MENU
klinika

Nga Skënder Minxhozi

Basha-Berisha, pajtim në emër të bashkisë së Vorës?!

25.01.2022 - 21:45

Një nisëm e deputetit demokrat Saimir Koreshi për të gjetur një kandidaturë për bashkinë e Lushnjes që të jetë i pranuar si nga PD e Bashës ashtu dhe nga Foltorja e Berishës, i ka dhënë një hov të ri debatit të brendshëm në Partinë Demokratike rreth mënyrës me të cilën palët do të paraqiten në zgjedhjet e 6 marsit.

Ndërsa Komisioneri Ilirian Celibashi duket se i vendosi shpejt barrierat procedurale të kësaj çeshtjeje, duke përzënë Ivi Kason nga poltroni i përfaqësuesit të PD, brenda opozitës po zien një kakofoni e vërtetë emrash, propozimesh e bërrylash, në lidhje me gjashtë fytyrat e kandidatëve që do të përfaqësojnë stemën blu të PD në zgjedhje. Mëdyshjeve hamletiane të dy kampeve, të cilat kamuflohen me deklarata vetësigurie që nuk bindin askënd, i shtohet diversioni në rritje nga Ilir Meta, i cili po bën “nxemjen”, para se të rikthehet në fushë si kryetar i LSI.

Formalisht konflikti brenda PD duket i thjeshtë për t’u zgjidhur. Në mungesë të një ndërhyrjeje të gjykatave dhe pas një kryengritjeje të dështuar të Foltores tek dyert e blinduara të partisë, Basha ruan vulën dhe siglën zyrtare të PD. Kurse Berisha është i dënuar t’i vijë rrotul selisë, duke mbajtur një sezon të dytë (të sforcuar) të Foltores nëpër Shqipëri, i cili me gjasë do të jetë edhe fushata elektorale e fraksionit të tij për 6 marsin.

Politikisht kjo përplasje brenda familjes, e cila sjell me vete edhe propozime si ai i deputeti Koreshi, shënon një moment delikat për të dy kampet. Secili sipas pozitës dhe synimeve të tij të afërta apo afatmesme.

Lulzim Basha mundi të dalë i gjallë politikisht nga rrokopuja e 8 janarit, duke mbajtur selinë dhe duke e futur në një krizë të dukshme kampin e Berishës. Ai vijoi të shkarkojë në masë përkrahësit e Doktorit në qendër dhe në degë, duke konsoliduar pozitat në hierarkitë zyrtare të PD. Në ditët pas rrethimit të dhunshëm të selisë, Basha është përpjekur të japë imazhin e një kryetari që i bindet struktura partiake, pa u merakosur shumë për kostot në vota dhe përkrahje militantësh, që i ka shkaktuar kriza e Foltores.

Nga ana e tij Berisha vijon të “lëpijë” plagët e dështimit të tetë janarit dhe të premtojë revansh në zgjedhjet 6 marsit. Shumë prej deputetëve e krerëve lokalë që i qëndrojnë në krah, janë të bindur se Basha është një kartë e djegur poshtë në elektorat dhe se zgjedhjet e pjesshme lokale do ta vërtetojnë këtë qartësisht. Premtojnë pra që ta marrin partinë duke nisur nga krahët, nga bashkitë që votohen, për të vijuar më pas tek selia qëndrore, si triumf i idesë se arritën të fitojnë aty ku Luli vetëm kishte humbur.

E parë në këtë optikë, idea e një ribashkimi të dy grupimeve të PD, në një listë unitare në zgjedhjet e 6 marsit, siç shprehet deputeti Koreshi, është një ide vetmitare dhe që del krejt jashtë logjikës polarizuese të momentit që përjeton PD e sotme. Afërmendsh një kandidaturë unitare e PD për bashkitë në garë, do të ishte shumë më sfiduese dhe me shanse për fitore për demokratët. Bashkimi bën fuqinë, thotë proverbi dhe këtë e dinë të gjithë brenda dhe jashtë opozitës.

Është gjithaq e vërtetë ndërkohë që vetë Partia Demokratike, Lulzim Basha dhe Sali Berisha, duke nisur nga fillimi i shtatorit, kanë vendosur publikisht se nuk e duan këtë lloj statu quoje. I pari Basha, duke shpallur de facto “vrasjen” politike të Berishës me largimin nga grupi parlamentar, e më pas vetë Berisha me Foltoren e tij të mbarsur me gjuhën e njohur të urrejtjes, siç di ta bëjë vetëm Doktori.

Megjithëse ka pak gjasa të ndodhë, një ribashkim eventual emrash mes dy palëve do ta kamuflonte si epërsinë e pretenduar të Foltores, ashtu edhe ruajtjen e paprekur të kuotave të mbështetjes që predikon Basha. Do të ishte një kamuflim i krizës, e cila ka arsye dhe motive shumë më të thella se gara për gjashtë bashki. Dy kundërshtarët aktualë brenda PD nuk kanë rast më të mirë se ky për të kryqëzuar brirët në një garë të hapur votash siç janë zgjedhjet e 6 marsit, e për të verifikuar sa peshojnë dhe sa vlejnë përballë njeri-tjetrit.

Zërat që duan ta riparojnë këtë situatë qoftë edhe përkohësisht për shkak të zgjedhjeve, janë të mirëkuptuara pasi tentojnë të shmangin çarjen që do të krijonte një avantazh të madh për Ramën dhe PS. Por kjo përçapje në vetvete logjike nga pikëpamja e numrave, nuk shkon më në një terren tashmë të dëmtuar rëndë nga ndasi të pariparueshme mes palëve si në planin personal, ashtu edhe atë politik. Pasi nëse Basha e Berisha do të uleshin për të dakordësuar për kryetarin e bashkisë së Shkodrës a Rrogozhinës, pse nuk e bënë këtë akt shumë muaj më parë për arsye shumë më të rëndësishme e themelore, siç ishte shmangia e çarjes finale të partisë?! E thënë ndryshe me zërin e një qytetari që bën një pyetje naive nga cepi i sallës: Derisa donit të rrini bashkë në zgjedhje, pse u sherrosët katër muaj nga një anë e Shqipërisë tek tjetra?! Kur s’u bashkuat për SHQUP-in, do bashkoheni për bashkinë e Vorës?!

PD e ka kërkuar vetë prej katër muajsh një larje hesapesh brenda vetes, si një akt pastrimi dhe dominimi i njërës palë mbi tjetrën. Deshët të rriheshit, ja u rrahët, thoshte dikur Kadri Roshi tek filmi i njohur ‘Lulëkuqet mbi mure”. Gjashtë marsi ka ardhur pikërisht si një sfidë e tillë. Si një dorashkë në distancë e Ilir Metës për Lulzim Bashën, në favor të Berishës. Si e tillë meriton të trajtohet nga të dyja korentet që luftojnë në PD e sotme. Marrëveshja e minutës së fundit mes palësh që nuk duan të merren vesh, është diçka false dhe hipokrite. Nëse donin ta zgjidhnin krizën brenda shtëpisë, kanë pasur kohën dhe mundësitë për ta bërë këtë gjë shumë kohë më parë. Bashkia e Vorës nuk vlen si motiv pajtimi.

“Takim kuqezi me shqiptarët e Britanisë“

Kryeministri Rama mesazh para turit me emigrantët në Londër

Mijëra familje pa energji elektrike

Kaos në Britani nga stuhia ‘Bert’!

Vangjeli: Sky ECC u përdor nga politikanë, ministra e gjyqtarë…

“Prokuroria ka në dorë ‘ditarin’ e botës së errët të krimit”

“Bllokim total i Tiranës! Qytetarët do të vuajnë, por…“

“Mosbindja civile” protestë më 26 nëntor, Paloka zbardh skenarin