MENU
klinika

“Omicron” s’po kursen të vegjlit

Fluks fëmijësh në spitale, mjekët: E kalojnë lehtë

19.01.2022 - 11:10

Si rrallëherë, spitali pediatrik dhe mjekët e familjes po përballen më një fluks të pazakontë fëmijësh.

“Omicron” nuk po kursen të vegjlit, duke infektuar të pavaksinuar, të vaksinuar, si dhe persona që e kanë kaluar njëherë sëmundjen.

Këtë e thonë mjekët e Institutit të Shëndetit Publik dhe mjekët e familjes, të cilët vënë në dukje se ditët e fundit po përballen me fluks të shtuar fëmijësh me simptoma të COVID-19 dhe që zakonisht e kalojnë lehtë.

Pjesa më e madhe e të sëmurëve që i drejtohen qendrave shëndetësore me shenja të gripit rezultojnë pozitiv me koronavirus.

Më konkretisht, një në 2-3 fëmijë të sëmurë që i drejtohen mjekut këto ditë dalin pozitiv me koronavirus. Për të ulur fluksin e lartë të urgjencave në pediatrinë e QSUT-së, 4 qendra shëndetësore në Tiranë janë kthyer në shërbim 24 orësh për të pacientet e vegjël.

Varianti “Omicron” po bëhet gjithnjë e më dominues ndaj “Delta”-s dhe virozëve të stinës. Për fat të mirë, fëmijët dhe të vaksinuarit thonë mjekët po e kalojnë si grip.

Por edhe shifrat e shtrimeve në spital nuk kanë ndryshuar pavarësisht valës së variantit “Omicron”.

Aktualisht, në spital janë afro dhjetë fëmijë që po marrin trajtim si pasojë e infektimit me koronavirus.