MENU
klinika

Briken Calja

“Jo kot kampion bote, mirënjohje të gjithëve”

03.01.2022 - 00:28

Briken Calja është padyshim një nga personazhet më të spikatur të vitit 2021 në Shqipëri sa i përket sportit. Shtangisti i talentuar arrit të sillte në vendin tonë për herë të parë medaljen e Kampionit të Botës duke triumfuar në garën që u zhvillua në Tashkent.

Emocione të jashtëzakonshme, të cilat ai i ka treguar në një intervistë për “Sport News” në “News 24”, por edhe pengun që tashmë duhet të kishte më shumë vëmendje ndaj arritjeve të tilla që vijnë rrallëherë në vendin tonë.

Suksesi në Botëror – “Një ndjenjë jashtëzakonisht e veçantë, pavarësisht karrierës dhe triumfeve që unë kam dalë kampion Europe apo edhe medalje të tjera, kjo është një ndjesi realisht e veçantë se titulli kampion Bote është titulli më i lartë që ka ardhur në historinë e sportit shqiptar dhe ndjehem i vlerësuar për karrierën dhe punën që unë kam bërë.

Të them të drejtën nuk është se kjo ka ndryshuar te unë diçka, mbaj rutinën e përditshme. Por janë urimet dhe njerëzit që më bëjnë të ndjehem i vlerësuar për rezultatin”.

Mesazhet për fitoren – “Kam marrë mesazhe të bukura, jashtëzakonisht shumë. Janë të gjitha të bukura në llojin e tyre. Është edhe pjesa e njerëzve të thjeshtë që më kanë bërë urime pa fund e do të doja t’i falënderoja”.

Si e përjetoi familja suksesin – “Normalisht kanë ndjerë jashtëzakonisht shumë emocione. Doja t’i kërkoja ndjesë e normalisht u jam shumë mirënjohës, sepse sportistët që janë profesionistë nuk kanë luksin që të bëjnë një jetë normale, pjesën më të madhe të kohës ia kushtojmë stërvitjes.

Dhe i falënderoj për mbështetjen dhe përkushtimin e tyre se më kanë mbështetur gjatë gjithë kohës. Sporti nuk është vetëm pjesa e triumfeve, është edhe pjesa e vështirë e përditshmërisë. I kam munduar me mospraninë time çdo ditë”.

Mungesa e vëmendjes nga opinioni – “Është për të ardhur keq jo që është Brikeni, por ky është një rezultat për herë të parë në historinë e sportit tonë. Duhet të kishte vëmendje më të madhe. Shumë bukur mund të thoni që jam tërhequr e nuk kam dalë publikisht pas suksesit. Por e kam bërë një njoftim për të qenë korrekt me njerëzit.

Ne shpeshherë akuzohemi me të padrejtë për shkak të dopingut dhe peshëngritjen e kanë bërë si tabelë qitje. Dopingu, dopingu… Brikeni nuk është rastësi që është këtu, Brikeni ka bërë rezultate më të mira në Lojërat Olimpike, ka barazaur rekordin olimpik, ka dalë 3 herë Kampion Europe, nuk është se ishte rastësi titulli Kampion Bote. Por për siguri prita edhe analizat.

Ka ardhur përgjigja përfundimtare dhe të rrini të qetë. Është për të ardhur jashtëzakonisht shumë keq për mediat, e kam në tërësi. Në çdo lloj rasti e zbehin sportistin. Këtu kanë më shumë kohë të merren me Ronaldon dhe Mesin, sikur Ronaldo dhe Mesi të kenë ngel te Shqipëria dhe duan mbështetje nga këtu. Ndaj është vërtet për të ardhur keq”.

Festa pas analizave – “Absolutisht unë jo pa qëllim e bëra njoftimin për të dhënë garanci. Nuk desha të shfrytëzoja momentin, por të jepja garanci që peshëngritja nuk është ajo që mendohet. Se në 2018 kam marr tre medalje ari, Kampion Europe si askush më parë. Në 2018 dola Kampion Europe dhe pastaj i treti në Botëror.

Mora medalje siç nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë. Këtë vit kam marrë dy argjendi e një bronzi në Europianin e Moskës ku nuk kisha formë se isha i sëmurë tri ditë para dhe ishte e pamundur që të jepja provën time më të mirë. Janë garat olimpike që siç e thashë, kam barazuar rekordin olimpik dhe mora vendin e katërt.

Janë shumë histori e nuk mund të thuash që i kam marrë sot. Nuk vija rastësisht këtu, ndaj e bëra këtë postim për garanci e qetësi që të mos e mendojnë më këtë pjesë se nëse e kanë bërë të tjerët faktikisht, e kanë tejkaluar shumë masën me dopingu, dopingu, dopingu…”, tha ndër të tjera Calja.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Për arritjet historike në Botëror

Edi Rama uron kampionin e botës, Briken Calja


Devid Bekam e dëshiron si trajner të Mesit

Silvinjo shfaqet në radarët e Inter Majemit