MENU
klinika

Nga Mentor Nazarko

Dardha e Rugovës. Ai si pasqyrë ku duhet të shihen të rinjtë pas tij

21.01.2022 - 23:38

Nga Mentor Nazarko

Shiko se në fshat, kishim një dardhë të vjetër. E ujitnim, e rritej, s thahej kurrë.“Politikani kosovar që i fliste për dardhën ministrit nga Shqipëria, ishte Ibrahim Rugova. Ministri i Shqipërisë, kapsalliste sytë nga habia për temën e bisedës së mikpritësit, por ruante edukatën. Në mes të rrëfimit të pandërprerë për dardhën, Rugovës i mbërriti një telefonatë që zgjati pak. Ju kthye bisedës me ministrin shqiptar i cili shpresonte se do kalohej në një temë tjetër. „Eh, po dardha bënte shumë hije dhe ne mblidheshim rreth saj“, vijoi Rugova flegmatik pa e prishur terezinë, bisedën rreth pemës së dardhës. I çmeritur, pas takimit, ministri foli në telefon  me kryeministrin Nano dhe i tha: Rugova nuk i ka punët mirë me mendjen, dhe se fliste pafund për një dardhë. „Ah, thotë,- Nano në barcaletën që ngjan reale,- mirë me ty që je gomar paska folur për dardhën, po me mua, ç’pati?“

Historia e mësipërme, është njeri prej motiveve të stilit sesi Ibrahim Rugova u hakmor me ata ministra a politikanë të Shqipërisë që e akuzuan si tradhëtar pas mesazhit të tij kundër bombardimeve, lëshuar në takimin me Miloshevicin. E vërteta është se ai mesazh frike humane i dikujt peng bashkë me familjen, kishte frikësuar Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që mbanin me zor frontin e shteteve të NATO-pro bombardimit të Serbisë. Ndaj ata i kishin kërkuar Shqipërisë zyrtare ta delegjitimonte publikisht Rugovën dhe mesazhet e tij, si dikush që nuk ishte më përfaqësues i Kosovës. „Isha tek dentisti, takimin me të cilin e kisha shtyrë shumë për shkak të menaxhimit të shpëtimit të Rugovës dhe familjes së tij, duke i sjellë në Itali“, i tregonte shumë vite më pas ish kryeministri D’Alema, familjes Rugova që ishte mbledhur për ta pritur shpëtimtarin italian.  Në telefon ishte Presidenti Klinton, i cili kishte shqetësimin se Rugova i shpëtuar do të mbante të njëjtin qendrim para mediave. Por jo, ai kishte mbrojtur bombardimet si e vetmja mënyrë që populli të shpëtonte- tha ish kryeministri D’Alema. „ Kishe të drejtë-më tha Klinton, Rugova na përgënjeshtroi të gjithëve“.

Ishte ky momenti më i errët në historinë politike dhe njerëzore të Rugovës, i cili megjithatë sot në Kosovë dhe në botën shqiptare nderohet thuajse nga të gjithë, armiqtë e tij politikë dhe njerëzorë. Me ndonjë përjashtim. Të gjithë ja falën atë deklaratë të thënë nën kërcënimin për jetën e tij dhe të familjes, ndërsa ishte me Milosheviçin në zyrë. Në rrethana të tjera, themeluesit e pavarësisë së Shqipërisë në 1912, shkuan apo mund të shkonin në litar për shkak të leximit të gabuar apo komunikimit me pushtuesin italian dhe gjerman në Luftën e dytë botërore. Ata që bashkëpunuan realisht, pavarësisht të kaluarës së ndritshme u dënuan kudo nëpër Europë, kush më shumë e kush më pak. Rugova pati shansin e faljes, harresës, dhe u rikthye politikisht sërish më i fortë. Ndoshta pse me Rugovën, me gjithë aksionin e tij politik e human, madje edhe me frikën a gabimet e tij si deklarata në fjalë, me urtësinë e tij, vijoi të identifikohej një pjesë e madhe e popullsisë kosovare, ajo urbane, por jo vetëm.

Pse Rugova votohej dhe pse ai nevojitet kaq shumë sot?

Më pyeste dikur Madlen Ollbrajt (ish sekretare shteti e administratës Klinton): pse votohet kaq shumë Rugova, ndonëse ai të gjithëve na jep gurë, dikujt më të mëdhenj, dikujt më të vogël“, tregonte në një ndenje, ish ambasadori i famshëm Uilliam Uoker, denoncuesi dhe heroi i Reçakut. „ Ai i fliste njerëzve me gjuhën e thjeshtë të gjyshërve të vet: ruani  dhe punojeni tokën. Kujdesuni për qentë e Sharrit..  etj“- i tha dikush. Në fakt, arsyetimi, debatimi për fuqinë e mitit të Rugovës, nuk do mbarojë kurrë. Sfidat që ka Kosova sot, 16 vjet pas vdekjes së tij, si duket kanë nevojë për të, diçka që ja rrit fuqinë e popullaritetin, hiperbolikisht, si në jetë, ashtu dhe tani që ka vdekur.

Kosova i duhet dikush që të jetë në pozita pajtuese të palëve, mbi palët që janë ndarë shumë me njera tjetrën, Kosova e re ka nevojë për baba. Përballë Serbisë, për të zgjidhur detyrat themelore të shtetndërtimit, të afirmimit ndërkombëtar të Kosovës, babai themelues i shtetësisë a kombësisë (?) duhet akoma. Ai nuk shau kurrë askënd, ai bashkëpunoi me njerëzit e luftës, të cilët donin ta dhunonin dhe fizikisht madje dhe në takimet diplomatike, apo mund të kenë menduar dhe atentatin ndaj tij, si tregonte frika e tij për të udhëtuar në Shqipëri, apo në kampet e bashkatdhetarëve të tij në rajon. Injorimi ishte arma e tij më e fortë. Nëse cilësia kryesore e berishizmit sipas Kajsiut, është shpallja armik e kundërshtarit, rugovizmi kishte injorimin, heshtjen, si cilësi. Ose i rezervohej tregimi për dardhën a ndonjë pemë tjetër. Sa për shembull. Sali Berisha (1992-1996), që  sillej në mënyrë paternaliste me  Rugovën, (aq sa në 1996  tentoi t’i impononte së bashku me amerikanët për hir të së vërtetës, bashkëpunimin me opozitën serbe) nuk e takoi dot më. “Ai hyri në shtëpinë tonë vetëm pas vdekjes së babës”, më tha një familjar i Rugovës për Berishën. Njëlloj nopranlliku, a intolerance e butë, por e veçantë brenda egërsisë sonë tribale a kombëtare. I ngjante pak në këtë cilësi- mungesën e sulmit për kundërshtarët-, Arbën Xhaferri, megjithë rrethanat e tjera ku veproi ai.

Rugova ishte properëndimor i palëkundur, akademikisht, fetarisht, politikisht dhe në çdo karakteristikë të shfaqjes së tij publike. Sot në Kosovën që ai themeloi a formësoi, deri në njëfarë pike. si shoqëri apo politikë, ky raport me perëndimin edhe është lëkundur.

Rugova ishte bashkëbisedues i vështirë edhe me nivelet më të larta të politikës perëndimore, por kurrë nuk foli kundër tyre në publik. Kjo sjellje ishte e shëndetshme dhe përcaktuese në ruajtjen e frymës properëndimore që ishte në kuotat maksimale asokohe. Kur ai ishte gjallë. Sot nuk është më kështu.

Rugova nuk luajti a nuk flirtoi kurrë me ekstremizmin islamik, ndonëse e cenoi -nëse mund ta quajmë kështu, ndjeshmërinë e popullsisë shumicë në Kosovë, si reagim ndaj betejës perfide të Serbisë, e cila luajti ndërkombëtarisht me etiketimin e kosovarëve si ekstremistë. Populli e mirëkuptoi atëherë:e kisha që ai donte të ndërtonte edhe si dëshmi autoktonie u rrit, megjithë lojrat që bëhen sot me statujën e Anton Cetës, me Skënderbeun, etj, etj.

Rugova ishte patriot shqiptarocentrik i padiskutueshëm, (jo kosovaro centrik si gjoja dishepujt e tij aktualë) duke filluar që me atashimin e tij me Pjetër Bogdanin, me përdorimin e gjuhës standarte në komunikimin e tij publik, me punimet e tij, me doktrinën e tij, me aksionin politik pavarësisht  se në rrugën e shtetformimit, Kosovës i duhej të tregonte distancë nga Shqipëria. Ai kurrë nuk sulmoi a kritikoi publikisht askënd nga politikanët e Shqipërisë, maksimumi i foli për dardhën (formula e tij e Kosovës së hapur ndaj Shqipërisë dhe Serbisë ngjante taktike).

Rugova ishte pacifist në doktrinë dhe në reputacion, pavarësisht se flitet për urdhëra të tij të fshehtë për trajnimin ushtarak të Adem Jasharit apo të tjerëve në Shqipëri, nëpërmjet qeverisë së Bukoshit. Ai, projektonte rininë kah e ardhmja në paqe, triumfant, e i vetëdijshëm për vlerën e çlirimit nga Serbia, si arritje unike, e papërsëritshme, fatlume. Ndaj thuajse asnjëherë në të ligjërimin e tij publik nuk foli për genocid, vrasje masive, disa vite pas çlirimit, megjithëse vinte prej një familje me të vrarë nga Serbia. Si i tillë ai ishte bashkëbisedues autoritar me palën tjetër.

Etj.

Janë dhe shumë cilësi të tjera të Rugovës që i mungojnë klasës politike të Kosovës sot, ndonëse e mbushur me më të rinj në moshë se ai, e mbarë kjo klasë e nderon sot. Ai i detyroi ta nderonin pas vdekjes me madhështinë e tij mistike. E nderojnë ata që shpallen si rugovistë, por nuk kanë lidhje në mendim, ligjërim apo aksion me të, përveçse përkatësi partiake mbase. E nderojnë dhe Vetvendosësit që i referoheshin a i referohen Adem Demaçit a Rexhep Qoses. Ai si pasqyrë ku duhet të shihen të gjithë?

Mirpo Kosovës, jo vetëm politikës, por dhe shoqërisë i duhet  ta përkujtojë dhe kultivojë mendimin rugovian. Si dëshmi e papjekurisë,  konfuzionit institucional, akademik, amullisë, paqartësisë, konfliktualitetit, lojës së fqinjit, ky mendim nuk kultivohet, as nuk studiohet në këtë degë të trungut kombëtar, apo në këtë kombësi të re. Madje janë zhdukur, dhe as nuk ka vepra të tij në librari: përmbledhje fjalimesh, intervistash, shkrimesh, a librash të tij. Dhe një sprovë përmbledhëse e shtëpisë botuese Konica, është shitur e tëra.. Çfarë fati, ky i Rugovës!