Para zgjedhjeve të 25 prillit të vjetshëm, dihej publikisht se deputetët fitues të PSD-së do të votonin për një qeveri të majtë, edhe pse garonin në një listë më vete nga lista e PS-së. Ashtu siç dihej publikisht se deputetët fitues të LSI-së do të votonin për një qeveri të djathtë, edhe pse garonin në një listë më vete nga lista e PD-së.
Në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, kandidatët e Ramës për kryebashkiakë do të shkojnë ta kërkojnë votën pikërisht tek ata zgjedhës që votuan për PS-në ose PSD-në më 25 prill, duke u munduar të sjellin sa më shumë prej tyre në kutitë e votimit. Nga ana tjetër, si kandidatët e Bashës, edhe ata të Berishës e Kryemadhit (këta të dy mund të dalin me lista të përbashkëta), do ta kërkojnë votën tek zgjedhësit që votuan për PD-në ose LSI-në më 25 prill.
Në zgjedhjet lokale, pjesëmarrja në votim pothuaj gjithmonë pëson firo, krahasuar me zgjedhjet paraardhëse parlamentare. Sidoqoftë, firoja zakonisht është proporcionale mes kampeve politike. Në mënyrë metaforike, mund të thuhet se përqindjet e ndarjes së picës elektorale i ruajnë pak a shumë proporcionet e regjistruara në zgjedhjet paraadhëse parlamentare, edhe pse vetë pica elektorale zvogëlohet nga rënia e pjesëmarrjes.
Por në zgjedhjet e 6 marsit do të kemi një veçanti – pjesa e picës elektorale të kampit PD-LSI duket se do të ndahet në dy-tre pjesë.
Në tabelën e mëposhtme jepet ndarja në secilën nga 6 bashkitë të picës elektorale mes dy kampeve të zgjedhjeve në 25 prillin e vjetshëm (patitë e vockëla nuk janë përfshirë në tabelë).