MENU
klinika

Bedri Islami

Një analizë mbi vendimin e pritshëm të Gjykatës Kushtetuese

25.01.2022 - 17:08

Askush më mirë se sa vetë ai nuk e di se kjo është rrokullima e tij dhe fati politik drejt mbylljes. Ilir Meta, i zgjedhuri dhe i shkarkuari president nga e njëjta forcë politike, si për dreq, mbetet pa dyshim njeriu më përfolur i politikës dhe më i padashuri në dy kampet e mëdha të saj.

Pas pak ditësh, Gjykata Kushtetuese, do të jetë përballë njërës ndër çështjeve më serioze të saj: do të marrë vendimin për shkarkimin e presidentit Meta dhe, ai vetë e di se në kushte normale, pra të zakonshme, kur do të kishte një Gjykatë të plotë, me të gjithë anëtarët e saj, ai do të ishte shembulli i parë dhe më sinjifikativ se nuk duhet abuzuar me pushtetin, nuk duhet dalë jashtë kornizës së përcaktuar nga Kushtetuta dhe se presidenti, si i pari i vendit, nuk mund të bëhet aktor cirku politik për të mbajtur ngrohtë të pasmet e tij.

Ilir Meta e ka ditur prej kohësh se do të vijë një ditë e tillë, pasi çdo veprim e ka bërë në mënyrën më të ndërgjegje të mundshme, duke e parë si mjet jetese luftën e pashpallur, duke e nxitur përplasjen për të mbijetuar vetë, sidomos kur sheh se si gardhet ku kishte vendosur sinorët e tij, në industrinë e naftës, në shëndetësi, në minierat e kromit, përmes lidhjeve me afaristë të klasit të fortë; ai ka nxitur luftën e hapur mes shumicës dhe opozitës, duke synuar të jetë primari në të dy krahët, e në të njëjtin kohë mbante pranë vetes grupe të çarturish, mitingashë që shkonin pas presidentit “ të fortë”, por që është në grahmat e tij fundësëse. Jo rastësisht ai dërgoi në Gjykatën Kushtetuese zonjën Bejtja, që, edhe para emërimit të saj në këtë post të lartë, mbronte haptas vendimet antikushtetuese të presidentit, ishte zë i tij, dhe, në të njëjtën kohë gruaja e njërit nga mbështetësit themeltarë të binomit Meta – Berisha, analistit kontravers Bejtja. Jo rastësisht, pikërisht në fazën kur e mendonte Lulzim Bashën një sejmen të tij dhe të Berishës, ai dërgoi në Kushtetuese zonjën Xhaferllari, po ashtu e lidhur me njërin ndër eksponentët e opozitës, Alibeaj, tani kryetar i Grupit Parlamentar të opozitës, dhe, pasi i dështoi plani që në fillim i dështuar, për të dërguar zonjën Tushe në Kontrollin e Lartë të Shtetit, bllokoi plotësimin e vendeve vakante n Kushtetuese, ashtu si kishte synuar të bllokojë që në ditën e parë reformën në Drejtësi, miratuar nga të gjithë deputetët që nuk u bindën, vetëm kur e kuptuan se rruga mund të ishte e mbyllur për më tej.

Ilir Meta, gjithë jetën e tij, ashpërsisht dhe me këmbëngulje ka synuar rrënimin e drejtësisë, hallakatjen, korruptimin dhe deligjitimin e saj. Askush tjetër, as vetë Berisha, armiku i vetëshpallur i Reformës, nuk e ka bërë këtë me kaq shumë përpjekje, diversion, përplasje dhe rrënime, sa e ka bërë vetë ai. Dy raste janë të pashembullta, njëri nga të cilët në fakt lidhet me të njëjtin njeri, sot i dënuar, ish kryeprokurorin Llalla. Herën e parë ai e vendosi atë përballë Shteteve të Bashkuara, duke synuar kundërvënien e një njeriu që mendohej se do të rrinte edhe më gjatë në postin e tij. Përballja e Llallës me ambasadorin Lu ishte e paprecedentë, por pas saj qëndronte Ilir Meta, i cili i dha garancinë e mosprekjes së tij, por që e la në rrugë të madhe, sapo misioni që i ishte caktuar përfundoi. Meta, së bashku me gruan e tij, Kryemadhi, një tjetër emër që ndot politikën, bënë shfaqjen e turpshme të shkarkimit të ish prokurorit dhe emërimin e kryeprokurores së Përgjithshme të përkohshme, Arta Marku. Ishte nata kur opozita, pasi kishte marrë garanci nga presidenti, tentuan të bëjnë grushtin e shtetit legjislativ, të përmbysin sallën e Kuvendit, të marrin atë nën kontrollin e tyre, të krijohet ideja e shpartallimit dhe e shpërndarjes së parlamentit, për të ruajtur një figurë, e cila u kishte shërbyer, por edhe tej saj: për të përmbysur gjithë reformën në drejtësi.

Rasti i mëhershëm është edhe më flagrant dhe mbetet si njëri nga turpet më të mëdha të sistemit tonë të drejtësisë, vendosjen e tij nën këmbët e politikës, sidomos të dyshes – Meta – Berisha.

Historia me bllokun 700 mijë eurosh, e regjistruar nga ish ministri Prifti, e saktësuar në laboratorët shkencorë të FBI, si gjë reale, pra e sanksionuar prej tyre, do të hidhet poshtë nga një trupë gjykuese, e cila paturpësisht dhe e frikësuar, do të hidhte si të pavlerë një analizë shkencore dhe të saktë. Darka e turpit, një natë para gjyqit, ku ndoshta si asnjëherë tjetër kryeministri i kohës, Berisha, darkon tek i akuzuari Meta, me gjetjen absurde, se, “ vajzës së vogël i pëlqen të bisedohet për politikë”, ishte shembja e sistemit të drejtësisë. Për të shkuar më tej : i vetmi gjykatës që do të jetë kundër këtij vendimi , do ë përndiqet nga Meta deri në fund, do të anatemohet, do të dërgohet për ndjekje penale, si një shembull për gjykatësit e tjerë se çfarë mund t’i ndodhë nëse i kundërvihen atij.

Përse ndodh e gjithë kjo dhe, për të shkuar më tej, përse meta gjendet në këtë fazë dalldie dhe jep shenjat e skizofrenisë politike të pashërueshme?

Ilir Meta, pavarësisht se këndon me zë të lartë këngën e Hajredin Pashës apo rrah gjoksin se do të vendosë t’i japë fund jetës së tij si Alende, në fakt është një njeri i trembur. I trembur nga gjithçka: nga rrënimi i partisë së tij private, nga rrokopuja që e ka mbërthyer fatin e tij, nga shpallja non grata dhe e meriton të jetë në këtë status, nga pasuria që mund të konfiskohet, nga dalja në dritë e shumë dallavereve të bëra në kohën e tij si kryeministër, ministër, “blloqet” që mund të jenë ende të regjistruara, si shef i parlamentit; ai trembet nga pasojat e jetës së tij mbushur me ngjarje të rënda, të cilat, kur ishin hasëm, aq herë i ka cituar miku i tij në dashuri e në hall, Berisha.

Ai nuk trembet nga Gjykata Kushtetuese , si e tillë, por nga ajo që mund të ndodhë, e duhet të ndodhë, pas vendimit të saj. Sado që mburret si një skraparlli trim, thua se vetëm kjo trevë e bekuar ka nxjerrë trima, ai i ngjan më shumë atyre sarhoshëve të dehur me raki të fortë Skrapari, por që mund të jenë nga secili kënd i Shqipërisë.

Në thuajse pesë vite të presidencës së tij, si asnjëherë tjetër, ky institucion nuk ka qenë kaq i larguar nga institucionet ndërkombëtare dhe aq i bojkotuar. Ai është, që tani, në “ non gratën e tij “ politike, sa që zyra e tij përjashtohet nga çdo lloj takimi institucional me përfaqësues të nivelit të mesëm apo të lartë ndërkombëtar, si të ishte një zyrë ku ka rënë e keqja. Dhe, në fakt, ka rënë. Asnjë titullar lartë europerëndimor apo përtej Atlantikut nuk e merr mundimin të ndalojë në zyrën e tij, as Erdogani, presidenti autokrat i Turqisë, askush nuk e di nëse në atë zyrë qëndron ende njeriu i parë i këtij vendi. Si një halldup rrugësh Meta ka krijuar këtë gjendje, duke sulmuar brutalisht zonjën drejtuese të Ambasadës Amerikane, duke bërë thirrje halucionante se, ky shtet i madh mund të ketë në plan ta vrasë atë, por ai, ose do të bëjë harakiri, ose le ta vrasin në Malin me Gropa.

Për dy arsye ai e ka kapur “keqas” me Departamentin Amerikan të Shtetit.

Së pari, duke e ndjerë se ai mund të jetë i nesërmi në listën e zezë, do të krijojë që tani alibinë se cilësimi i tij dhe i familjes së tij në këtë gjendje , nuk ka të bëjë me fiksimet e tij, por me qëndrimet në mbrojtje të pavarësisë, vetkontrollit të shtetit, sikur përballë tij të ketë shtete dhe statura politike që, me thikë në dorë, janë vërsulur të copëtojnë shtetin shqiptar, e më tej, kombin shqiptar. Në fakt, tri pjesët e mëdha ku jetojnë shqiptarët kanë këtë status politik pikërisht nga Shtetet e Bashkuara, ndaj të cilëve Meta bën luftën e tij , për të patur nesër një vjehrrës ku të mbështetet mbijetesa e tij politike.

Së dyti, ai e di krejt mirë se amerikanët, jo përmes Soros, këtë përrallë e zuri Berisha, e jo përmes Edi Ramës, këtë tashmë e di edhe vetë Berisha, kanë kopsitur dosjen e tij. Ata e dinë fare mirë se çfarë ka bërë ai në vitet e gjata të qeverisjes së tij, gjurmët që ka lënë, pasurinë që ka krijuar, financimet e dyshimta dhe zhvatjet e zeza; ata e dinë se mbi cilën bazë financiare studiojnë dhe jetojnë tre fëmijët e tij në Angli, sa shpenzojnë dhe se nga rrjedhin pasuritë. Ata i dinë përpjekjet e tij dhe të familjes për të fshehur të vërtetat, lidhjet me grupe dhe figura të botës së zezë, të cilët i ka miq edhe në ditëlindjen e tij; e dinë se, si ka kërkuar nga Dritan Dajti dhjetra e qindra mijra euro për “financimin” e partisë, ashtu ka kërkuar edhe nga të tjerë, dhe, luajaliteti është shpërblyer shumë herë.

Ilir Meta është njëri ndër njerëzit më të pasur në Shqipëri dhe kjo nuk dihet vetëm nga shqiptarët, por edhe nga institucione ndërkombëtare që monitorojnë Shqipërinë. Jo vetëm nga institucione të Shteteve të Bashkuara, si Departamenti i Shtetit dhe Departamenti i Financës, por edhe nga struktura evropiane, të cilat e shohin si një të keqe në rrokullisje fatin e Ilir Metës.

Politikan i vijës së ashpër, duke gjetur zgjidhje përmes forcës dhe korrupsionit, i ngritur në shkallë të larta për të keqen e këtij vendi, një ditë ai do të ketë fundin e zakonshëm të figurave të tilla politike, të cilat, si asnjëherë më parë, besimin e kthyen në zhgënjim dhe demokracinë në autokraci dhe despotizëm.

Meta do të jetë politikani për të cilin pak vetë në Shqipëri , e jashtë saj, mund të ndjehen të braktisur apo të mërzitur, nëse një ditë ai do të ishte në Listën e Zezë të DASH.

Dhe, duhet thënë qartësisht, nëse ai nuk do të jetë në këtë listë, askush tjetër nuk do e meritonte të ishte aty.

Me Ilir Metën në këtë listë drejtësia do të jetë më e qetë, ndoshta më solide dhe më e besueshme.