MENU
klinika

Mustafa Nano

Ky është portreti që i kam bërë Robert Ndrenikës

10.01.2022 - 21:17

          Një ditë prej ditësh, shumë kohë më parë, në vit të parë a të dytë të shkollës së mesme, një miku im më bën një pyetje të papritur: “Çfarë është një gjë që nuk e ke e do të doje ta kishe?” Unë, pa e menduar fare, aty për aty, iu përgjigja: “Emri Robert.” Kapa në befasi edhe veten me këtë përgjigje. Emrin Robert nuk e kisha çuar ndonjëherë në mendje. Ishte herë e para që e mendova. Madje, as që e mendova. Thjesht e thashë. “Ec aty, Robert Ndrenika!”, ia bëri miku im. Dhe unë u ftillova që e gjitha kjo duhej të ishte një trill i subkoshiencës. Ndrenika ishte i vetmi Robert i rëndësishëm që njihja. Ishte aktori im i preferuar. Duhet të ketë qenë viti 1975 ose ’976, dhe ndërkohë kisha parë filmat: “Horizonte të hapura”, “Kapedani”, “Rrugë të bardha”, dhe “Shtigje lufte”. Ai nuk kishte ende zulmën e do aktorëve të tjerë, madje në asnjë rol nuk kishte qenë protagonist, por për mua ishte shumë i dashur. Dhe mua sot më vjen mirë që “e kam pasur xhan” në një kohë kur të tjerët nuk e kishin vënë re, apo nuk e kishin evidentuar ende madhështinë e tij.

Prej asaj kohe, për një “hakmarrje”, unë nuk i kam thirrur në emër asnjë Roberti. Apo nuk kam njohur ndonjë Robert? Ndoshta. Por sidoqoftë, as Robert Ndrenikës nuk i thërras në emër. I thërras në mbiemër. Siç bëjnë të shumtit që e njohin, në fakt. Unë do të isha zemëruar nëse do të quhesha Robert e të tjerët nuk do të më thërrisnin në emër, por Ndrenika nuk e bën për hall. Ndoshta ngaqë mendon se edhe “Ndrenika” nuk ka të sharë. Dhe ashtu duket. Ndrenika ka një tingëllim të mirë. Ka një fillim të vrazhdë, NDR, por në fund zbutet e bëhet lozonjar. “Dhe duhet thënë që i shkon ky mbiemër,” më bëhet të them, ndonëse e di se ky fiksimi mbi përputhshmërinë e personit me emrin a llagapin është një gënjim fëminor. Ne mësohemi me emrin e dikujt, dhe këtë e quajmë përputhshmëri. Kaq e thjeshtë është. Kjo është arsyeja që edhe mua më thonë shumë vetë: “Sa të shkon emri Mustafa!” Edhe Ndrenikës do t’i shkonte emri Mustafa, sikur ky emër të kishte qenë i tij prej fillimit. Mustafa Ndrenika. Dhe njerëzit do ta thërrisnin Muç Ndrenika.

Por po i lë këto spekulime retorike e antroponimike, dhe po hyj drejt e në thela. Unë jam i kënaqur që kam pasur mundësinë ta njoh Robert Ndrenikën. Këtë kënaqësi ma kanë dhënë edhe do persona të tjerë, të cilët më herët, që fëmijë, i kam njohur thjesht si personazhe, por me Robertin ka qenë ndryshe, pasi unë kam qenë e kam mbetur një fan i tij. Unë e admiroj atë për çfarë ka bërë si aktor. Çfarëdo që të bëjë Ndrenika në teatër, për mua është punë e paqme. Ai mund të ngjitet në skenë edhe për të recituar një nga fjalimet e Myslim Murrizit në parlament, e për mua do të ishte qejf ta dëgjoja. Sepse mua më mjafton ta shoh të flasë a të recitojë. Madje, në këtë pikë po ju them një sekret, që s’ia kam thënë as atij. Personazhi Ndrenika nuk më lë të mësohem me personin Robert. Edhe në një drekë a darkë po të jem me të, mjaft t’i dëgjoj zërin, dhe e gjitha më bëhet si një déjà vu, më bëhet sikur nuk jam në restorant. Përkundrazi, më bëhet sikur jam në shfaqje. Me sa duket, nuk mund ta shoh ndryshe, veçse si një aktor. Dhe meqë jam në këtë pikë, po ju bëj të njiheni me një paradoks të fortë. Me një ngjarje paradoksale.

Para njërës prej shfaqjeve të mia me titullin ngacmues “Nuk ka kurva në këtë botë”, teksa unë prisja sinjalin për të filluar, erdhi tekniku i skenës për të tërhequr perden. “Në sallë është Robert Ndrenika. Është në rreshtin e parë, në anën e djathtë,” më tha, dhe dukej që ishte i shastisur. Sikur në sallë të kishte parë ndonjë alien apo zombi, do të ishte më pak i shastisur.

Unë e dija që Ndrenika do të ishte në sallë. E megjithatë, kur u hap perdja, hodha sytë në rreshtin e parë, në të djathtë. Ishte shí në ndenjësen e fundit të rreshtit të parë. Do të duhej të ishte në qendër, diku në rreshtin e tretë a të katërt, atje ku rëndom rrinë të ftuarit e rëndësishëm, por ai vetë nuk di pse kishte parapëlqyer të rrinte mënjanë. Mbaj mend që gjatë gjithë shfaqjes, hidhja sytë herë pas here nga ai, në përpjekje për të hetuar me kujdes reagimin e tij. Nëse do të jepte shenja padurimi e mërzie, kjo do të thoshte se unë nuk kisha qullosur gjë. Në të kundërt, nëse do të ishte i përqendruar e me shikimin e mbërthyer në skenë, kjo gjë do të ishte për mua një si euangelion. Ishte ky euangelion që më interesonte. Të qeshurat e sallës, që atë natë nuk e di pse ishin më të shumta se çdo natë tjetër, nuk më ngrohnin aq sa më ngrohte ai përqendrim i Robert Ndrenikës.

Në fund, shkova t’i jepja dorën. Ai më bëri një kompliment, që më ngazëlleu pa masë. Unë nuk jam njeri i skenës, nuk e kam zanat aktrimin, dhe afërmendsh që për një njeri si unë nuk mund të ketë ngazëllim më të madh sesa të mbyllë një shfaqje që zgjat 90 minuta e në fund të shohë në këmbë një magjistar të skenës që duartroket bashkë me të tjerët. Të ngjan me një rreng që po ta punon dikush. Dhe ti vetvetiu nuk arrin të gëzohesh deri në fund. Një copë herë mbetesh dyshues. E harron Ndrenikën dhe fillon e hedh sytë nëpër sallë për të gjetur një shenjë që do të konfirmonte frikën tënde se e gjitha ishte një rreng. Dhe do të gëzoheshe. Ngaqë kështu e gjitha do të merrte kuptim. Se ja, ma thoni ju, ç’dreq kuptimi ka të shohësh Bert Ndrenikën në sallë që duartroket Muç Nanon në skenë? Duket sikur je në një botë të kthyer përmbys, ku sheh minj që studiojnë në Harvard, Zotin që i lutet Elvis Naçit, etj.

Ky mendim që kam për Robert Ndrenikën më bën të shqetësohem kur shoh ndonjë që nuk e respekton aq sa duhet. Kjo nuk ndodh asnjëherë, ç’është e vërteta. Por njëherë ka ndodhur, ta hajë dreqi, ta hajë. Dhe personi që e fyeu ishte Edi Rama. Nuk e fyeu siç fyen të tjerët, duke i hedhur ndonjë romuz apo duke i bërë ndonjë gjest përbuzës. Jo, jo, deri këtu nuk mund të shkonte. Ai e fyeu duke mos e vënë re në një konferencë për shtypin që ai e mbajti në Kryeministri për të informuar publikun mbi projektin e ri të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, të bërë nga një skandinav. Ishte kryeministri që e mbrojti projektin. Rast i rrallë ky, apo jo? Nuk është parë ndonjëherë ndonjë kryeministër që të mbrojë projektin e një ndërtese. Shumë ndërtesa lidhen me emra perandorësh, mbretërish, burrash shteti (Napoleonit, fjala vjen, i mvishen shumë harqe, monumente, ura, shatërvanë e rrugë të gjera të Parisit), dhe ai kërkon të hyjë në histori si këta. Madje edhe duke i tejkaluar këta. Duke prezantuar edhe projektet, për shembull. Dhe kështu i mblodhi të gjithë në Kryeministri për t’u treguar mrekullinë që do të ndërtonte, për të cilën deri në atë moment nuk dinte asgjë askush. Bën vaki, që edhe “Napoleoni i Tiranës” nuk ka ditur gjë deri në atë moment. Dhe Ndrenika shkoi atje për të marrë vesh se ç’do ndodhte me atë ndërtesë, me të cilën ai ka lidhur jetën e tij. Mirëpo, nuk mori vesh gjë. U ngrit në fund ta takonte “të zotin e shtëpisë”, por ai, me të thënë ç’kishte për të thënë (në fakt, me të parë Ndrenikën që u ngrit), u kthye dhe iku fluturimthi. U zhduk. Humbi. Dhe Ndrenika mbeti vetëm, si i shpërfillur, në sy të të gjithëve. Më ligsht nuk duhet ta ketë parë veten.

Duhet të ketë qenë edhe kjo rrethanë që e mbushi me zemërim më pas, e që e bëri të merrte një rol që nuk e kishte marrë kurrë, atë të protagonistit të jetës publike e të tribunit popullor. U bashkua me të tjerët për t’i dalë zot asaj ndërtese. Një ditë më bëri edhe mua një telefonatë. “Dua të më firmosësh një peticion në mbrojtje të ndërtesës së Teatrit Kombëtar,” më tha. “Nuk më ke për këtë punë,” i thashë. “Po pse, more Muçi?” “Për dy arsye: së pari ngaqë kam vendosur të mos nënshkruaj më peticione kolektive, dhe së dyti ngaqë unë do të doja që ajo ndërtesë të prishej e në vend të saj të ndërtohej një teatër i bukur.” Nuk i erdhi mirë. Por më pas, ca në presionin e Leka Bungos e miqve të tjerë, ca ngaqë edhe vetë nuk duhet të ketë marrë pjesë 100% i bindur në atë betejë, ca ngaqë duhet të ketë kuptuar se po e përdornin, u tërhoq.

Dhe bëri mirë. Atij nuk i kishte hije ajo betejë. Atij nuk i ka hije asgjë tjetër, veçse të luajë në skenë. E prandaj, ai nuk ka kuptim të bëjë gjëra të tjera. Duhet ndaluar të bëjë gjëra të tjera. Ndoshta edhe me ligj. Duhet bërë një ligj, ku të thuhet: “Robert Ndrenikës i ndalohet të bëjë gjëra që nuk kanë lidhje me aktrimin. Dënohet me gjoba të rënda kushdo që e shtrëngon të bëjë gjëra të tilla. Ai është aktor. Më saktë: Ai është aktori.”