MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Kisha e sovranistëve dhe ‘palo shteti’ me buton atomik në xhep

18.01.2022 - 21:55

Herën e parë u tha se me deklaratat dhe sjelljen e tij në fushatë, i prishi opozitës zgjedhjet e 25 prillit. Tani thuhet se po i del para të keqes amerikane që po afrohet dhe se po përgatit rikthimin në partinë e tij, pas largimit nga Presidenca. Ilir Meta ka ridalë nga guacka e kreut normal të shtetit, per t’u zhytur në liturgjitë e tij të zakonshme kundër Ramës, ambasadores amerikane dhe cilitdo diplomat tjetër apo edhe shtet, që nuk përputhet me interesat dhe pozicionin e tij aktual.

Dalja hapur kundër Erdoganit në ditën kur presidenti turk dorëzonte çelësat e shtëpive të të pastrehëve të tërmetit në Laç, shënon një degëzim tjetër të konfliktit që Ilir Meta ka me një listë të gjatë personash e institucionesh brenda dhe jashtë Shqipërisë. Nuk duhen, kaq është e gjithë e vërteta.

Ka qenë një ndjesi e “lashtë” e politikës shqiptare, se mes Sali Berishës dhe Ilir Metës qëndron një ‘shirit i paprerë’ kërthize, i cili daton qysh në vitet e hershme ’90. Berisha dhe Meta kanë konsumuar mes tyre shumë më tepër paqe e dashuri në distancë, sesa konflikte e sherre, duke qenë pa mëdyshje aleanca më afatgjatë e politikës shqiptare. Të gjithë janë prishur mes tyre në një moment të caktuar, e vetmja dyshe që i ka qëndruar kohërave, duke u paraqitur e bashkuar dhe koherente në momentet më delikate të këtij vendi, ka qenë ajo mes Berishës dhe Metës.

Të dy janë duke themeluar këto kohë atë që mund të quhet fare mirë “kisha e sovranistëve” në politikën shqiptare. Një lloj projekti qesharak që parashikon se vendi ynë mund të sfidojë e shpërfillë cilindo që Saliu dhe Iliri e konsiderojnë si të papërshtatshëm. E gjitha kjo, në emër të ndërtimit të një qëndrimi kryeneç medemek sovran të tipit të Orbanit në Hungari.

E kotë të thuash se krahasimi me Hungarinë dhe me Orbanin (me të cilin Berisha e Meta ndajnë edhe inatin për Xhorxh Sorosin), është grotesk dhe i pamundur. Ndërkohë që hungarezët janë anëtarë tashmë të konsoliduar të BE, ne shqiptarët jo vetëm që i ulemi anash tryezës evropiane, por jemi një demokraci e brishtë dhe e korruptuar që mund të bjerë “me një grusht demokratësh të Mamurrasit”, siç thotë Doktori sa herë që kërkon një metaforë force dhe kërcënimi. Në daljet e fundit, kreu i shtetit ka hedhur benzinë mbi deklaratat ekstreme të Berishës kundër amerikanëve. Të njëjtën gjatësi vale dhe teksti kanë pasur edhe fjalët që Meta ka adresuar ndaj të huajve në përgjithësi. Dy politikanë të vjetër që e dinë mirë se kushdo që po ja fusin kot, e që megjithatë vazhdojnë të tjerrin pezhishkën e vjetër të dumbabizmit shqiptar.

Paralelisht me maisjen e sherrit brenda PD, që si shkak fillestar ka shpalljen non grata të Berishës nga SHBA, edhe qëndrimi i Presidentit ka ndjekur një kurbë shoqëruese të lëvizjeve të Berishës. Meta ka qenë nga shtatori, një lloj engjëlli mbrojtës i Foltores në distancë, duke inkurajuar opozicionin ndaj Bashës në PD dhe duke mos i kursyer sulmet e hapura ndaj tij. Në konfliktin e rrezikshëm të tetë janarit, Meta e zbuloi vetë se kishte shkëmbyer mesazhe me protestuesit e Berishës, në lidhje me mosprekjen e automjeteve në oborrin e PD apo edhe me sjelljen e përkrahësve të ish-kryeministrit. Se çfarë pune ka një kryetar shteti me automjetet private të nëpunësve të opozitës në parkimin e partisë, këtë veç një President i përfshirë kokë e këmbë në telenovelën e demokratëve mund ta shpjegojë.
Ilir Meta po i afrohet largimit nga posti që mban formalisht që nga vera e vitit 2017. Nuk është se do të ndryshojë ndonjë gjë kur të mos jetë më president. Nuk ka qenë i tillë, me vullnet të plotë personal, qysh nga dita kur ka bërë betimin. Do të jetë kryetar i LSI me kohë të plotë dhe me stemën e partisë në jakën e xhaketës. E vetmja gjë që i mungon aktualisht.

Kalimi i Metës në zanatin e opozitarit të qeverisë Rama 3, i jep një impuls të pamohueshëm projektit të Foltores, të mbetur në pikë të vdekur pas sulmit të dështuar “mbi Bastijë” të tetë janarit.
Mbetet shumë interesante të shihet sesi do të marrë formë konkrete bashkëpunimi Berisha-Meta gjatë verës, kur kreu aktual i shtetit të heqë kostumin presidencial dhe të ketë të gjithë lirinë e shpengimin e imagjinueshëm për t’ia thënë të gjitha ato që mendon ‘palo shtetit’ që i ka shpallur non grata aleatin e vjetër strategjik. Me pak muaj vonesë, Meta po nxiton të rreshtohet përkrah Doktorit, për t’i dhënë edhe një shtytje tjetër makinës së ngecur në baltë të revolucionit paqësor të Sali Berishës.

Nga ish-gjyqtari tek zyrtari i lartë i Policisë! 18 të arrestuar!

Aksioni blic në Elbasan/ Zbardhen detaje nga operacioni i SPAK!

Operacioni ku u arrestuan dy ish-gjyqtarë

SPAK kontrolle në bizneset e Suel Çelës në Elbasan

Kush është personi që ndihmoi autorin të largohej

Vrasja e Martin Canit/ Dyshime se janë përdorur dy thika