MENU
klinika

Romani i ri i Andreas Dushit

“Marrja e Gjakut”, romani që duke folur për të shkuarën, i flet së tashmes

13.11.2018 - 17:43

Ndoshta çfarë do të tregoj mund të duket e çuditshme, prandaj të lutem, nëse nuk mund të pranosh diçka të çuditshme, mos lexo më tej. Nëse e di dhe e ndjen se mundesh, je i ftuar që bashkë me mua të mësosh historinë jo shumë të zakontë të familjes së Vocit, të zotit të saj, emrin e të cilit mban. Ai është babai i  Lekës, Lecit, Laloshit dhe Lulashit, vëllai i Vilzanit dhe bashkëshortit i bukuroshes venedikase Leticia.

Ky është paragrafi i parë i romanit të shkrimtarit të ri shkodran Andreas Dushi. Ngjarjet e tij vendosen në një vend plot paragjykime të fshehta, banorët e të cilit notojnë në to e disa prej tyre, mbyten pasi as nuk kërkojnë të kapen në ndonjë fije kashte.

Duke u nisur nga fenomeni i gjakmarrjes i cili ja ka dalë të befasojë të huajt, një ngjarje absurde e vrasjeve të njëpasnjëshme që sjellin shuarjen e një familjeje nga vetë ajo familje, libri ka një teknikë rrëfimi të veçantë ku përsonazhi kryesor është rrëfimtari.

“Marrja e Gjakut” duke folur për fenomenin, i flet vetë fenomenit i cili akoma dhe sot, më tepër nga padija se dëshira për hakmarrje, krijon viktima të pafajshme.

Romani tregon se si, kur në shtëpinë e Vocit të vetvrarë shfaqet Vilzani, vëllai i tij, një debat lind mes tij dhe djemve të të ndjerit. Sipas Vilzanit, Voci ishte edhe vrasës, edhe i vrarë e prandaj familjarët e tij duhet të ndaheshin në familjarët e vrasësit dhe ata të të vrarit. Të dytët kishin si detyrë marrjen e gjakut te të parët.

Nga Mali me Tym, vendi ku Voci dhe familja e tij jetonin, ngjarjet zhvendosen në një qytet mijëravjeçar, themelet e të cilit qëndronin mbi një grua. Qyteti ishte i famshëm për një Rapsod të Shquar i cili krijonte këngë për çdo gjë që ndodhte dhe për banorët e tij të gjithëdijshëm.

Mes dëshirës për t’u dukur, një realitet absurd zë vend në këtë qytet duke krijuar ngjarjen më të përfolur të të gjitha kohërave. Të vërtetën e kësaj ngjarjeje merr përsipër të të shpjegojë Ty rrëfimtari, krahas të cilit Ti do të lexosh këtë libër.

Andreas Dushi nuk është i panjohur në letërsinë shqipe. Ai ka debutuar me vëllimin poetik “Krishti vesh me t’kuqe” duke vijuar me novelën “Kur vdekja të na bashkojë”. “Marrja e Gjakut”, botohet nga Shtëpia Botuese “Onufri” dhe qysh prej ditës së nesërme, gjendet në Panairin e Librit.

/Konica.al