MENU
klinika

Detajet

Mbi gjysmë ton kokainë në Malin e Zi, kur mbërriti dhe si u zbulua

13.01.2022 - 10:23

Më shumë se gjysmë ton kokainë në një ngarkesë me banane të destinuara për kompaninë “Voli” është kapur dy ditë më parë nga doganierët në Portin e Tivarit. Së fundmi mediat malazeze kanë zbardhur detaje të reja lidhur me këtë ngarkesë të madhe kokaine.

Raportohet se me urdhër të autoriteteve kokaina është lënë që të dërgohet në destinacion pa u lëvizur. Kështu ngarkesa me banane mbërriti në një magazinë, por punonjësit e kësaj magazine sapo kanë konstatuar lëndën narkotike kanë njoftuar policinë.

Kompania “Voli” nuk iu përgjigj pyetjeve për kokainën e gjetur, kontaktuar nga mediat malazeze. Lidhur me këtë aksion policia e Malit të Zi nuk ka bërë asnjë arrestim.

Sipas “Vijesti”, ngarkesa me banane ka lundruar në portin e Tivarit më 2 janar. Ky kontingjent është porositur përmes firmës së një shtetasi malazez, i cili prej vitesh jeton dhe merret me biznes në Slloveni. Dërgesa nuk ishte planifikuar për inspektim dhe ringarkimi deri më 11 janar.

Jo zyrtarisht, disa burime të përfshira në hetim thanë se punëtorët e kompanisë “Voli”, teksa po ngarkonin bananet në magazinë, kanë zbuluar edhe pakot me kokainë dhe më pas njoftuan policinë.

Drejtoria e Policisë nuk ka sqaruar se kur kanë marrë vesh për dërgesën e dyshimtë, apo nëse kanë pritur që dikush t’i shpërndajë më tej nga magazina e zinxhirit të shitjes me pakicë.

Mbrëmë vonë, nga sektori i sigurisë bënë të ditur se në pakot e gjetura në magazinë kishte më shumë se gjysmë ton kokainë.

Në këto pako janë shkruar “SRB” dhe “RSB”.

Dogana në Portin e Tivarit nuk ka menaxher që nga 1 janari, për shkak se statusi i ushtruesit të detyrës Zhelko Ivanoviq ka skaduar më 31 dhjetor, kur në atë pozitë ishte emëruar nga Aleksandar Damjanoviq. . Përgjegjësja për emërimet Milena Petriçeviq nuk ia zgjati statusin Ivanoviqit.

Ndërkohë në këtë ngarkesë është përfshirë edhe politika ku deputeti Marko Milaçiq ka kërkuar që të arrestohet pronari i kompanisë “Voli”, Dragan Bokan. Nga ana tjetër Fronti Demokratik u bëri thirrje autoriteteve që të shpërblejnë magazinierët e kompanisë “Voli”.

Droga e gjetur dje nuk është e para që zbulohet në një ngarkesë me banane të destinuara për kompaninë “Voli” pasi në qershor 2018, një kontenier me rreth 30 kilogramë kokainë u kap në një anije nga Ekuadori.

Bananet zakonisht ngarkohen në portin e Guayaquil dhe “Maersk” është një kompani transporti që i transporton ato nëpër botë.