MENU
klinika

Nga Aranit Muraçi

Dy atentatorët e paidentifikuar të idealeve të mëdha të kombit

21.12.2021 - 12:49

Shpirti njerëzor ende ka nevojë më të madhe për idealen se për realen. Nga realja ne ekzistojmë; nga idealja ne jetojmë – ka thënë njeriu u madh i letrave, Viktor Hygo.

Gjatë tranzicionit të tejzgjatur 30 vite pas rënies së komunizmit e majta vështirë të identifikohet sot, kurse e djathta nuk ekziston.

Në historinë 100 vjeçare të Shqipërisë nuk mund të krahasohen me asnjë veprimtari tjetër politike idealet e majta të Qershorit 1924 dhe ato të djathta të studentëve të Dhjetorit ’90. Ishin idealet më të pastra patriotike dhe historike për demokracinë dhe zhvillimin e vendit.

Në të dyja këto zhvillime të mëdha që do të ndryshonin rrjedhën e ngjarjeve të historisë dhe të vendit fatkeqësisht ato u vranë nga dy politikanë, për ambicje të tyre personale, të shfrenuara për pushtet ekonomik dhe politik.

Ndoshta historia do t’i njohë shumë shpejt përgjegjësit kryesorë për minimin e demokracisë. Idealistë mund të kenë qenë edhe komunistët, duke qenë se ata besuan dhe i zbatuan idealet e tyre kur u instalua komunizmi në bllokun Lindor. Komunistët nuk mund të bëhen përgjegjës për ndërtimin e shtetit demokratik, sepse ishin idealistë të një sistemi tjetër. Si shembull në idealizmin e tyre ata nuk lejuan pasurimin e padrejtë të asnjë individi, as të udhëheqjes së tyre, përderisa me rrëzimin e sistemit e tërë pasuria kombëtare mbeti pronë publike. Megjithëse ia dolën të ndërtonin shtetin e parë modern shqiptar, ndërsa cinikët, e mohojnë këtë arritje dhe thonë se shtetin modern shqiptar e ndërtuan ata që janë në fakt përgjegjësit kryesorë të rrënimit të tij, pra atentatorët e idealeve të pastra në emër të demokracisë.

Idealet e majta të Qershorit u përfaqësuan më së miri nga Fan Noli dhe Luigj Gurakuqi. Ata erdhën në pushtet përmes revolucionit të Qershorit të vitit 1924. Duke qenë se nuk u zhvilluan zgjedhje, Fan Noli u zgjodh me short Kryeministër, kurse Luigj Gurakuqi u emërua prej tij ministër Financave. Noli ishte emëruar më herët ministër i Jashtëm nën qeverisjen e parë të Zogut, ndonëse ai ishte që nga dita e parë kundërshtar i tij.

Duke qenë se Zogu kishte mbledhur rreth vetes analfabetë dhe injorantë siç ishte edhe vetë, një çetë hajdutësh për të sunduar dhe për t’u pasuruar, shumica prej tyre nuk dinin as shkrim dhe as këndim, për njohjen e Shqipërisë duhej që të fliste ministri i Jashtëm i saj, në Lidhjen e Kombeve. Noli e pranoi ftesën dhe përfaqësoi Shqipërinë duke mbajtur një fjalim historik që befasoi të gjithë diplomatët e klasit botëror.

Në kujtimet e tij të mëvonshme me patriotët shqiptarë në SHBA Noli u tregoi atyre se pas mbledhjes së Lidhjes së Kombeve ai mbeti atje mes rrugëve, sepse qeveria i kishte dhënë para delegacionit shqiptar vetëm për të shkuar dhe qëndruar në Gjenevë ku u mbajt mbledhja, por jo për t’u kthyer sërish. Siç duket, Zogu dinak kishte menduar se Noli pas fjalimit e kishte mbyllur misionin e tij prandaj nuk i duhej më vendit. U detyruan patriotët shqiptarë t’i dërgonin para që të kthehej në Shqipëri, me qëllim që të vazhdonte misionin e tij patriotik.

Noli në tërë veprimtarinë politike dhuroi spektakël me fjalimet e tij në Kuvend si opozitar teksa tallej dhe ironizonte qeverisjen e mjerueshme të Zogut. “Ti Halim që nuk di këndim, pse nuk bëhesh ministër për Arsim” – iu drejtua ai një deputeti të qeverisë së kohës për të treguar se në çfarë përfaqësimi mediokër ishte qeverisja e “pashallarëve analfabetë” të udhëhequr nga ai që e shpalli më pas veten mbret.

Të nxitur nga vrasja e Avni Rustemit, Revolucionin e Qershorit e organizuan një grup idealistësh të majtë, të udhëhequr nga Noli. Me ardhjen në pushtet, Noli dhe bashkëpunëtorët e tij nuk morën ndihmë, madje as njohje nga ndërkombëtarët. Vendet fqinje lobuan që të mos njihej qeveria e Nolit me argumentin se kishte ardhur në pushtet me mjete jodemokratime. Një vend të veçantë në programin e tij zinte arsimi, si e vetmja rrrugë për të shpëtuar kombin nga prapambetja historike dhe mjerimi. Se çfarë idealesh përfaqësonte Noli mjaftojnë dëshmi të kohës. Luigj Gurakuqi sipas një prej miqve të tij, pasi ishte emëruar ministër i Finanacave, i kishte kërkuar disa herë para borxh, për të shkuar në punë.

Ata nuk mund të vidhnin popullin dhe as nuk u shkonte ndërmend që të vendosnin gjoba në formë taksash për më pasurit që të mbanin veten. Nuk vodhën asnjë qindarkë nga pasuria e përbashkët kombëtare. Noli kërkoi ndihmë financiare që të paktën të mund të zhvillonte zgjedhje, por kërkesa e tij u refuzua nga të gjitha vendet e zhvilluara. Në këto kushte Ahmet Zogu, i cili qëndroi i strehuar në Beograd ku gjeti më tepër siguri se në çdo vend tjetër, pas 6 muajsh u kthye me ndihmën e mercenarëve serbë dhe rusë në pushtet. Për të shmangur gjakderdhjen në një përplasje të armatosur mes shqiptarëve, Noli dhe Gurukaqi vendosën të tërhiqeshin. Për më tepër ata ishin njerëz të mendjes dhe idealistë të pakrahasueshëm me të tjerët.

Pas dështimit të revolucionit, Luigj Gurakuqi u vra pabesisht pas shpine në Bari, Bajram Curri te Shpella e Dragobisë, ndërsa Noli u dëbua për të mos u kthyer më kurrë në Atdhe. Dhe kështu u shuan idealet e majta të Qershorit. Ahmet Zogu pas ndihmës së serbëve bashkëpunoi me fashistët italianë dhe e drejtoi vendin deri në ’39. Ai nuk përfaqësoi asnjë vlerë, asnjë ideal, por la pas si trashëgimi veset më të shëmtuara për qeverisje mes shqiptarëve.

E dëbuan italianët, kur nuk iu duhej më dhe iku me karvanin mbushur me flori nga vendi. E la Shqipërinë pa shkolla me mbi 90 për qind të popullsisë analfabetë, pa spitale, pa ushtri, pa ekonomi. I interesoi vetëm analfabetizmi i shqiptarëve dhe pasuria e tij, për t’i sunduar ata përjetësisht. Ishte kjo lloj politike dhe vrasja e idealeve që u dha terren komunistëve pas shpërthimit tëLuftës së Dytë Botërore, që të vinin lehtësisht në pushtet.

Qeverisja famëkeqe e Zogut që vrau idealet e majta demokratike nxiti idealistët e së majtës ekstreme, të cilët i udhëhoqi Enver Hoxha të instalonin regjimin më të egër në Europë. Duhet pranuar dhe herët a vonë historia do ta thotë fjalën e saj përmes fakteve të pakontestueshme. Popullsia nën regjimin e Hoxhës u katërfishu dhe krijoi një shtet sovran që i trembeshin për herë të parë në histori vendet fqinje.

Për herë në historinë moderne Shqipëria në territorin e saj nxori njerëz të shkolluar të të gjtha fushave dhe zhvilloi kërkimin shkencor në nivele europiane. Ndër intelektualët e shumtë, në fushën e mjekësisë, ishte edhe Prof. Doktor Sali Berisha, i cili pas ’90 do të merrte përsipër të udhëhiqte të djathtën shqiptare.

Dhe këtu qëndron paradoksi i madh. Me lëvizjen e studentëve, idealet e Dhjetorit të ’90 për rrëzimin e sistemit komunist, u tradhtuan pa nisur mirë udhëtimin e tyre. Pasi udhëheqjen e tyre e mori Berisha ato jo vetëm që nuk u realizuan kurrë, por 30 vjet më pas i njëjti personazh grotesk, i cili e qeversi vendin për 13 vjet dhe pati kohë të mjaftueshme për të themeluar të djathtën beson sot se do të gjejë terren të mjaftueshëm që përmes revolucionit ta rithemelojë atë, në një kohë kur politikisht është i padëshiruar dhe i akuzuar nga SHBA.

Përpjekja e tij ngjason me ëndrrën e Zogut për t’u rikthyer mbret dhe përmbysur regjimin e Hoxhës nga fuqitë e huaja, apo të trashëgimtarit të tij që pagoi me paratë e vjedhura nga i ati disa mercenarë, në në një tjetër përpjekje qesharake për të rikthyer monarkinë gjatë trazirave të ’97.

Sali Berisha vrau idelaet e djathta dhe Ahmet Zogu idealet e majta, përmes stretegjive të njëjta. Prandaj i pari e adhuron të dytin. Nëse Zogu ia doli mbanë më shpejt sepse e la popullin në analfabetizëm, Berisha bëri të njëjtat përpjekje dhe ndoqi të njëjtën strategji duke rrënuar arsimin dhe duke e kthyer shumicën e popullsisë në analfabetizëm funksional. Pra, duke kultivuar injorancën dhe duke vrarë dijen e kombit, pasi morën pushtetin, ata përdorën të gjitha mjetet, duke drejtuar edhe armët e armikut ndaj kundërshtarëve të tyre politikë.

Si njëri ashtu edhe tjetri ia dolën të mbijetonin politikisht gjatë, por në fund patën të njëjtin fat: E mbyllën karrierën me turp. Ndërsa Zogut i ndërtoi monument në Tiranë, a e keni dëgjuar ndonjëherë Berishën të zërë me gojë figurat e ndritura të kombit tonë, si të Nolit dhe të Gurakuqit? Pse nuk i hoqi dot emrat e tyre nga rrugët, shkollat dhe univesitetet? Nuk pati mundësinë! Priti ndoshta një kohë tjetër, sepse për interesin personal luajti jo pak me ndjenjat e një populli të zemërur dhe të tradhtuar nga ‘vrasja’ e idealeve të vërteta.

E majta që qeveris sot nuk përfaqëson idealet e Nolit, megjithatë e mban e sigurt pushtetin. Sepse të djathtën e rrënoi përfundimisht “doktori i mrekullive”, i cili po përpiqet ta rithemelojë atë sërish nga e para me anë të “revolucionit”.

Me përkrahës të dëshpëruar sot, përfshirë xhandarë dhe mercenarë mediokër, që ëndërrojnë privilegje të pamerituara, sigurisht pa asnjë lidhje me të djathtën, me thirrjet “E duam Shqipërinë si e gjithë Europa” janë ndoshta ata ironia dhe fatkeqësia e historisë sonë 100 vjeçare. Atentatorët e idealeve të mëdha nuk mund t’i identifikojë dot lehtë as historia, nëse ishin adhurues të monarkisë, autoritarizmit apo totalitarizmit. E sigurt që me demokracinë dhe patriotizmin nuk kishte lidhje.