MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Numrat Doktor, numrat…

09.01.2022 - 15:19

Në dhjetorin e vitit 2018, nja njëzet mijë studentë e nxënës shkollash, megjithë prindërit e tyre, mbushën rrugën e Durrësit në protesta disaditore me kërkesa kryesisht ekonomike. Ajo lëvizje, ku nuk u thye asnjë xham, por ku pati pjesëmarrje masive, aq sa u mbush e gjithë Rruga e Durrësit, provokoi largimin e tetë anëtarëve të qeverisë Rama. Ishte rasti klasik kur një presion “i butë“ i prodhuar nga masiviteti, e jo nga shashkat, gurët apo heshtat, prodhoi një përmbysje qeveritare të paprecedentë në dekadën e fundit.

Ajo ngjarje ka hyrë në fjalorin politik të tranzicionit shqiptar si një dukuri e rrallë dhe nga shumë anë e papërsëritshme. Arsyeja ka qenë një dhe vetëm një: protestat i kanë thirrur dhe më pas i kanë përdorur partitë politike, duke organizuar transportin, pagesat dhe madje edhe ushqimin e atyre që kanë sjellë nga rrethet. Për këtë arsye kemi pasur protesta për motive kryesisht politike, të vogla, agresive dhe të dominuara nga militantët e jo nga qytetarët.

Kjo e Sali Berishës në oborrin e Partisë Demokratike, ishte antipodi më i largët i imagjinueshëm, me protestën studentore që shkundi realisht nga themelet Edi Ramën. Ishte pikërisht gjithçka që s’duhet të jetë një protestë që aspiron të arrijë diçka pozitive. Edhe për ata që e organizojnë.

Protestat e dhunshme si ajo e djeshmja, janë gjithnmonë protesta të vogla në numër. Janë grumbullime militantësh fanatikë, e jo manifestime të një konsensusi të gjerë qytetar. Një protestë agresive ka të gjitha gjasat të krijojë tension në një territor të ngushtë, të provokojë frikë dhe terror tek ata që e shohin ose e pësojnë, e të fashitet më pas duke dëmtuar edhe vetë ata që e krijuan.

Këtë mëson tranzicioni shqiptar 30 vjeçar, ku azapët e jeniçerët që kanë sulmuar mure, dritare, zyra, institucione dhe kane thyer e djegur, më pas janë zbythur duke lënë pas zhgënjimin e pjesëmarrësve dhe përbuzjen e pjesës tjetër të shoqërisë.

E tillë ishte protesta e Sali Berishës. Një politikani që të vetmin ritual dhe markë dalluese ka dhunën. Na ktheu edhe të shtunën për pak orë në vitet ’90, në atë dekadë ku mbretëroi dhunshëm përmes burgosjes së gazetarëve e djegies së redaksive, përmes futjes në burg të kundërshtarit kryesor sapo u ngjit në fronin e pushtetit, dhe ku la pas një bisht tragjik vdekjesh e krizash të thella në ditën që la Presidencën.

Vetëm se këtë radhë, një detaj esencial e la në baltë Doktorin. Një detaj që s’e kishte imagjinuar kurrë vendosi në fakt, ende pa nisur, fatin e Vaterlosë së tij në dyert e partisë që drejtoi për 22 vjet. Ishin numrat e vegjël të pjesëmarrësve në protestë ato që e vulosën vetë fatin e protestës.

Berisha dhe i gjithë shtabi i tij politiko-mediatik u kujdesën që ta përgatisin javë më parë opinionin publik shqiptar se në tetë janar do të ishte dita kur do të formalizohej me “një lum njerëzor” largimi i paapelueshëm nga zyra i Lulzim Bashës. I vendosnin këtij akti një aureolë gazi e hareje, talljesh banale nga ato që gjen vetëm në Tik-Tok, e paraqisnin si punë të mbaruar marrjen e selisë së partisë, duke paracaktuar edhe fatin e këtij apo atij zyrtari që do të gjenin në zyrë. Talleshin e kënaqeshin duke dëgjuar vetveten, më shumë sesa duke parë realitetin në sy e duke bërë llogari me mendje të ftohtë.

Në 20 dhjetor të vitit të shkuar Berisha organizoi një protestë në dyert e Kryeministrisë kundër takimit të “Open Balkan“ mes liderëve ballkanikë. Vetëm dhjetë ditë pas kongresit-miting në Air Albania dhe dy ditë pas referendumit “më 44 mijë vota për largimin e Bashës“, Sali Berisha ishte i pari që u habit e u mpak nga numri i vogël i pjesëmarrësve. “E organizuam me nxitim dhe në pak orë“, ishte justifikimi i Foltorasve.

Në fakt paska qenë paradhoma e 8 janarit, ditës kur rreth një mijë veta rezultuan shumë të paktë për të larguar nga selia jo Lulzim Bashën, por madje edhe Gaz Bardhin, me të cilin janë tallur e ironizuar banalisht ata që erdhën me matrapik e shkallë bojaxhinjsh në krahë. Numrat lanë në baltë ende pa nisur fushatën e Sali Berishës për të rimarrë Partinë Demokratike. Numrat janë “kleçka“ që askush brenda Foltores nuk e kishte vënë re, sepse e kishte autosugjestionuar veten se kishte pas shpine gjithë Shqipërinë, e ndoshta edhe Kosovën e Maqedoninë e Veriut.

Foltorja ra nga pesha e madhe e pritshmërisë që krijoi. Ra nga flluska që fryu për javë të tëra, duke premtuar përmbysje, ndërkohë që s’kishte ushtarë as për të larguar nga puna rojen e parkingut të PD. I cili u dorëhoq pas shumë vitesh shërbimi në atë seli, mesa duket për të mos parë gropën e zezë ku e katandisën partinë ata që deri dje i dinte për tribunë e heronj. Nuk është i vetmi i zhgënjyer këto orë fatkeqësisht.