MENU
klinika

Duka takon personat me aftësi ndryshe

FSHF nuk harron tifozët: Faleminderit që na mbështesni!

23.12.2021 - 18:20

E enjtja e 23 dhjetorit ka qenë një ditë ndryshe jo vetëm për drejtuesit e Federatës së Futbollit, por edhe për personat me aftësi ndryshe në Shqipëri.

Një vizitë e tyre në stadiumin “Air Albania”, me ftesën e veçantë të Presidentit të FSHF-së, Armand Duka ka qenë mjaft e këndshme për ta, në prag të festave të fundvitit.

Pjesë e Shoqatës së Invalidëve Para dhe Tetraplegjikë, këta tifozë kanë qëndruar për disa orë me Presidentin Duka e Sekretarin Shulku si dhe futbollistin e Kombëtares shqiptare, Albi Doka, i cili kishte ardhur në mënyrë speciale për të surprizuar tifozët tanë specialë dhe për t’i falënderuar nga afër për mbështetjen e pakursyer që i japin në çdo ndeshje.

Në fjalën e tij, kreu i qeverisë së futbollit shqiptar falënderoi të gjithë tifozët shqiptar përmes këtyre tifozëve specialë, që kanë qenë gjithmonë në mbështetje të futbollit, jo vetëm ekipit Kombëtar, por të gjithë futbollit në përgjithësi. Ai u shpreh se Federata do të vijojë të jetë në mbështetje të tyre, teksa i uroi nga stadiumi “Air Albania”, investimi më i madh që ka ndryshuar infrastrukturën në futboll, Krishtlindjen dhe Vitin e Ri!

“Kemi zgjedhur një mënyrë ndryshe sot për të falenderuar të gjithë tifozët e futbollit në Shqipëri, jo vetëm të ekipit Kombëtar, por të gjithë futbollit në çdo skaj të Shqipërisë, futbollit të fëmijëve, futbollit të ekipeve, të klubeve dhe të rretheve.

Veçanërisht juve, personat me aftësi ndryshe që nuk i jeni ndarë asnjëherë mbështetjes së futbollit, që e keni pasion, dëshirë dhe dua t’ju falënderoj për sakrificën që keni bërë për të mbështetur futbollin, falënderoj Shpresën si administratore e Shoqatës. Por një falëndërim i veçantë dhe inkurajim edhe për Sajmirin, një nga personat me aftësi ndryshe, i cili thjesht nga pasioni, nga dëshira vazhdon të luajë futboll, në kampionatin e futbollit 5×5 që Federata organizon në qytetin e Shkodrës dhe është i kënaqur me shoqërinë e futbollit atje.

Duke qenë se është prag festash, kjo është thjesht një ceremoni falenderuese. Futbolli nuk është thjesht një garë, por është një lojë edhe sociale dhe të gjithë organizmat e futbollit mbështesin çdo lloj shtrese, shoqate apo njerëz me aftësi ndryshe.

Unë jam vërtetë i lumtur që Federata e Futbollit ka arritur të bëjë diçka, pa dyshim që duhet të bëjë shumë më shumë për ju dhe për të gjithë njerëzit e tjerë me aftësi ndryshe. Por jam i lumtur që të paktën ne kemi krijuar  prej kohësh një ekip futbolli të të verbërve që merr pjesë edhe në gara ndërkombëtare.

Në vitin 2021 i është bashkuar edhe ekipi i të amputuarve, që ka marrë pjesë në gara ndërkombëtare. Dua t’i falënderoj ata që kanë dashuri dhe vullnet për ta luajtur lojën e futbollit. Do të vazhdojmë të kemi politika të tilla. Ky vit ka qenë i vështirë, për atë çka është kryesorja për shëndetin, sepse kemi pasur probleme, kemi humbur edhe njerëz të dashur, ku gjej edhe rastin t’i ngushëlloj.

Kemi humbur edhe njerëz të afërt në stafin e ekipit Kombëtar. Por kemi gjetur forcë dhe mundësi për t’i synuar objektivat tanë dhe ju na keni mbështetur. Dhe kur them ju, them të gjithë tifozët shqiptarë dhe uroj dhe jam i bindur që do të na mbështesni edhe në vitin 2022 dhe në të ardhmen.

Uroj të kalojmë festa sa më të gëzuara, të jemi të lumtur dhe të kemi një vit të mbarë 2022. Uroj që nga këtu ku jemi, në këtë stadium fantastik që ka krijuar kushte fantastike për të gjithë ne, të marrim emocione akoma më të bukura, të marrim spektakël nga futbollistët, të marrim rezultate pozitive dhe t’ju kemi të gjithëve pranë në vitin 2022. Gëzuar Festat dhe shëndet e lumturi për ju, për të gjithë shqiptarët e tifozët, futbollistët e trajnerët! Gëzuar”!

Ndërkaq, Sajmir Ustabeqiri, një nga tifozët specialë, i cili njëkohësisht luan edhe futboll, në kampionatin e futbollit amantor 5×5, i organizuar nga FSHF-ja, falënderoi të pranishmit dhe presidentin Duka dhe bëri thirrje që të mbështesim të gjithë Kombëtaren.

“Ju falënderoj të gjithëve, në veçanti zotin Duka për ftesën. Futbolli është përmbi gjithçka. Është sporti më i bukur dhe jap një mesazh që ta ndjekin sa më shumë dhe ta përkrahim edhe Kombëtaren, sepse është gjëja më e shtrenjtë për vendin tonë” – tha Ustabeqiri.

Një falënderim për këta tifozë erdhi edhe nga futbollisti i Kombëtares, Albi Doka, i cili u shpreh i lumtur që ishte pjesë e këtij takimi miqësor, teksa i ftoi tifozët të jenë gjithmonë në përkrahje të Kombëtares shqiptare.

“Jam shumë i lumtur që ndodhem midis jush. Faleminderit që keni ardhur! Ashtu siç na keni përkrahur përherë, si tifozë specialë që jeni, shpresoj të na përkrahni gjithmonë. Ju uroj një vit sa më të mbarë! Gëzuar Krishtlindjen dhe Vitin e Ri dhe të gjithë së bashku për një qëllim, për Kombëtaren tonë të dashur” – u shpreh Doka.

Përgjegjësia sociale është një nga politikat kryesore të Federatës së Futbollit, që nuk është hera e parë që mbështet personat me aftësi ndryshe, pasi herë pas here organizon aktivitete të ndryshme.