Nganjëherë duket si ulje në karrierën sportive, fakti që të lësh Barcelonën e të luash me një skuadër për mbijetesë në Serie A. Por Sulmuesi i Kombëtares, Rey Manaj, ndihet mirë të Spezia, që e sheh si trampolinë.
Së fundmi është shndërruar në një titullar të padiskutueshëm. Në një intervistë për “Il Secolo XlX, lushnjari ka rrëfyer karrierën e tij, ku në të kaluarën ka qenë pjesë e klubeve prestigjioze si Barcelona dhe Inter.
Inter – Kam debutuar me Mancinin në moshën 18-vjeçare. Problemi i një lojtari që arrin ato nivele, edhe nëse ka talent, nuk është thjesht që të transferohet tek Inter, por të qëndrojë atje. Por, në atë moshë, nuk i kupton mirë si janë gjërat.
Barça – Një ditë më thirri Abidal dhe Ramos Planes te Barcelona dhe më shpjeguan se qëllimi ishte që të më çonin në “Camp Nou”, duke nisur një rrugëtim nga ekipi B. Si mund t’i thuash “jo” një klubi kaq të rëndësishëm si Barcelona.
Trajneri Setien më grumbulloi në ndeshjen e kampionatit kundër Getafes. Kur erdhi Koeman, i nisa përgatitjet e sezonit me gola, por kishte pak vend për mua. Kam pasur fatin që të stërvitem me yjet e futbollit. Messi më bëri dhuratë fanellën e tij, gjithashtu edhe Pique. Një ëndërr e realizuar.
Merkato – Freiburg, Anderlecht, Sassuolo, në ditët e fundit Betis, por pas bisedës me drejtuesit e Spezias, u binda për t’u transferuar këtu. Nuk mendoj se kam gabuar. Edhe në këtë merkato dimërore, kam pasur oferta për t’u rikthyer në Spanjë, por mendoj vetëm për Spezian, jam mirë këtu. Më vonë gjatë verës do të ulem me agjentët e mij dhe do të vendosim cila është më e mira për të dy klubet.
Synimet – Dua shpëtimin me Specian, dhe të ruaj vendim tim në Kombëtare, Reja më ndihmon shumë, flasim shpesh”, u shpreh Manaj.