Nga Mentor Nazarko
Serbia dhe Kosova janë përfshirë nga disa ngjarje që e kanë helmuar atmosferën e përgjithshme në marrëdhëniet dypalëshe: deklaratat janë përflakur, veçanërisht nga Kosova. Pas arrestimit të kryekomunarit serb të Shtërpcës, për leje të paligjshme, apo lejime ndërtimesh të paligjshme në një zonë të shtrenjtë si ajo e Brezovicës, ka patur ndalime gazetarësh me profil të lartë në kufi, kërcënim për atentat në stacionin e autobusave në Prishtinë (thirrja vinte nga Serbia), gjykata serbe e Apelit, e ka quajtur të ligjshëm përdorimin e termit “shiftari”, etj, etj.etj. Brenda kësaj atmosfere, disa politikanë kosovarë kanë parë ndërlidhje me Ballkanin e hapur, apo prova që tregojnë se pse Ballkani i Hapur është “sen pa lidhje”. Si për ta plotësuar gjithë tablonë Anti Balkan Open, zërat publikë kundër inisiativës janë përplotësuar dhe nga liderë të opozitës kosovare.
Mirëpo a ka lidhje midis kësaj që po ndodh dhe BO? Është shumë vështirë të bindësh dikë për çështje me ndjeshmëri të lartë në kohën e internetit, politikës me rrjete sociale, dhe kur askush nuk dëgjon tjetrin që arsyeton, por vetëm të flasë për vete. Në një artikull me titullin kuptimplotë, “kur arsyetimi ofendon”, filozofi spanjoll Javier Marias thotë se “ne mund të…përpiqemi të shpjegojmë, arsyetojmë, argumentojmë dhe përmes kësaj të bindim dikë për diçka…. prej të paktën 25 shekujsh, që në kohën e Sokratit….instrumentet kryesore që e kanë bërë njerëzimin të vlefshëm… ndaj duhet të alarmohemi sepse po zhdukim thelbin tonë e të vetmit zëvendësues që n´a ofrohen janë “emocione¨ të paqëndrueshme dhe sentimentalizmat vulgare.”
Politika prodhon shpesh emocione të paqëndrueshme dhe sentimentalizma vulgare, që nga ana e vet prodhojnë vota dhe konsolidojnë ato. Me këtë prizëm mund të shikohet qasja ndaj inisiativës së Balkanit të hapur, që diku mbivlerësohet, diku mitizohet, diku i vendosen brirë, diku lyhet me bojë të zezë, etj, etj. Por le të tentojmë të shpjegojmë, të arsyetojmë, të argumentojmë, ndonëse është e vështirë të dëgjohesh…sipas sindromit të përgjithshëm për të cilin flet Marias.
Pala kosovare nuk ka marrë pjesë në takimin e Tiranës që të mund të thotë se po të ishte në Tiranë, këto zhvillime pasuese do të ndodhnin gjithqysh. Kjo nuk do të thotë automatikisht se Konjufca ka të drejtë, kur thotë “ çfarë Ballkani i hapur është ky” pas të cilit ndodhin zhvillime si këto..
Ndërkohë, Serbia nuk do të ndryshojë falë Ballkanit të hapur, përkundrejt Kosovës, sakohë që vazhdon dialogu në Bruksel (në fakt ai ka ngrirë deri kur të mbarojnë zgjedhjet në Serbi). Madje Serbia mund të mos ndryshonte ndaj Kosovës dhe sikur ta njihte. Me të drejtë dikush nga ish diplomatët me renome të Kosovës, tha në RTK, se edhe Rusia e njeh Ukrahinën, por ama po bëhet gati ta pushtojë. Pra thelbësorja është normalizimi real i marrëdhënieve dhe jo njohja në vetëvete.
Po ashtu, Serbia po hyn në zgjedhje, ndaj është e pritshme që të luhen lojra për të ndikuar në to, apo në pazarin e dialogut. Për më shumë që arrestimet e Kosovës kanë dëmtuar interesa dhe reagimet e të prekurve janë të pritshme. Sa për bllokimin e gazetarit në kufi, kjo është diçka e rëndomtë në Ballkan, përshembull në Greqi. Gazetarët kritikë me Greqinë, njëjtë si Kelmendi që është kritik me Serbinë, vonohen në kufi,në emër të preteksteve verifikuese.
E gjitha kjo ndodh kur marrëveshjet e miratuara në Tiranë kanë vlerë praktike: ama kjo nuk ndërlidhet me problematikën e krijuar këto ditë në marrëdhëniet midis Kosovës dhe Serbisë. Edhe ato marrëveshje i duhen Kosovës që e ka Serbinë partner më të madh sesa e ka Shqipëria, dhe afërmendsh që duhet rregullim akoma më i madh sesa ai aktuali. CEFTA dhe Procesi i Berlinit, që kanë dështuar, ngrirë, nuk po sjellin normalizim, as përparim, as adresim të këtyre problemeve ndaj nuk kuptohet pse ato fetishizohen.
Ka një pikë thelbësore: ndërsa Kosova vullnetarisht nuk merr pjesë, cili është shqetësimi i saj? Marrveshjet nuk kanë kurrfarë efekti negativ apo dëmtimi për të, atëherë mos vallë me të drejtë, sentimentalisht Kosova shqetësohet se po dëmtohet Shqipëria? E vërteta është se dhe në kohën e luftës së ftohtë, Shqipëria e kishte Serbinë partnerin kryesor me 40% të importeve të saj, dhe nuk kishte kontakte politike të nivelit të lartë. Ama, në kufij funksiononin komisionet e përbashkëta të zgjidhjes së incidenteve. Pra palët kishin një forum ku uleshin për to, dhe nuk i bërtisnin njera tjetrës njëanshmërisht, nga llogorja e tyre. Shkurt, seicili prej shqetësimeve për tema jashtë dialogut (pse jo dhe për ato?) që ka Kosova, mund të adresoheshin në një forum si ai i Tiranës, që është a) i nivelit të lartë; b) po mblidhet shpesh; c) nuk vepron me parimin e vetos; d) nuk është i ngurtë, as institucional, as organizativ; as burokratik. Pse Procesi i Berlinit që mblidhet rrallë, duhet të jetë forum më efektiv për mosmarrëveshjet? A është logjik argumenti se ne me serbët flasim po të jenë të pranishëm europianët, apo amerikanët, dhe jo ballëpërballë? Pse kjo frikë apo droje? Dhe cili është përfitimi nëse Serbisë i dërgohet selam vetëm nëpërmjet foltoreve apo llogoreve në Prishtinë dhe jo në një forum si ai i Balkan Open?
Ka dhe shumë argumenta të tjerë, -të cilat sakohë që shkurti i 2022, për takimin e Shkupit, po afrohet shpejt-, mund të adresohen atëherë. Kjo kuturisje ishte thjesht një përpjekje për arsyetim, ndonëse jetojmë në kohën kur si thotë Javier Marias… Arsyetimin disa njerëz e interpretojnë si ofendim ndaj tyre: ¨Mendon që jam inferior apo budalla?¨, ¨Mendon që vetëm pse ke të drejtë, unë duhet të të jap të drejtë?