MENU
klinika

Mero Baze

Një video që tregon përse i duhet pushteti familjes së Berishës

12.01.2022 - 19:52

Një video e shpërndarë nga Sali Berisha në faqen e tij, tregon dhëndrin e Sali Berishës që filmon disa protestues të dëshpëruar pas mbarimit të protestës së 8 janarit, të shpërndarë buzë Lanës dhe të trullosur nga gazi lotësjellës i policisë.

Nëse ka një gjë që të bën përshtypje të thellë në këtë video, është se shqetësimi kryesor i dhëndrit të Sali Berishës janë lekët. Në gjithë “revoltën” e tij me Lulzim Bashën, nuk përmendet as miqësia që kanë pasur, as tradhtia, as besëprererja, por nga fillimi në fund flitet për lekë.

“Ai do të fitojë lekë”, “do të marrë lekë”, “po merr lekë me strajce nga porti”, lekë, lekë, lekë….

Aty në fakt kishte njerëz të dëmtuar, të trullosur dhe të dëshpëruar që duheshin ndihmuar. Përkundër kësaj, dhëndri i tij i trajton ata si skllevër që e kanë për detyrë të vdesin për vjehrrin e tij, që pastaj ky të qetësohet dhe të bëj lekë.

Mungesa e çdo ndjenje humanizmi për ata të shkretët e përdorur në protestë, mungesa e ndihmës së parë, mungesa e vlerësimit dhe qoftë dhe ngushëllimit për betejën e humbur, duhet të ishin gjestet e para të tij.

Por në fakt asgjë e tillë nuk shikohet. Mes ushtrisë së shpartalluar të 8 janarit, dhëndri i Sali Berishës ecën i xhindosur jo se ata janë rrahur apo vrarë, por se Lulzim Basha tani do bëj lekë. D.m.th në mendjen e tij (aq mend sa ka), ka vend vetëm për lekët.

Kjo në një farë mënyre tregon se si e kanë pas konceptuar pushtetin familja e Berishës dhe përse iu duhet pushteti.

Nëse Basha nuk do ta “priste në besë” më 9 shtator Sali Berishën, këto që thotë dhëndri për Bashën do ishin për Ramën, por përsëri në mendjen e tyre do ishin lekët.

Makthi i tyre buron nga kuptimi që ata kanë për jetën dhe pushtetin. Ata pushtetin e kishin një periudhë të artë, që bëne miliona dhe tani çdo ditë që kalojnë në opozitë, numërojnë me mendje milionat që kishin ndërmend të merrnin dhe përfytyrojnë si po i marrin armiqtë e tyre.

Në këtë rast krye-armiku është Lulzim Basha. Shikoni videon se si flitet vetëm për lekë, lekë, lekë, lekë… Ja përse u duhet pushteti Berishëve. Të qetësohen familjarët e tij që lekët nuk po i marrin armiqtë e tyre, por ata.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN