MENU
klinika

Lufta kundër informalitetit

Ndikimi i mbylljes së bizneseve shkelëse në ekonominë e vendit

18.08.2018 - 17:14

Sektori joformal i Shqipërisë përfaqëson një pjesë të rëndësishme të aktiviteteve ekonomike dhe mund të rrezikojë lehtësisht realizimin e objektivave afatmesëm të Shqipërisë për zhvillimin socioekonomik dhe për integrimin evropian. Ndërkohë që të ardhurat buxhetore lidhur me ecurinë e ekonomisë së Shqipërisë janë të dobëta, aktivitetet e sektorit formal privat dekurajohen nga:  lidhjet e tendosura të taksapaguesit;  zbatimi i pamjaftueshëm i taksave;  leja e tepërt dhe kërkesa licencuese; ekzistenca e disavantazhit konkurrues lidhur me pjesëmarrësit e tregut joformal; dhe  një infrastrukturë publike të dobët (Banka e Shqipërisë).

Qeveria qendrore, por edhe Bashkia e Tiranës, për të luftuar nivelin shqetësues të informalitet, kryesisht gjatë pikut të sezonit turistik veror, ka ndërmarrë hapa drastike ndaj bizneseve që kryejnë shkelje në mënyrën e funksionimit.

Konkretisht, 171 biznese kanë marrë urdhra bllokimi gjatë gjysmës së parë të vitit 2018 për shkak të mospagimit të taksave vendore, ndërsa 16 prej tyre ushtronin aktivitetin biznesor në informalitet të plotë, dhe nuk rezultonin të regjistruar si subjekt në Qendrën Kombëtare të Bizneseve. E pavarësisht këtyre masave, informaliteti vijon të përbëjë problem për ekonominë shqiptare.

Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, rreth 40.8 milion lekë detyrime të prapambetura u arkëtuan nga subjektet në zonat turistike. Gjithashtu 2,792 punonjës u futën në skemën e kontributeve, pasi bizneset u konstatuan me shkelje.

Referuar po ashtu të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, numri i bizneseve të reja të regjistruara në zonat turistike për periudhën 1 Qershor – 13 Gusht ishte 1,531 ose 58% më shumë se e njëtja periudhë e një viti më parë. Shifrat i përkasin subjekteve të reja të regjistruara në Drejtorinë Tatimore Rajonale Durrës, Lezhë, Sarandë, Shkodër dhe Vlorë (që mund të kenë qenë edhe kontigjent informaliteti paraprakisht).

DRT Sarandë, sipas të dhënave, shënoi rritjen me të lartë, me rreth 44%, të bizneseve të reja, të hapura gjatë periudhës së marrë në analizë, duke vijuar më pas me DRT Lezhë me rreth 33% dhe DRT Vlorë me rreth 24%.

Nga të dhënat zyrtare vërehet se shtrëngimet ndaj bizneseve në luftën kundër evazionit fiskal e kthimit të ekonomisë në formalitet tërësor po japin frytet e tyre. Mbetet të shihet në vijimësi kjo ecuri.