Nga Therese Shaheen “National Riview”
Takimi i Komitetit Qendror të Partisë Komuniste të Kinës në muajin nëntor, nuk pati asnjë lloj surprize. Presidenti Xi Jinping mbetet në rrugën e duhur për të nisur një mandat të tretë si kreu i partisë, qeverisë dhe i forcave të armatosura – një udhëheqës vërtet suprem – kur të mblidhet Kongresi i XX-të i PKK vitin e ardhshëm.
Sipas planit, takimi i nëntorit synonte të kremtonte mbretërimin gati 10-vjeçar të Xi, dhe perspektivat në kuadër të 100 vjetorit të themelimit të partisë. Detyra e Xi në atë takim ishte e dyfishtë.
Së pari ai duhej të krijojë një vend për veten në histori, që të jetë në të njëjtin nivel me Mao Zedong dhe Deng Xiaoping. Dhe së dyti të çimentojë kursin aktual të partisë si rrugën më të mirë për të ecur përpara.
Komunikata e takimit, e publikuar nga agjencia shtetërore e lajmeve Xinhua, tregon se këto 2 qëllime u përmbushën. Ajo i bënte thirrje partisë që “t’i përmbahet” mendimit të Maos” dhe “teorisë së Deng Xiaoping”, por “të zbatojë plotësisht udhëzimet në epokën e re të Xi Jinping”.
Por duke pasur parasysh sfidat e mëdha me të cilat përballet Kina, Xi nuk është i fokusuar që të jetë Mao-ja i dytë, arkitekti i “Hapit të Madh Përpara”, apo një Deng i dytë, një reformatori madh. Ajo që dëshiron Xi është të shmangë të qenit një Gorbachev i dytë.
Ky i fundit u ngjit në krye të Bashkimit Sovjetik në një periudhë, kur kontradiktat dhe të çarat në sistemin sovjetik ishin të pariparueshme, edhe pse shumica e botës nuk e kuptonte këtë.
Përpjekjet e Gorbachev për të përqafuar reformat me gjysmë zemre dhe për të fituar vlerësimin e Perëndimit, vetëm sa përshpejtuan rënien e Bashkimit Sovjetik. Xi nuk do që të ndjekë këtë model. Analiza tradicionale e udhëheqjes së Xi është se, pavarësisht dëshirës së tij për të çimentuar staturën e vet përballë liderëve të mëparshëm të Partisë Komuniste, ai dallon prej tyre në disa aspekte.
Duke analizuar regjimin që nga koha e Deng e tutje, shumë analistë perëndimorë besonin se liderët kinezë po e drejtonin Republikën Popullore drejt liberalizimit të tregut dhe bashkimit me komunitetin e kombeve, përmes liberalizimit të tregtisë dhe mekanizmave të tjerë të integrimit global.
Konsensusi tani është se Xi po e ndal këtë proces, Ai nuk kërkon integrim, por dominim dhe një kontroll më të ashpër të Partisë Komuniste mbi vendin. Në një farë mase, përshkrimi i Xi si një i lider i jashtëzakonshëm në krahasim me paraardhësit e tij, është një analizë e përshtatshme nga ata që gabuan mbi atë që po ndodhte në Kinë përpara ngjitjes në krye të Xi Jingping.
Ndonëse PKK-ja është një regjim i aftë për diversione dhe mashtrime, duhet bërë dallimi mbi disa të vërteta të hidhura. Për shembull, tani është e qartë se paraardhësit e Xi nuk e shihnin Kinën si një fuqi ekonomike në pritje. Vështirësitë e shumta të Kinës, qenë të dukshme edhe përpara se të merrte pushtetin XI.
Që në vitin 2007, kryeministri i atëhershëm Wen Jiabao e pranoi se ekonomia kineze ishte “e paqëndrueshme, e pa balancuar, e pakoordinuar dhe e paqëndrueshme”. E megjithatë, PKK e kishte bindur botën, se Kina ishte në një rritje të shpejtë ekonomike.
Wen nuk ishte një përjashtim, por si një lider i respektuar brenda partisë, ai po tregonte realitetin, edhe nëse pjesa tjetër e botës nuk po e dëgjonte. Në tërësi qeveritë perëndimore injoruan deklaratat e Wen, ndërsa bizneset pranuan realitetin alternativ të krijuar nga Partia Komunisten Kineze.
Në këtë lloj bote, Kina po rritej me 9 për qind në vit, dhe liderët e partisë supozohej se kishin gjetur përzierjen e përsosur midis liberalizimit të tregut dhe politikës industriale shtetërore, të nevojshme për të mbështetur rritjen dhe dominimin me kalimin e kohës.
Në vitin 2010, “Financial Times” raportoi se ndërsa SHBA-ja dhe Evropa po përballeshin me pasojat e rënda të krizës financiare globale, Kina mund të ishte “në prag të një revolucioni financiar me përmasa vërtet epike, dhe se juani do të eklipsonte së shpejti dollarin si monedha e rezervave globale”.
Kjo e fundit nuk ndodhi. Dhe nëse gjigantët e Wall Street-it dhe establishmenti global i politikës së jashtme nuk po i kushtonin vëmendje Wen-it, Xi Jingping po. Ky i fundit e ka ditur që në fillim kur mori detyrën, se deklarata e Wen ishte i saktë, dhe se që atëherë situata është përkeqësuar ndjeshëm.
Kjo është e ngjashme me atë që u përball Mikhail Gorbachev kur u bë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Sovjetike në vitin 1985. Shumë analistë perëndimorë, të cilët e kishin analizuar gabim Bashkimin Sovjetik për dekada të tëra, e shpallën Gorbachev si udhëheqësin që do ta çonte Bashkimin Sovjetik në një epokë të re.
Sot në e harrojmë faktin se për pjesën më të madhe të shekullit XX-të, shumë njerëz në mbarë botën e panë ekonominë sovjetike si një alternativë të qëndrueshme ndaj ekonomive perëndimore të udhëhequra nga tregu. BRSS pati një rritje mesatare vjetore prej 5 për qind nga fundi i viteve 1920, dhe deri rreth vitit 1970.
Por pak analistë vunë re se që nga fundi i viteve 1970, korrupsioni dhe mungesa e efikasitetit të sistemit sovjetik kishin zënë rrënjë të thella dhe u bënë shumë të dukshme. Gorbachev u ngjit në pushtet në vitin 1985. Bashkimi Sovjetik dhe ai vetë u rrëzuan në vitin 1991.
Në këtë kuptim, ai nuk ishte një anomali në rrugën e përparimit, por një pararojë e dështimit.
E njëjta gjë mund të jetë e vërtetë edhe për Xi. Në mandatin e tretë të Xi, PKK do të bëjë gjithçka që ka në dorë për ta shmangur këtë skenar. Ajo nuk do të ndjekë të njëjtën rrugë si Bashkimi Sovjetik.
Por Mark Twain tha dikur se ndonjëherë se “historia mund të mos përsëritet, por ajo rimon”.
Është më se e qartë se Xi po drejton tashmë një Kinë në një periudhë rënieje relative pas shumë vitesh zgjerimi dhe rritjeje.
Është e qartë se ka shumë të çara të brendshme në “kullën” artificiale të kontrollit dhe progresit: një borxhi të madh publik dhe privat; një popullsi në plakje; mungesë të lëvizshmërisë sociale dhe të një rrjete sigurie sociale për qindra miliona të varfër.
Po ashtu ka shumë sfidat ekologjike dhe të burimeve natyrore; pritshmëritë në rritje të elitës së arsimuar nuk mund të përmbushen; ka një shkelje në shkallë të gjerë të të drejtave të njeriut dhe keqtrajtim të minoriteteve; dhe mungesa të theksuara të energjisë elektrike, vetëm sa për të përmendur disa.