MENU
klinika

Artur Ajazi

PD po shkon drejt ndarjes?

19.01.2022 - 14:37

Mendimi për një ndarje të mundshme të PD-së, po shprehet dhe promovohet hapur ditët e fundit në çdo ambient mediatik.Në dukje të parë si një “ide spontane”, ajo tashmë po kthehet në një zhvillim të pritshëm, i cili pas 9 Shtatorit mori hapësira të tjera zhvillimi.Ideatorët kryesorë të ndarjes së PD-së, ishin pikërisht ata që u renditën në mbrojtje të Lulzim Bashës në 5 muajt e “Foltores”, ishin ata që shpallën “antiamerikanizmin” si teori berishiane,dhe “proamerikanizmin” si platformë bashiste. Në rast se ka një parti politike që u rreshtua në krah të SHBA-ve qysh në fillimet e veta, kjo ishte Partia Demokratike, ashtu siç ishte forca e parë politike postkomuniste, që mori mbështetje të fuqishme amerikane.

Një prej argumenteve kryesore me të cilat Basha,po e lufton ashpër Berishën, është edhe “antiamerikanizmi i tij”, duke harruar se ka lënë pas dore, gjetjen e një formule efikase se si mund të sigurojë mbështetjen e munguar në bazën e partisë. Ndarja e Partisë Demokratike duket si diçka e pashmangshme, aq më tepër kur kësaj ideje i “fryjnë” më tepër ata që 4 vjet më parë ishin “antibashë”, dhe sot janë rreshtuar në krahun e tij për interesa personale. Situata e kirjuar së fundi në atë parti, e ka bërë edhe më të diskutueshme faktin e ndarjes së saj. Me përjashtimet e fundit nga kryesia, grupi parlamentar dhe strukturat e tjera të PD-së, de facto Basha, ka konfirmuar ndarjen strukturale nga “PD” e Berishës. Madje Basha, mendoj se ndjehet më “komod” me atë pjesë të partisë që e mbështet, duke mos pyetur shumë për zvogëlimin e mbështetjes nga baza. I mësuar me humbjet seriale të zgjedhjeve, duket se Basha nuk e ka problem të deklarojë ndarjen e partisë, paçka se Berisha mund ti marrë atij 2/3 e anëtarësisë dhe mbështetësve.

Vendimet e fundit që ka marrë Basha me kokën e tij, e kanë tkurrur maksimalisht mbështetjen e tij në bazë, ndërkohë që Kuvendi i 18 Dhjetorit dhe ngjarja e 8 Janarit, krijuan ndarjen përfundimtare mes tij dhe Berishës. Për kryetarin aktual de facto dhe de jure të Partisë Demokratike, rëndësi ka qëndrimi në politikë me çdo çmim, qoftë edhe me ndarjen e partisë. Afrimi i zgjedhjeve të pjesëshme lokale në 6 bashki, është shansi më i mirë për të treguar forcën dhe mbështetjen e mbetur të Bashës në bazën e partisë. Ndërkohë ndarja e pashmangshme e asaj partie, fuqizon edhe më tepër Partinë Socialiste, i jep fitoren asaj jo vetëm në 6 bashkitë, por edhe zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Gjithashtu skenari i Bashës për ndarjen dhe jo rithemelimin e Partisë Demokratike, e lë atë pa aleatët tradicionalë, pasi në fund ajo mbetet një parti e vogël, duke mos siguruar votat e nevojshme për të marrë shumicën dhe qeverisur vendin nesër. Si përfundim, Basha duke patur të pamundur realizimin e dëshirës tij për tu bërë “kryeministër”, ndoshta do të shohë si opsion të rradhës, afrimin në qeverisjen e Ramës.