MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Sherri për selinë dhe magjia e numrit 44

07.01.2022 - 20:32

Nga Mentor Nazarko

Ka tre rrafshe kryesore, që mund të shihet ajo që pritet të ndodhë sot, në oborrin e PD-së, dhe të zerë fill prej oborrit: rrafshi politik, rrafshi policor apo destabilizues dhe ai juridik për të cilin flitet pak. Le t’ i marrim me radhë.

Rrafshi politik. Shpallja non grata e Berishës prej SHBA-ve, ka nxitur një proces gjallërimi: premtimet për role publike për mbështetësit nga Basha dhe Berisha, diçka normale në karrierë, qejfmbetjet, vendet e kufizuara për role drejtuese, dhe gara për to, kanë krijuar energji të re. E gjitha kjo ndodh megjithatë me një fatalitet. Megjithëse opozita për të ardhur në pushtet ka nevojë për ndihmën e Perëndimit, përkatësisht SHBA-ve, po bëhet luftë midis një non grata jo publik si Basha (deri para disa muajsh), pas vendimeve për djegien e mandateve dhe kërcënimin për të shkatërruar zgjedhjet lokale, tek  Berisha, një non grata i shpallur publikisht. Basha nuk nismoi mjerisht një procesi demokratizimi duke shfrytëzuar ztë paktën momentin  e fillimit të foltores për hapjen e partisë. Pjesa tragji-komike e kësaj stafete nga baba tek biri dhe nga biri tek baba, është se papritmas Berisha po shfaqet në historinë moderne të Shqipërisë si bartësi solist i të mirave dhe të këqijave që i vijnë këtij vendi, në 1990; në 1997;1998; 2005;.2013; 2021. Ky protagonizëm i sotëm mund të zbavitë kronikanët politikë të gostitur me kafe në oborrin e PD-së, por brezi i mesëm mban mend dhe ngjarjet e tjera të solistit. Mjerisht e djathta në këtë vend nuk ka dëshmuar aftësi për të gjeneruar figura të reja. Dhe stafeta pas garës me kuvende, me referendume, me rreshtime degësh, etj dorëzohet me hir a pahir, – me një akt force, pushtim selie. Berisha si takticien i zoti, e kupton që ky akt  duhet të kryhet sa më shpejt për të përmbyllur këtë proces fuqizimi, që rezonon së brendshmi, por dhe së jashtmi kundrejt amerikanëve më së shumti. Ky akt force është një luftë tipike për pushtet midis dy grupeve ekonomiko- politikë që deri disa muaj më parë punonin bashkë: grupi i Bashës që ka arritur të krijojë e të kontrollojë megjithatë një fetë të rëndësishme deputetësh, dhe biznesi jo thjesht politik, dhe ai i Berishës që kontrollon si duket interesa ekonomike, vota, dhe media.

Rrafshi policor dhe destabilizues. Në këtë luftë të egër, që nesër mund të jetë dhe fizike, Basha po përpiqet që përballë mexhlisit të tregojë një fytyrë jo elegante të Berishës. Për këtë arsye ka vendosur kufizimet e hyrjes së lirë brenda në seli që të detyrojë pjesën e dhunshme të grupit të Berishës që të shpërfaqet. Është përpjekur të paralizojë nervin agresiv të mbështetësve duke  denoncuar individë të fuqishëm, që të vërë në lëvizje edhe policinë ndaj tyre.  Por policia me gjasë pritet të thirret, dhe sot. Koha derisa me mjete teknike paqësore – si tha Berisha- të hapen dyert është një kohë e mjaftueshme që policia të ndërhyjë për të parandaluar dhunimin e godinës. Berisha e di fare mirë grackën qe Basha po i ngre ndaj dje u shfaq i relaksuar, duke u përpjekur ta zbusë imazhin e tij me kafe për kronikanët e rinj dhe referenca të letërsisë klasike, por kjo nuk do të thotë se nesër do shfaqen pekulet për Bashën. Mirpo nëse ndodhin akte të forta dhune fizike, e gjitha mund të destabilizojë situatën: për këtë arsye, SHBA-të ngjajnë të shqetësuar. Në Shqipëri ndodhin përplasje të dhunshme për seli partiake; në Mal të Zi për diçka tjetër; në Bosnjë për të rritur pavarësinë e Republika Srpska, në Serbi kundër Vuçiçit, për një minierë, etj, etj. Kjo ndezje e njëkohshme e Ballkanit, nuk është arsye për qetësi, dhe si për koincidencë, në Shqipëri, si vlerësim për kombin, vendoset komanda e shtabit të operacioneve speciale….Shpallet përshkallëzim sanksionesh, dhe priten të reja.

Rrafshi juridik. Ka një rrafsh të tretë që po injorohet. Kushtetuta i ka dhënë hapësirë partive politike për zhvillimin e veprimtarive të tyre si të duan, sepse kemi të bëjmë me një të drejtë themelore.  Ligji i partive politike rregullon deri diku jetën e tyre, dhe diku thotë se për ndryshimet që bëhen në jetën e partive vlejnë dispozitat për regjistrimin e një subjekti të ri. Ka një regjistër  të jetës së partive në gjykatë, dhe gjykata do të duhet të vendosë për këtë konflikt mbi kuadrin normativ ekzistues dhe mbi bazën e akteve që kanë ndërmarrë të dy palët. Duhet të mbështetet mbi precedentin e sfidës së Gaqo Apostolit (asokohe mbështetur nga Berisha) përballë Gjinushit, që fitoi megjithatë. Apo i duhet të shijojë një gotë verë të sfidimit të Bashës nga grupi i Berishës, apo të shqyrtojë krejt fuçinë-procesin ku bie në sy një mungesë fantazie në numra. Njëlloj magjie dhe dashurim me numrin katër sipas një skenari shvejkian: Berisha ka lindur në 1944; 4400 delegatë votuan për shkarkimin e Bashës dhe 44.000 anëtarë votuan për ndryshimin e tij.. Përmbaruesi gjyqësor duhet të vihet në lëvizje prej një vendimi të formës së prerë, në apel dhe  mund të ndodhë që ai t’i thotë Bashës- liro selinë, apo dhe Berishës- tërhiqu. Sot mund të shohim se Berisha si rëndom në histori kur ka treguar se nuk i njeh institucionet, nuk po pret që të veprojë gjykata, por Berisha po bën vetë përmbaruesin. Një ish president dhe kryeministër kishte rastin që në këtë fazë të jetës së vet, të tregonte një tjetër fytyrë, ndonëse halli që ka, i imponon ngut. Duhet ta lavdërojmë për veprën individuale madhore që po kryen me përplasjen me SHBA-të, por ata që e ndjekin, duhet të mendojnë thellë. Pse kjo preferencë për numrin 44? Apo pse Shqipëria u çlirua në 1944? Mos vallë dhe Selia do të çlirohet nga 44 vetë?