MENU
klinika

Tenisti rrezikon Australian Open

Qeveria australiane i pezullon lejen sërish Djokovic

14.01.2022 - 12:09

Nis “serial” tjetër me Novak Djokovic. Qeveria australiane ka pezulluar sërish lejen e qëndrimit për tenistin serb, i cili duhet të lërë Australinë. Për pasojë, numri 1 në botë për meshkuj dhe kampioni në fuqi i Australian Open rrezikon të mos luajë në grand slam që nis pas tri ditësh në Melbourne (17 janar).

Kjo është hera e dytë që qeveria pezullon brenda pak ditësh vizën e tenistit serb (hera e parë pas mbërritjes në Melburn). Vendimi është marrë nga Ministria e Emigrimit (Ministri Alex Hawke), me motivacion “për motive shëndetësore dhe interesin e publikut”.

“Kam shqyrtuar me kujdes informacionet e dhëna nga z.Novak Djokovic në kufi dhe nga departamenti i kufirit të ‘Australian Border Force’ pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Qeveria është e vendosur të mbrojë kufijtë e Australisë, në veçanti nga pandemia, – thuhet ndër të tjera në deklaratë.

Djokovic nuk ka kryer vaksinën, e detyrueshme për të hyrë në Australi dhe për të luajtur në eventet sportive që zhvillohen në këtë shtet. Ai deklaroi se kishte kaluar koronavirusin, por disa probleme me dokumentacionin kanë bërë që serbi të mos lejohet të qëndrojë në Australi.

Jo vetëm kaq, por ai ka shkelur rregullat e karantinës. Djokovic ka apeluar këtë vendim sërish pranë gjykatës së Melbourne, ashtu sikurse pati bërë herën e parë, ku fitoi të drejtën për të hyrë në Australi. Herën e parë (më 5 janar, kur mbërriti në Australi), ai u mbajt i izoluar për 4 ditë në një hotel për emigrantë.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN