MENU
klinika

Nga Artur Ajazi

E latë vendin pa opozitë…

21.12.2021 - 14:22

Debatet dhe konfliktet mes dy “kryetarëve” të Partisë Demokratike, ka gjasa të zgjasin edhe për shumë muaj dhe ndoshta vite. Ata që ndjehen dhe janë të humburit në këtë betejë, natyrisht janë anëtarësia, e cila ka 8 vjet që pret, dhe ndoshta do ti duhen edhe nja 8 vjet të tjera të rrijë me sytë nga qielli. Por më kryesore mbetet fakti, se vendi do të vazhdojë të mbetet pa opozitë të unifikuar. Nuk ka se si të quhet“opozitë”turma e Berishës që mbledh kuvende, firma dhe nxjerr “rezultate” referendumi, duke ngjarë në fakt si një “qeverisje në mërgim”. Por as ajo që bën Lul Basha, nuk mund të konsiderohet opozitë, pasi sot gjendet e përçarë, e braktisur, dhe pa formatim të plotësuar politik. Dihet se deri tani mbi 10 deputetë dhe anëtarë kryesie i janë bashkuar Berishës, ndërkohë që me ç’ka po shohim dhe dëgjojmë në Parlament, edhe Basha nuk ka arritur të ngjallë frymën dhe entuziazmin e mbështetësve realë.

Opozita sot po kalon ditët më të vështira të saj. Ajo gjendet mes konflikteve dhe përçarjeve. Njëri kërkon të marrë flamurin (pa bisht) të drejtuesit opozitar, tjetri i bie në një “vrimë fyellit”, duke u marrë prej 4 vitesh me “inceneratorët”. Duket sikur një dorë e fortë, e mban të lidhur opozitën pas qerres së kalbur, e cila nuk ka gjasa ta ringjallë kurrë atë Parti Demokratike që ka qenë, vetëm muajt e parë pas themelimi. Ajo parti ka akoma dhe sot, fytyrën e Saliut, ajo parti akoma dhe sot ka brënda saj, mëkatarët dhe ithtarët e veseve më të liga të një grushti politikanësh të korruptuar dhe inkriminuar. E lanë vendin pa opozitë, dhe nuk pyesin shumë për braktisjen e partisë nga anëtarësia e saj. Duke u marrë me “fitoret” e kuvendeve dhe afrimin e mercenarëve në terren, ata kujtojnë se do të mbajnë gjallë imazhin e “liderit të opozitës”.

Ka ardhur koha të derdhet “paraja lumë”, për të riforcuar pozitat e humbura. Dhe kush më mirë se ish-lideri e ka kuptuar këtë, sot më shumë se kurrë. Nuk mund të krahasosh kurrë, për të njëjtin problem, situatën e dikurshme në Partinë Socialiste të Nanos, me situatën e tanishme në Partinë Demokratike. Dhe kjo natyrisht, bën diferencën mes dy kaheve politike. E ndërsa në PS, debatet kshin finesë, dhe bëheshin në frymën e konstruktivitetit, në PD ndodh krejt e kundërta. Kacafytjet politike, ja kanë lënë vendin akuzave, denoncimeve penale dhe përplasjet fizike ndaj njëri-tjetrit. Baza e Partisë Demokratike, duhej ti kishte bërë me kohë gjyqin lidershipit të saj, dhe të mënjanonte karrieristët dhe aventurierët që po luajnë poker me fatin e asaj force politike. E lanë vendin pa opozitë, dhe ky nuk është faji i askujt, aq më tepër i Edi Ramës.

Duke aluduar shpesh me emrin e kryeministrit, (si pengmarrës i Bashës) ish-lideri historik (anakronik) kërkon të justifikojë “aksionin”dhe rikthimin e tij të dhunshëm në Partinë Demokratike. Duket si një “histori me gogolë” që trembin fëmijët gjithë periudha 30 vjeçare e një njeriu që kurrë nuk është ndalur, për ti sjellë fatkeqësira këtij vendi. E lanë pa opozitë vendin të paudhët, që diku tjetër, populli do ti kishte hedhur në mes të detit…

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN