MENU
klinika

Gazeta SI

Gramoz Ruçi, e vetmja ‘humbje’ e Edi Ramës

31.12.2021 - 17:58

2021 ishte viti i sfidave dhe testimeve madhore për Edi Ramën dhe qeverisjen e tij. Vit zgjedhor, i pandemisë, i rindërtimit, i sherrnajës së zakonshme të politikës shqiptare dhe i skandaleve që mbërthyen qeverisjen. Bilanci? Humbja më e madhe e Edi Ramës ishte largimi nga politika i Gramoz Ruçit.

Viti nisi me motorët ndezur të politikës. Qeveria vijoi me rindërtimin, ndërsa nisi të sigurojë ngadalë edhe vaksinat e para kundër Covid. Betejat në këto dy fronte do të orientonin gjithë tonin e Edi Ramës në fushatën zyrtare elektorale për zgjedhjet e prillit.

Në fillim të marsit, Rama tregoi atë që koha ka treguar se di të bëjë më mirë në këto vit; shkundjen dhe “trazimin e ujërave të ndenjura” brenda Partisë Socaliste. Kryesocialisti prezantoi konceptin e listave të përmbysura, ku drejtuesit e qarqeve dhe figurat qendrore të partisë u vendosën në kufirin e objektivit minimal, ku Rama vetë e vendosi veten të tetin në Durrës dhe në Vlorë.

Por, listat e përmbysura nuk ishin risia më e madhe. Risia e madhe ishte lënia jashtë listave dhe jashtë zonave të sigurta të disa emrave me kontribute ndër vite në Partinë Socialiste. Lista ishte relativisht e gjatë dhe përfshinte figura si Fatmir Xhafaj, Pandeli Majko, Musa Ulqini, Sandër Lleshaj, Ditmir Bushati e të tjerë. Tre të fundit nuk u përfshinë fare në lista, ndërsa dy të parët u renditen në vendet e pasigurta, ku vetëm Xhafaj arriti që të thyejë herësin e të jetë në Kuvend.

Në këtë periudhë shpërtheu skandali i parë me daljen në publik të të dhënave personale të rreth 900 mijë votuesve. Akuzat që u ngritën thanë se listat ishin të patronazhistëve socialistë, që i kishin marrë ato direkt nga sistemi e-Albania. Rama u shpreh krenar për patronazhistët, nuk mohoi ekzistencën e një databaze për votuesit nga PS, por mohoi se lista e publikuar ishte ajo e socialistëve.

Sa më shumë afrohej 25 prilli, aq më shumë ashpërsohej retorika politika e tensionet në bazë. Pavarësisht se opozita akuzonte se po shkelej Kodi Zgjedhor me investime elektorale dhe përdorimin e vaksinimit për të siguruar vota, Qeveria vijoi përpara dhe në fushatë Rama u kujdes që ta përfshinte Bashën në të njëjtin bllok me Sali Berishën, Monika Kryemadhin dhe Ilir Metën.

Përplasjet me presidentin kulmuan në dy momente në fushatë. Në të parin, Meta u shfaq personalisht vetë në selinë e partisë Fryma e Re Demokratike, kur në të njëjtën godinë kishin mbërritur policët bashkiakë për t’i larguar prej andej. Meta e cilësoi vendimin politik për shkak të rreshtimit të kësaj partie në koalicion me opozitën.

Në incidentin e dytë, presidenti shkoi deri në deklarata revolucionare, teksa pas një incidenti për çështje banderolash të LSI-së në Fier “ftoi qytetarët” që të kapnin sfurqet për mbrojtur votën në këto zgjedhje. Rama nga ana tjetër e përqëndroi fushatën te rindërtimi dhe vaksinimi. “Me ne merrni vaksinat, me ata merrni infektimit”, deklaronte Rama.

Ai u akuzua se në këtë fushatë nuk u shfaq me një program të mirëfilltë elektoral. Në vend të një programi të mirëfilltë elektoral dhe qeverisës, Partia Socialiste u ofroi shqiptarëve më 25 prill “Planin e Veprimit 2025”, që sipas Kryeministrit Edi Rama shkon përtej një programi elektoral dhe është pjesë e vizionit të qeverisjes së tij për “Shqipërinë 2030”.

Rritja pagash për mjekë e mësues, rritje të pagës minimale, rishikim me ulje të niveleve të taksës progresive, vijimi i mbështetjes së fermerëve, turizmit dhe agroturizmit, vijimi i reformave në shëndetësi dhe arsim, thithja e investimeve të huaja direkte, projekte madhore në ujësjellës, infrastrukturë, rrugore, aeroportuale dhe portuale.

Përballë programit të PD-së fitoi “vizioni” i Edi Ramës. Ai siguroi 74 deputetë më 25 prill, të cilëve u shtohen edhe tre të PSD-së së Tom Doshit, duke formuar një mazhorancë të qëndrueshme. Rama mori mandatin e tretë, hera e parë që ndodhte prej zgjedhjeve të 1991. Opozita foli për “masakër zgjedhore”, por 9 qarqe të ankimuara prej saj u rrëzuan edhe në Kolegjin Zgjedhor.

Fill pas fitores, Rama premtoi një qasje ndryshe ndaj opozitës, që sipas tij ishte vetëm Partia Demokratike, duke e përjashtuar LSI-në. Ndërsa për PD-në dhe Lulzim Bashën shtriu dorën e bashkëpunimit dhe ftesën e dialogut për “gjithçka”, për Ilir Metën ngriti në Kuvend në limitet e afateve ligjore një komision të dytë hetimor, që u drejtua nga Alket Hyseni.

Pas 25 prillit, “dhurata” tjetër e madhe e për Ramën mbërrin nga Uashingtoni. Më 19 maj, një cicërimë në Twitter e sekretarit të Shtetit, Antony Blinken njoftonte shpalljen e Sali Berishës dhe familjes së tij “non grata”. Siç koha provoi më vonë, vendimi futi në një spirale përplasjeje të brendshme Partinë Demokratike, përplasje që duket se aktet finale nuk i ka luajtur ende.

Rama nuk komentoi vendimin, por pak ditë pas njoftimit të Blinken, Komisioni Hetimor i ngritur për shkarkimin e Ilir Metës përmbyll punën dhe propozon në seancë plenare shkarkimin e presidentit me akuzën e shkeljes së Kushtetutës dhe thirrje për dhunë me deklaratat dhe veprimet e bëra në fushatën e 25 prillit.

Presidenti e shpërfilli këtë Komision, që tha se ishte ngritur në shkelje të afateve kushtetuese dhe ligjore për komisionet hetimore, që nuk mund të ngrihen 4 muaj para përfundimit të mandatit të Kuvendit. Gjithsesi, socialistët shkuan përpara me planin e tyre dhe me ndihmën e asaj që quhej si “opozita parlamentare” votoi shkarkimin me 105 vota pro më 9 qershor. Çështja i kaloi Gjykatës Kushtetuese për vendimmarrje përfundimtare, vendimmarrje që pritet që të mbërrijë të paktën brenda muajit shkurt.

Tre ditë pas shkarkimit të Metës, PS mban Kongresin me rastin e 30-vjetorit të themelimit të Partisë Socialiste. Rama përsëriti bindjen se në mandatin e tretë duhej formatuar qëndrimi ndaj opozitës, mediave dhe kritikëve, me premtimin e gatishmërisë për t’i dëgjuar më shumë se në dy mandatet e tjera. Në këtë Kongres, mbërrin vendimi i Gramoz Ruçit për largim nga politika. Rama ishte vënë në dijeni të këtij vendimi.

“Pa këshillat me Gramozin, do kishim humbur për fajin tim disa prej ndeshjeve më të mira, por e di që do të mbetet qytetari im më i besuar deri në ditën time të fundit në detyrë. Merakun e kam në boshllëkun e madh të një eksperience të pashoqe”, deklaroi Rama.

Kjo ishte humbja e parë, ndoshta e vetmja e Edi Ramës në 2021. Vera ishte relativisht e qetë për Qeverinë. Në fund të gushtit, Rama mblodhi në disa takime informale ministrat dhe drejtuesit kryesorë të partisë. Vendimet për qeverinë e re dhe për ndryshimet në hierarkinë e drejtimit të partisë ishin marrë, por vetëm njoftimi në Asamble sqaruan se sa të thella ishin ato.

Erion Braçe u zëvendësua me Arben Ahmetajn në postin e zv.Kryeministrit, Anila Denaj nga Delina Ibrahimaj te financat, Etilda Gjonaj nga Ulsi Manja te drejtësia dhe Frida Krifca në vend të Milva Ekonomit te bujqësia.

Ndryshimet prekën edhe drejtimin e partisë. Taulant Balla largohet nga posti i Sekretarit të Përgjithshëm, që e mbante prej 2017-s, ndërsa transferohet nga Elbasani në Fier si drejtues qarku i partisë. Hatërmbetjet si për ndryshimet në Qeveri, ashtu edhe në parti nuk munguan, por ato edhe këtë herë nuk ishin në nivele shqetësuese për Edi Ramën.

Duke “përfituar” edhe nga sherri i brendshëm në PD, Kryeministri iu rikthye takimeve me qytetarët, ndërsa po shtynte përpara edhe një ligj për bashkëqeverisjen, që opozita akuzoi se i shërben për blerjen e zgjedhjeve, ndërsa Presidenti e ktheu për rishqyrtim për shkelje të Kushtetutës.

Në fillim të tetorit, Rama shpalli gjendjen e emergjencës energjitike, që tha se nuk lidhej me zhvillimet, apo menaxhimin e brendshëm të këtij sektori, por me lëvizjet në tregjet ndërkombëtare dhe rritja e fortë e çmimit të energjisë në to.

Në nëntor, Shqipëria mori një hua prej 650 milionë eurosh përmes daljes me eurobond në tregjet e kapitalit. Rama e cilësoi këtë huamarrje si përforcim i besimit që tregjet e huaja kanë te ekonomia shqiptare dhe performanca fiskale e Qeverisë.

Kur viti, dukej se po mbyllej i qetë në kampin e shumicës dhe me vëmendjen të përqëndruar te Partia Demokratike, shpërtheu skandali i listëpagesave, ku të paktën 700 mijë qytetarëve iu publikuan të dhënat personale, përfshirë këtu edhe niveli i pagave.

Pasi e cilësoi një akt kriminal, të dënueshëm dhe që nuk ishte produkt i një sulmi kibernetik, Rama edhe këtë situatë e ktheu në favorin e tij. Në konferencën e fundvitit para mediave foli për pa anën pozitive, sipas tij, që ka sjellë publikimi i këtyre pagave, që është deklarimi u rrogave fiktive.

Aktet e tjera në lidhje me këtë skandal do të luhen në 2022, që sipas sinjaleve që janë përçuar në fund të këtij viti premton që të paktën nisjen ta ketë sërish një periudhë të qetë qeverisëse të Edi Ramës, si spektator nga distanca i përplasjes së brendshme për kontrollin e PD-së mes Berishës dhe Bashës.

Në politikën e jashtme suksesi i këtij viti është relativ. Sa i takon integrimit, edhe 2021 nuk i hapi formalisht negociatat dhe gjasat janë që as në gjysmën e parë të 2022 kjo të mos ndodhë. Pas fitores, ai mori një ftesë nga Albin Kurti për të vizituar Kosovën. Të dy thanë nga Prishtina se për Ballkanin e Hapur nuk kishin dakordësi, por kanë shumë dakordësi për shumë gjëra të tjera.

Disa marrëveshje u nënshkruan edhe në mbledhjen tradicionale tashmë të dy qeverive, që këtë herë u mbajt në Elbasan.

Këtu, marrëveshjet ishin më konkrete. Mes tyre ishte ajo për ndërtimin e hekurudhës që do të lidhë dy vendet, marrëveshja që hap doganën e Kosovës në portin e Durrësit dhe marrëveshja tjetër për ndërtimin e një Hidrocentrali në Shqipëri, por që do t’i shërbejë Kosovës.

Në politikën rajonale, Edi Rama avancoi përpara me Ballkanin e Hapur, pavarësisht kritikave. Në samitin e fundit të mbajtur në Tiranë me Vuçiç dhe Zaev, Rama nënshkroi pesë marrëveshje në kuadër të Ballkanit të Hapur, që në thelbë lehtësojnë procedurat e lëvizjes së njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitalit mes tre vendeve. Marrëveshjet hyjnë në fuqi nga 1 janari 2022.

Rama priti në Tiranë Angela Merkel, në një vizitë disaorëshe, e fundit si kancelare e Gjermanisë. Mesazhi i përcjellë prej saj ishte pro bashkëpunimit rajonal dhe nismës së Ballkanit të Hapur, nëse në të përfshihen të gjitha vendet e rajonit.

Sukses në politikën e jashtme të Edi Ramës për këtë vit mund të konsiderohen edhe dy vendimet që mbërritën nga përtej Adriatikut. I pari lidhej me konvertimin e patentave shqiptare në italiane, që ishte shndërruar në një pengesë për mijëra emigrantë shqiptarë atje, pas skadimit të marrëveshjes së mëhershme të palës italiane. E dyta ishte avancimi me miratimin në parlamentin italian të fondit për njohjen e kontributeve shoqërore mes dy vendeve.

Ndërkohë, 2021 ishte vendnumëro sa i takon diplomacisë dhe marrëdhënieve me Greqinë, të cilat pas dakordësisë së arritur për t’iu adresuar Hagës për çështjen e detit, duken “të ngrira”, të paktën publikisht.

(Gazeta SI)

Lejuan personin e tretë misterioz në makinën e viktimave të largohej

Masakra në Dobraç/ Gjykata jep vendimin për 4 efektivët e “Shqiponjave”

“E gjithë Shqipëria në Tiranë!”

Berisha njofton protestën e radhës

Ministrja Manastirliu: Më shumë se një thesar fjalësh!

Prezantohet “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”