MENU
klinika

“Një skenë teatri absurd në Kuvendin e Shqipërisë”

Artan Fuga: Pritet një betejë politike brenda vëllezërve “ujq”!

18.01.2022 - 12:36

Seanca e djeshme, e datës 17 janar 2022 e Kuvendit të Shqipërisë ka qenë nga më të çuditshmet në këta tridhjet vjet! I ngjante një teatri absurd.Një parti përjashton nga grupi i vet parlamentar disa deputetë, të cilët nga ana e tyre kanë përjashtuar nga partia ish kryetarin e tyre, por që megjithatë nuk pranojnë të ndahen prej grupit parlamentar që ai kontrollon!

Jonesco do ta kishte pasur zili këtë skenë sa absurde aq edhe shpërqendruese dhe zhgënjyese për elektoratin e asaj ane. Një eklektizëm politik që nuk mund të shpjegohet ndryshe veçse me atë që koha nuk i ka lejuar të reflektojnë gjatë. Deputetët që përkrahin lëvizjen e Foltores dhe janë pjesë e aksionit të Rithemelimit të Partisë demokratike kanë marrë pjesë në votime dhe kanë udhëhequr aktin politik të përjashtimit të Lulzim Bashës si kryetar partie. Madje janë përleshur sigurisht si “oficerë” dhe jo si ushtarë, këmbësorë apo kalorës, me pjesën tjetër të deputetëve të grupit parlamentar të PD.

Kurse si deputetë kërkojnë të qëndrojnë brenda atij grupi. Kryejnë përjashtime politike, zhvillojnë beteja të dhunshme midis palëve, kurse si deputetë “ankohen” se përse nuk i lejojnë të jenë bashkë! Çdo mendje e qetë e kujtdo që voton Partinë Demokratike do të jetë habitur gjithsesi! Si është e mundur që këta deputetë “ankohen” që nuk qëndrojnë dot më në të njëjtin grup me z. Lulzim Basha, ndërkohë që e kanë shkarkuar atë nga të gjitha funksionet politike. Ne e kemi shkarkuar ! – deklarojnë. Po mirë atëherë si është e mundur që nuk e pranojnë si partner politik, si kryetar politik, por e pranojnë si deputet i të njëjtit grup parlamentar. E quajnë deputeti i partisë demokratike Basha!!! Një logjikë e thjeshtë formale e tipit aristotelian do të kishte mbetur e habitur para kësaj ngjarjeje!

Kuptohet që me atë përjashtim z. Lulzim Basha i dha fund njëherë e mirë çdo shprese për ta drejtuar procesin e demokratizimit të partisë demokratike. Ajo është dhe do të mbetet një parti e tipit stalinist që i përjashton kundërshtarët e vijës së kryetarit! Le të thonë çfarë të duan propagandistët, historia është mbyllur.

Ndërkaq deputetët që përkrahin lëvizjen e Foltores në vend që të vazhdonin me koherencë qëndrimin e tyre politik, nuk dihet se për çfarë llogarish që bëjnë, shfaqin çudira. Pra, elektorati i partisë demokratike në vazhdimësi të ngjarjeve politike do të ketë pritur që ky grup sado i vogël të kishte përjashtuar Lulzim Bashën dhe pasuesit e tij në Kuvend. Por, në vend të kësaj sjelljeje politike koherente për çudi ata u panë të ankohen” se përse po i përjashton i përjashtuari prej tyre në parti! Kjo nuk është një çështje që ua u zgjidh zonja Kryetare, Lindita Nikolla sado mësuese shkolle dashamirëse dhe e kujdesshme që ajo të ketë qenë. Kuvendi nuk është si parti politike. Tagrën e grupit të deputetëve të partisë demokratike nuk e merr dot pa pasur plotësuar disa kërkesa që nuk vijnë nga statuti i një partie por nga ligja elektorale dhe nga rregullorja e Kuvendit. Pra, duhet të paraqitesh me disa dokumenta zyrtare të njohura nga gjykata se legjitimitetin e Partisë Demokratike nuk e ka Lulzim Basha por ky grup deputetësh që përjashtohet. Ndofta përbrenda partisë nuk është nevoja për vendime gjykatash për të njohur legjitimitetin e Kuvendit të 18 dhjetorit, as të referendumit që përjashtoi Lulzim Bashën në 18 dhjetor.

Por Kuvendi nuk ka asnjë tagër të shqyrtojë arkivat e partive politike për të dhënë verdiktin se cila pjesë e partisë të ndarë më dysh është legjitime dhe kush nuk është legjitime. Sepse pjesa tjetër e grupit, aktualisht shumicë, paraqit kërkesat e veta, pretendimet e veta, “fermanet” e veta! Kjo nuk është çështje vullneti politik, por kriteresh dhe normash juridike. Nuk ka konsitucionalist që e quan veten të denjë si jurist që të mund të thotë të kundërtën dhe t’i kërkojë Kuvendit të ekzaminojë fletët e votimit të një partie politike!!! Sepse pjesa tjetër e grupit parlamentar është aktualisht shumicë. Me votimin që bënë ata treguan mirë a keq që njohin për nderin apo për turpin e tyre, nuk më duhet kjo gjë, se ishin për përjashtimin e deputetëve disidentë të përjashtuar. Pra, kritika e deputetëve të përjashtuar duhet të ishin drejtuar ndaj kolegëve të tyre, miqve të tyre politikë të dikurshëm, pra deputetëve të tjerë demokratë, dhe jo të kërkonin ndihmën Lindita Nikollës.

Si duket deputetët e përjashtuar ende nuk kanë përbrendësuar sa duhet pasojat e veprimeve të tyre politike, sidomos atë që janë ish miqtë e tyre që i kanë përjashtuar ata, dhe tani aty në sallë midis tyre pritet një betejë politike brenda vëllezërve “ujq”! Nuk mund të zhvillohet çarja politike jashtë sallës së Kuvendit, dhe përbrenda saj të kërkohet uniteti i grupit parlamentar! Askush në opinionin publik nuk e pranon, nuk e beson, nuk e kupton këtë eklektizëm politik.

Dhe paradoksi bëhet edhe më i madh kur sheh se deputetët që kanë përkrahur lëvizjen e Foltores por nuk janë përjashtuar nga Lulzim Basha qëndrojnë të heshtur para faktit të përjashtimit të deputetëve që ndajnë të njëjtat qëndrime politike.

Nuk pipëtijnë a thua se veprojnë sipas parimit që meqë unë nuk u godita të qëndroj pa folur sado miqtë e mi deputetë përjashtohen. Meqë u fol për ringjallje të së kaluarës, kujtimet vijnë që nga mbledhjet e plenumeve të KQ të PPSH, kur ata që prisnin me ankth se kur do t’u vinte radha e goditjes, solidarizoheshin në heshtje ose bashkoheshin me linçuesit e drejtuesve të tjerë që merrnin goditjen e radhës! Mendova se prit tani kur edhe deputetët e tjerë kundërshtarë të Lulzim Bashës do t’i hedhin kartën e antarësimit në grupin e deputetëve të partisë që ai thotë se drejton. Por, jo. Panë miqtë e tyre të përjashtohen pa u ndjerë! Prandaj them. Ishte një teatër absurd në sallën e Kuvendit! Ishte një habi për opinionin publik, ndoshta edhe një zhgënjim për militantët e bazës të partisë demokratike!

Të shohim çfarë do të ndodhë më tej!

“Çdo subjekt që do hetohet për korrupsion apo krim, do i kontrollohet dhe pasuria”

Dumani zbulon pse SPAK refuzoi Komisionin Xhafaj

“Autori kishte thënë ‘Prisni ju çfarë do të ndodhë sot’”

Vrasja e Martin Canit, zbardhet audio nga mbledhja në “Fan Noli”!