiranë nga Sali Berisha, Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç, ka ndryshuar axhendën e tij. Ai nuk është akomoduar fillimisht në hotel “Rogner” në Tiranë, por e ka anashkaluar kryeqytetin për të mbërritur përmes Unazës së Re në Elbasan, në kompleksin “Rozafa City Fish”. Policia kishte marrë masa të forta sigurie që detyruan të mbyllin plotësisht qarkullimin në unazën e Elbasanit gjatë kohës që pritej të kalonte Presidenti Vuçiç. Më parë në kompleksin turistik kishte mbërritur Edi Rama me delegacionin e tij. Ndërsa Kryeministri i dorëhequr Zoran Zaev ka mbërritur përmes doganës së Qafë-Thanës në Elbasan.
Sot do të nisin punimet e samitit “Open Balkan” në ambientet e Pallatit të Brigadave. Vuçiç ka publikuar në rrjetin e tij social “Instagram” një foto nga darka me Ramën dhe Zaev. Krah fotos, Vuçiç shkruan se Ballkani i Hapur është një iniciativë e jashtëzakonshme. “Ne e konsiderojmë Ballkanin e Hapur një iniciativë të jashtëzakonshme, e cila është bërë që njerëzit të jetojnë të lirë në rajon, në çdo qytet dhe fshat. Do të punojmë më fort që të çojmë përpara bisedime të rëndësishme lidhur me këtë nismë”, shkruan Vuçiç.
Gjatë këtij samiti pritet të nënshkruhen pesë marrëveshje: një treg i përbashkët dhe i lirë pune mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut; ngritja e një skeme të përbashkët ndërlidhjeje elektronike identifikimi për qytetarët në Ballkanin Perëndimor; marrëveshje ndërqeveritare mes Shqipërisë, Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut për bashkëpunimin në fushën e veterinarisë, sigurisë ushqimore atë të fitosanitarisë në Ballkanin Perëndimor; marrëveshje Shqipëri-Serbi për njohje të ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri (AEOS) dhe marrëveshje Shqipëri-Maqedoni e Veriut për njohje të ndërsjellë të operatorit ekonomik për siguri. Në fund të samitit do të ketë dhe një konferencë të përbashkët të Kryeministrit Rama, Presidentit serb Vuçiç dhe Kryeministrit të dorëhequr Zoran Zaev.