MUSTAFA NANO
Ilir Meta po bëhet gati të lërë Presidencën, dhe po ngutet të krijojë narrativën e një fillimi të ri politik për veten, por çfarë e pret përpara është vetëm vetmia e pasiguria, të cilat ndërkohë po i përjeton miku i tij, Berisha
Ilir Metës i ka ndenjur gjithnjë ngushtë kostumi i Presidentit të Republikës. Ai që në momentin e zgjedhjes e ka dëshmuar këtë. Gati pesë vite më parë, në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, para se të zgjidhej e pasi u zgjodh, ai ishte i trishtuar, a thua se po e ndëshkonin, në një kohë që po i bëhej nderimi më i madh që mund t’i bëhet një politikani në Shqipëri. Me sa duket, ka parandier se dikush, i brendshëm apo i jashtëm, po i punonte një rreng. E në fakt, gjasat janë që të ketë pasur një rreng të kopsitur. Kanë dashur ta burgosin në Presidencë, në mënyrë që ta zvogëlojnë politikisht e t’ia zhduknin partinë ngadalë-ngadalë, gjë që në një masë të madhe edhe ndodhi. Kjo është arsyeja që teksa ishte President-elect (siç e quajnë amerikanët), me fjalë të tjerë teksa ishte President ende pa u futur në zyrën e Presidentit, ai mori pjesë në një fushatë elektorale, të cilën e drejtoi si i çakërdisur. Ishte mënyra më e keqe për ta përuruar mandatin e Presidentit, dhe ishte sinjali më i qartë që na tregoi neve se ç’lloj Presidenti do të kishim për pesë vitet e ardhshme. Ai i përmbushi pritmëritë që krijoi. U bë një President i keq. Më i keqi në periudhën postkomuniste. Në një farë kuptimi do të ishte edhe gabim të gjykohej si President, pasi në thelb ai, të shumtën e kohës, nuk ka qenë fare President. Ka bërë lojëra politike.
Ka qenë opozitari numër një në Shqipëri. Në periudha të caktuara, mbeti sa nga një studio televizive në tjetrën. Në ndonjërën prej tyre bëri deklarata të çakorduara, siç ishte ajo në studion e TV Syrit përpara zgjedhjeve të fundit parlamentare, ku u sugjeroi amerikanëve që ta njoftonin para se ta vrisnin, në mënyrë që të kishte kohë të largohej për në malin me gropa e kështu të mos lëndoheshin civilë të pafajshëm!!! Ishte fushata e dytë elektorale, që ai e bënte i veshur me kostumin presidencial. President i thënçin! Sepse ndërkohë, ai praktikisht kishte pushuar së qeni President, ca sepse kështu kishte zgjedhur të ishte që në krye të herës (siç e thashë pak më sipër), e ca sepse nuk po e llogariste njeri si President, gjë që u provua nga injorimi që maxhoranca e ndërkombëtarët i bënë dekretit të tij, nëpërmjet të cilit ai synoi të anulonte zgjedhjet lokale!!! Pas këtij momenti të fundit, ai e humbi toruan. Arriti deri atje sa të organizonte edhe një tubim politik me disa mijra vetë, të cilët ai i quan “populli i 2 marsit”, e të cilët i konsideron të tijtë. Por nuk janë të tijtë. Ata ishin opozitarët e organizuar nga Berisha që kishte nën hyqëm Bashën atëmot. Janë ata që u mblodhën në 11 dhjetor në stadiumin Arena.
Ai është i lumtur që mandati presidencial po i afrohet fundit. Madje, do të ishte më i lumtur nëse Gjykata Kushtetuese do t’ia ndërpriste para kohe, pasi kështu do të kishte një argument më tepër në favor të tezës se po jetojmë nën një regjim, por edhe do të kthehej në terren, për të ringritur e mobilizuar LSI-në e shkrehur, e për t’u bashkuar me Berishën, për të cilin nuk gënjen kur i shpreh dashurinë. Ilir Meta e çmon dhe e do me të vërtetë Sali Berishën.
Por frika e tij është se dikush tjetër mezi po pret gjithashtu që ai ta mbyllë mandatin presidencial. Dhe ky dikush tjetër janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mund ta shpallin non grata, dhe kështu, aleanca e tij e pritshme me Berishën do të pagëzohej fare kollaj, e përgjithnjë, si Aleanca Non Grata. Duke qenë non grata, e me kauzën që kanë sajuar me pahir (sovranizmi e pluralizmi politik), ata do të jenë të destinuar të dështojnë, siç po duket se po dështon Berisha. Përveç kësaj, duke qenë non grata, ata do ishin fare të pambrojtur nga ndonjë goditje që mund t’u vinte prej sistemit të drejtësisë.
Në prag të largimit nga Presidenca, Ilir Meta po kërkon të krijojë narrativën e një jete të re politike për veten (prandaj ka zënë të thotë se ai do të jetë edhe 50 vjet të tjera në politikë), por shenja e gjasat janë që muajt në vijim do të jenë më të vështirë e më të ankthshëm sesa pesë vitet në Presidencë. Përpara nuk ka një rrugë të shtruar me lule. Ka thjesht një shteg të ngushtë, shumë të ngushtë, ku do jetë e vështirë të kalohet.