MENU
klinika

Çon shkresën në KQZ

Nard Ndoka futet në garë për zgjedhjet e 6 marsit

29.01.2022 - 13:16

Partia Demokristiane e politikanit Nard Ndoka, depoziton zyrtarisht kërkesë në KQZ për të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit. Shkresa është protokolluar sot më datë 29 janar dhe është dërguar në institucionin përgjegjës për organizimin dhe mbajtjen e zgjedhjeve.

PDK është partia e katërt që regjistrohet në këto zgjedhje, pas LSI-së PS dhe PD-së. Partia Socialiste dhe Partia Demokratike u regjistruan në zgjedhje më datën 25 janar, ndërsa LSI u regjistrua një ditë më parë. Afati i fundit për të depozituar kërkesën për regjistrimin në zgjedhjet e pjesshme vendore është 31 janari.

Nuk dihet se në cilin “kamp” do të rreshtohet Ndoka në këto zgjedhje, pasi kreu i demokristianëve është distancuar nga PD e drejtuar nga Lulzim Basha, dhe në media ai e ka sulmuar këtë të fundit. Në publik, Nard Ndoka nuk e ka fshehur mbështetjen për ish-kryeministrin Berisha.

Vetë Sali Berisha është shprehur se Grupi i Rithemelimit do të ketë kandidatët e vetë në këto zgjedhje, por ndërkohë KQZ ka njoftuar se ka njohur zyrtarisht Lulzim Bashën, sepse ky i fundit sipas Gjykatës së Tiranës, është kryetar i kësaj force politike.