Prej ditës së djeshme, lëvizja në Kakavijë ka vijuar me probleme. Natën e kaluar u bllokua qarkullimi për shkak të një defekti në sistem nga pala greke që bënte të pamundur kontrollin e shtetasve shqiptarë.
Fillimisht u raportua se problemi u zgjidh, por sot Policia greke në Kakavijë ka njoftuar sërish bllokimin e qarkullimit në këtë pikë doganore deri në orën 13:30, kohë kur pritet të përfundojë rregullimi i sistemit.
Mbrëmjen e kaluar mund të kalonin vetëm shtetasit e BE dhe amerikanë pasi nuk kanë nevojë për kontroll në sistem. Kaluan gjithashtu edhe shtetasit shqiptarë me kombësi greke, ndërsa ata me pasaportë shqiptare jo me justifikimin se nuk mund të kontrolloheshin në sistem.
Qindra shqiptarë me familje kanë qëndruar për rreth 3 orë dje në radhën që shkonte në mbi 2 kilometër.
Ndërkohë raportohet se i njëjti problem është shfaqur edhe në pikën kufitare të Kapshticës nga pala greke mbrëmjen e kaluar. Nga Korça, gazetarja Lorena Kodra raportoi për “BalkanWeb” se emigrantët kanë hasur vështirësi dhe radhë automjetesh për shkak të prishjes së sistemit nga pala greke.
Në orën 20:00 ka nisur qarkullimi për të gjitha kategoritë e emigrantëve që hyjnë në Shqiperi ndërsa për ata që shkonin në Greqi ka qenë një situatë e ndërlikuar. Autobusë dhe automjete të vogla janë kthyer pasi kanë pritur orë të tëra në doganën e Kapshticës. Informacioni i vetëm që emigrantëve iu kanë dhënë ka qenë ai i prishjes së sistemit kompjuterik.
Këto probleme vijnë pak ditë pasi shteti shqiptar shpalli “non grata” 52 persona nga Greqia që hodhën parulla nacionaliste e antishqiptare në Bularat gjatë varrimit të ekstremistit grek Konstandinos Kacifas, i cili u vra pas sulmit mbi policinë shqiptare më 28 tetor.
Për shkak të replikave në distancë mes Athinës e Tiranës emigrantët shqiptarë në Greqi janë në panik dhe i tremben një hakmarrje nga shteti grek.