Shefi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Tedros Adhanom Ghebreyesu, thotë se është optimist se pandemia e koronavirusit do të mposhtet në vitin 2022, me kusht që vendet të punojnë së bashku për të frenuar përhapjen e tij.
Në një deklaratë për pritshmëritë për vitin e ri, ai paralajmëroi marrje të masave kundër “nacionalizmit dhe grumbullimit të vaksinave” vetëm në disa vende.
“Nëse i japim fund pabarazisë, ne i japim fund pandemisë,” shtoi ai. Kreu i OBSH shtoi se pabarazia e vazhdueshme në shpërndarjen e vaksinave po rrit rrezikun e evoluimit të virusit.
Gjithsesi fjalimi i tij kishte nota pozitive duke vënë në dukje se tani ka shumë më tepër mjete për të trajtuar Covid-19. Ghebreyesu vuri në dukje si mangësi normat e ulëta të vaksinimit. Ndërsa shumica e popullsisë në Evropë dhe Shtetet e Bashkuara ka marrë të paktën një dozë, objektivi i OBSH-së për shkallën e plotë të vaksinimit në 40% të çdo vendi deri në fund të vitit 2021 nuk u realizua në pjesën më të madhe të Afrikës.
OBSH ka vendosur një objektiv të ri për vitin 2022: vaksinimin e 70% të njerëzve në të gjitha vendet deri në korrik për t’i dhënë fund pandemisë. Komentet e tij vijnë 2 vjet që kur OBSH u njoftua për herë të parë për rastet e një lloji të panjohur të pneumonie në Kinë.
Rastet globale me Covid tani arrijnë në 287 milionë, ndërsa gati 5.5 milion njerëz kanë humbur jetën. Koronavirusi mbetet pjesë e jetës së përditshme: një sëmundje që ka mbyllur kufijtë, ka ndarë familjet dhe në disa vende e ka bërë të pamendueshme daljen nga shtëpia pa mbajtur maskë.