MENU
klinika

Abazoviç synon formimin e një të reje

Pritet rrëzimi i qeverisë në Mal të Zi

19.01.2022 - 13:14

Këtë të mërkurë me nismën e Lëvizjes Qytetare Ura në Mal të Zi të udhëhequr nga zëvendëskryeministri aktual, Dritan Abazoviç, pritet që të rrëzohet qeveria.

Abazoviç në deklaratën e tij për mediat të hënën është shprehur se pret mbështetjen e të gjithë deputetëve në rrëzimin e qeverisë aktuale dhe zgjedhjen e një qeverie të pakicës.

Siç raportojnë mediat vendase, propozimin e Abazoviçit e kanë mbështetur dje edhe lideri i Listës Shqiptare, Nik Gjeloshaj dhe ai i Koalicionit Shqiptar “Njëzëri”, Fatmir Xheka.

Të njëjtën e ka bërë edhe Ervin Ibrahimoviç, lideri i Partisë Boshnjake. Në deklaratën e tyre të përbashkët ato kanë bërë me dije se modeli i qeverisë së pakicës është realist dhe optimal për të dalë nga situata aktuale politike dhe se mund t’i sjellë Malit të Zi stabilitetin e nevojshëm dhe përshpejtimin e procesit të integrimit evropian.

“Besojmë se mbështetja sa më e gjerë për këtë koncept në Parlamentin e Malit të Zi do të ishte e dobishme për shoqërinë tonë, për harmoninë multietnike të Malit të Zi dhe për ruajtjen e vlerave themelore për të cilat ne luftuam”, thuhet në deklaratën e tyre.

Ndër të tjera në media theksohet se deri në fund të ditës së sotme, nisma e re për shkarkimin e Qeverisë duhet të kalojë në procedurë parlamentare.

Burime pranë partive parlamentare konfirmuan se tashmë janë mbledhur 44 nënshkrime të deputetëve që do ta mbështesin nismën, ndonëse nuk përjashtohet mundësia që dokumenti që do t’i dërgohet Kuvendit t’i ketë 27 nënshkrime parlamentare, që mjaftojnë për ta thirrur seancën.

Lëvizja Qytetare Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS, që garuan në zgjedhjet parlamentare në Mal të Zi të mbajtura në vitin 2020 në kuadër të listës “E zeza mbi të bardhë”, propozuar formimin e një qeverie të pakicës, si model për tejkalimin e krizës politike në këtë shtet.

Me mbështetjen e Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) të presidentit Millo Gjukanoviç, e cila ka 30 deputetë në Parlamentin malazez, Lëvizja Ura siguron numrin e mjaftueshëm të votave për një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë së kryeministrit Zdravko Krivokapiç.

Qeveria e Krivokapiçit u votua më 4 dhjetor 2020 me votat e deputetëve nga Fronti Demokratik, Lëvizjes Ura dhe Demokratëve, të cilët në gusht 2020 fituan zgjedhjet duke e lënë Partinë Demokratike të Socialistëve të Gjukanoviçit në opozitë pas tri dekadash.

Ndërkohë Lëvizja Qytetare Ura dhe Lidhja e Qytetarëve CIVIS thanë të hënën se në qeverinë e propozuar prej tyre nuk do të kishte vend për partinë më të madhe opozitare, DPS-në e Gjukanoviçit, e as për partinë pro-serbe, Fronti Demokratik (DF), që është partia më të fuqishme në qeverinë aktuale.

Nga “Ura” dje kanë shpjeguar se cila do të jetë detyra e qeverisë minoritare që pritet të formohet.

Ata thanë se duan një qeveri që do ta nisë integrimin evropian, do t’i zhbllokojë institucionet, do ta vazhdonte luftën e vendosur kundër krimit dhe korrupsionit, do të siguronte rimëkëmbjen ekonomike, do t’i zbatonte reformat dhe do t’ua rriste pagat e qytetarëve dhe do të lejonte investime të reja të huaja dhe fondet e BE-së që tani janë ndalur për shkak të situatës së paqëndrueshme politike.