Është gjetur këtë të mërkurë 16-vjeçarja e shpallur e humbur prej ditës së premte në qytetin e Vlorës.
Konfirmimi ka ardhur nga nëna e saj e cila ka deklaruar se e bija është kthyer në shtëpi.
APELI I NËNËS
Nëna e vajzës, Entela Tozaj, tha se deri pasditen e të martës, 18 janar, nuk kishte asnjë informacion mbi vendndodhjen e vajzës, duke hedhur dyshime se ajo fshihej te një djalë, me të cilin ka pasur lidhje intime dhe se familja e ka kundërshtuar.
“Në lidhje me largimin e vajzës, Policia nuk na ka thënë gjë. Na kanë thënë që jemi në terren dhe po e kërkojmë. Nuk kemi marrë asnjë lajm nga vajza”, u shpreh ajo. E pyetur për një largim të mundshëm për shkak të një lidhjeje intime, gruaja thotë se ky është shkaku kryesor.
“Ky është shkaku. Vajza është lidhur me një djalë dhe që ne nuk e pranuam. Për këtë arsye dyshoj se është larguar”, thotë ajo.
Entela Tozaj deklaron se gjatë së premtes, personi i fundit me të cilin ka komunikuar e bija është pikërisht i dashuri i saj.
“Djali ka deklaruar se nuk kam lidhje me vajzën, nuk e di ku është, nuk kam folur me vajzën. Ndërkohë që djali është personi i fundit që ka komunikuar me vajzën nëpërmjet mesazheve. Në orën 12, që vajza është larguar nga shkolla ditën e premte, ky është personi i fundit që e ka takuar. Unë kam bindjen e plotë që djali e fsheh vajzën”, thotë më tej.
Nëna e adoleshentes thotë se familja nuk ka qenë dakord që vajza të vazhdonte lidhjen për shkak të moshës së re të saj, duke pranuar edhe debatet me minorenen.