Eksperti i ekonomisë Mateo Spaho shprehet se qeveria nuk ka një plan të mirëstudiuar për të kultivuar dhe përpunuar në Shqipëri kanabisin për qëllime medicinale.
Në një interviste, Spaho shprehet se nisma e Kryeministrit, më shumë sesa një plan për t’i dhënë një shtysë ekonomisë, propozimin për të legalizuar përdorimin e kanabisit për arsye medicinale e ka për të fshehur një debat real që lidhet me mungesën e ideve të qeverisë për të ndikuar në rritjen e ekonomisë. Sipas tij, që nga zgjedhjet e 25 prillit qeveria nuk ka bërë asnjë hap për të ndihmuar ekonominë, ndërkohë që e kundërta ndodh në vendet e rajonit. Dhe për të shmangur këtë, Kryeministri, sipas Spahos, hedh në diskutim një temë sensitive. Duke marrë në analizë funksionimin e shtetit shqiptar, ku thekson se niveli i zbatueshmërisë së ligjit lë për të dëshiruar, Spaho thotë se kostot që sjell në ekonomi dhe shoqëri legalizimi i kanabisit sjellin më shumë kosto se përfitime.
Z. Spaho, Kryeministri ka lajmëruar se do të pyesë qytetarët për legalizimin e kanabisit medicinal. Kjo është një lëvizje pas asaj që lajmëroi në mandatin e kaluar. Si e shikoni këtë lëvizje?
Në raport me propozimin për legalizimin e kanabisit medicinal, është për t’u çuditur që pas më shumë se 8 vitesh që e kishte mohuar në faza të ndryshme, Kryeministri kërkon të propozojë liberalizimin e tregut sa i përket përdorimit të kanabisit.
Pastaj se për cilin përdorim, bëhet problematike ta dallosh. Problematika qendrore është se kush do ta këshillojë përdorimin e kanabisit. Nëse është për përdorim medicinal, do të jetë vetëm nga mjekët. Pyes veten se cilat kanë qenë elementet ligjore nga pikëpamja e mjekësisë që i kanë paraprirë legalizimit të kanabisit.
Çfarë ka ndryshuar në mjekësinë shqiptare që nga 2015-ta, që t’i prijmë legalizimit. Në 2015-ën, Kryeministri deklaroi se ishte tepër shpejt që Shqipëria të merrej me këtë fushë. Tani çfarë ka ndryshuar? Elementi tjetër është se kush do ta përshkruante përdorimin e kanabisit? Në këtë aspekt ngrihen disa pikëpyetje. Në një situatë normale, ne po flasim për korrupsionin në fushën e mjekësisë.
Çfarë do të ndodhte nëse do të futeshin edhe ilaçet me bazë kanabisi? Kur kërkojmë që një makine me marsh të 4-t t’i fusim të pestin, ajo mund të ecë shumë mirë, por varet se çfarë cilësie ka makina. Në aspektin e Shqipërisë, është një makinë me mjaft problem në sistemet e veta. Korrupsioni është prezent në të gjitha fusha. Nëse ne kërkojmë t’i japi më shumë, rreziku është që kjo makineri të bëhet ineficiente.
Nëse do të legalizohet, ka praktika të ngjashme nëse tregu duhet të kontrollohet nga shteti apo privati?
Pyetja që ngrihet është se ku do të prodhohet kanabisi. Si do të jepet licenca për të prodhuar? Nga do të merret lënda e parë? Të gjitha problemet në Shqipëri janë se ato lidhen me korrupsionin, me partishmërinë, me klientelizmin, krijojnë problematika jo të vogla.
Natyrisht, mund të kemi një mbiprodhim, sepse njerëz që mund të kenë licenca, por ka të tjerë që përdorin licencat e të tjerëve dhe mund të fusin më shumë produkt në mënyrë edhe të paligjshme, më shumë seç duhet. Përdorimi medicinal i kanabisitit është rregulluar jashtë shtetit jo thjesht me përdorimin e drejtpërdrejt, por edhe të ilaçeve që lidhen me këtë.
Nëse do të ishte një propozim jo i përkohshëm i dalë nga cilindra e kapelës së Kryeministrit, por do të ishte një gjë e mirëmenduar, atëherë do të mirëmendohej për një sërë fabrikash që të ishin të ndërtuara midis kimisë dhe aktiviteteve bujqësore, për të prodhuar lëngje të ndryshme sa i përket kanabis sativës dhe vendosjes së saj në ilaçe të caktuara dhe produktit të lëndës së parë në formate të ndryshme për të sëmurë të caktuar. Ndryshe nuk do të bëhej fjalë për përdorim mjekësor, por për një përdorim masiv të qytetarëve dhe fjala “mjekësor” do të ishte një mburojë ku realiteti do të fliste për përdorim masiv.
Rrezikon që legalizimi i kultivimit të kanabisit të çojë në “vdekjen” e kulturave të tjera bujqësore?
Unë nuk besoj se do të sakrifikoheshin kulturat e tjera bujqësore, sepse në momentin që liberalizon një bimë, atëherë çmimi i saj ulet. Çmimi tani është i lartë, sepse ti nuk je i lirë ta kultivosh atë dhe një pjesë apo një kuotë shkon për kostot shtesë. Nëse kemi një legalizim, atëherë çmimi do të ulej dhe kështu do të kishte më pak shtysë për ta kultivuar. Pas vitit të parë do të kishim një normalizim të situatës. Bujqësia shqiptare ka problematika të mëdha dhe shkon përtej kësaj. Liberalizimi i kanabisit nuk rregullon gjë në këtë aspekt.
Si do të ishte raporti në dikimin e ekonomisë?
Një front i ri pune nuk do t’i bënte keq ekonomisë shqiptare. Nga një anë do të rritej prodhimi i brendshëm bruto, së paku ai formal, sepse informalisht kanabis prodhohet edhe sot. Por me legalizimin e kanabisit, do të rritej konsumi te moshat e reja dhe do të përkthehej në kosto shoqërore dhe përkthehet edhe në kosto ekonomike. Do të prodhonim më shumë nga një anë, por do të konsumonim për të riparuar dëmet. Nuk mund të themi nëse do të ishte një element gjenial. Nëse kemi seriozisht një plan për të bërë një gjë të tillë, atëherë duhet të kemi një konsensus të gjerë shoqëror. Duhet të jetë i përcaktuar se ku do të prodhohej, si do të prodhohej dhe në cilat produkte përfundimtare. Të ketë certifikatat e duhura. Por ne nuk jemi të famshëm për zbatimin e strategjive që kemi prezantuar. Kjo ka ndodhur me turizmin dhe bujqësinë.
Ne jemi vend me institucione ligjzbatuese problematike. Në këtë kontekst, a rrezikohet kriminalizimi i shoqërisë?
Personi bëhet kriminal kur nuk zbaton ligjin. Kur ti e legalizon, atëherë ti ke një shoqëri më pak kriminale. Por rrezikohet rritja e nivelit të dhunës në shoqëri për njerëzit që kanë vartësi nga kanabisi. Nëse do të ishte thjesht për arsye mjekësore në një shtet ku zbatohet ligji, ky nuk do të ishte problem për shoqërinë, por ne e dimë se sa funksionon tarafi, ryshfeti në Shqipëri dhe kjo për mendimin tim paraqet një rrezik serioz në shoqërinë shqiptare.
Natyrisht duhet të shohim se cilat janë qëndrimet e partnerëve tanë ndërkombëtarë, BE ku ne synojmë të shkojmë dhe qëndrimi i tyre në këtë sens. Nëse ata do të ishin dakord me këtë vendim. Unë mendoj që ky propozim vjen në një situatë ku pas shumë vitesh nuk ka ditur të japë asnjë recetë për zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Kanabizimi më duket zgjedhja e fundit ku po kapet Rama me arsyen reale se nuk kam çfarë t’ju ofrojë më shumë. Po të heqësh këtë propozim dhe të shikosh veprimtarinë e qeverisë nga 25 prilli e deri më sot, përgjigjja është asgjë.
Cilat kanë qenë investimet e qeverisë në raport me ekonominë? Të gjitha të dhënat që nxjerr INSTAT tregojnë se janë në rënie. Ndërkohë, në rajon po bëhet e kundërta. Fermerët shqiptarë janë në vështirësi, sepse nuk marrin asnjë subvencion. E vetmja mënyrë është që të hedhë këtë ide. Kjo zhurmë që krijon Rama fsheh në vetvete asgjënë e Ramës për të rritur ekonominë. Ka një boshllëk total të alternativave të zhvillimit.