MENU
klinika

AMA me “dorë të hekurt”

Brenda tre muajve jep 30 masa ndëshkimore për televizionet

26.12.2021 - 13:34

Autoriteti i Mediave Audiovizive ka ndërmarrë në total 30 masa për periudhën shtator-nëntor gjatë procesit të monitorimit të përmbajtjeve audiovizive dhe nga ankesat e mbërritura në institucion, për mosrespektim të detyrimeve të ligjit 97/2013 Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar

AMA ka dhënë 14 (katërmbëdhjetë) masa për mosrespektimin e kërkesave ligjore dhe Kodit të Transmetimit.

Për 6 (gjashtë) televizione janë dhënë masa për përdorim fjalori të papërshtatshëm për të miturit në orare që kufizon Kodi i Transmetimit si dhe cënim të të drejtave të fëmijëve në bazë të nenit 32 dhe 33, i ligjit “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar si dhe pika 5.34 e Kodit të Transmetimit, sipas të cilit “ OSHMA-të duhet të zgjedhin orarin e transmetimit të programeve që mund të dëmtojnë zhvillimin mendor, fizik apo moral të fëmijëve, ose të marrin ndonjë masë tjetër teknike, që fëmijët të mos i shikojnë ose dëgjojnë të tilla transmetime ( Ora kufi 22:00-06:00)”.

Të tjera masa janë marrë për televizionet të cilat kanë transmetuar reklamë të ndaluar në kundërshtim me rregulloren “Për komunikimet audiovizive me natyrë tregtare, format, kushtet dhe koha ditore e lejuar për transmetimin e reklamave”, konkretisht neni 19, pika 10.

Ëshë proceduar me masë ndaj një televizioni për diskriminim referuar nenit 32 dhe 33 të Ligjit 97/2013, të ndryshuar, dhe Kodit të Transmetimit, të cilët kërkojnë “të mos cënohet dinjiteti dhe të drejtat themelore të njeriut “ dhe “ OSHMA-të nuk transmetojnë programe me përmbajtje që nxisin urrejtjen mbi baza racore, gjinie, fetare, etnike, kombëtare dhe cdo formë tjetër diskriminimi”.

Gjatë trajtimit të rasteve të evidentuara si shkelje, Autoriteti i Mediave Audiovizive ka bashkëpunuar në dy raste me Autoritetin Kombëtar të Ushqimit referuar ankesave për reklamim të produkteve që mund të cilësohen të dëmshme për shëndetin dhe në tre raste me Agjencinë Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore, për reklamat e barnave mjekësore që nuk kanë përmbushur kërkesat e Rregullores “Për publicitetin e barnave”.

Autoriteti i mediave Audiovizive krahas vlerësimit për angazhimin dhe kontributin e televizioneve në funksion të informimit dhe edukimit të publikut, përfiton nga rasti të përsërisë apelin për respektimin e detyrimeve që rrjedhin nga Ligji nr.97/2013.