Sigurimi i ujit të pijshëm është kthyer në sfidë për banorët e fshatit Torovicë të Njësinë Administrative të Balldrenit në Lezhë.
Ky fshat furnizohet me ujë vetëm dy orë në ditë, por banorët shprehen se është i ndotur dhe nuk konsumohet. “Nuk kemi ujë për të pirë, shkojmë e blejmë 100 lekë bidonin. Për ne është shumë problem”, thotë një banore. Kjo problematikë vijon prej shumë vitesh dhe pavarësisht premtimeve, banorët thonë se asgjë nuk ka ndryshuar. Ata shprehen se janë të detyruar ta blejnë ujin e pijshëm apo ta mbushin me bidonë në zona të tjera, disa kilometra larg fshatit të tyre.
“Ujë vjen dy herë në ditë, por nuk pihet, merrni bëni analizat e ta shihni çfarë uji na vjen. Ne e blejmë ose shkojmë e mbushim disa km larg sepse nuk kemi zgjidhje tjetër. Kjo problematikë është prej 30 vitesh dhe s’po ka zgjidhje. E bënë ujësjellësin e ri para disa vitesh, por depo e ujit u vendos në një vend që nxjerr ujë të ndotur dhe problemi sërish nuk mori zgjidhje. Apelojmë që të bëhet diçka në këtë drejtim sepse me duket absurde që në vitin 2022 të mos kemi uji për të pirë”, thotë Rrok Figuri, banor i Torovicës.
Një tjetër banor tregon se janë ankuar disa herë, por shqetësimi i tyre nuk është marrë në konsideratë. “Ujin e mbushim në Lezhë ose Balldren për të pirë. Uji që vjen në çezma nuk konsumohet sepse është tërësisht i ndotur. Jemi ankuar disa herë për këtë problem, por asgjë nuk është bërë, thjesht premtime boshe. Uji është jetik dhe s’më duket aspak normale që shteti të mos përgjigjet për këtë problem, i cili është prej 30 vitesh. Jemi rreth 1 mijë familje këtu në Torovicë që e vuajmë mungesën e ujit”, thotë një tjetër banor.
BASHKIA PREMTON ZGJIDHJE
Burime nga Bashkia Lezhë thotë se janë në dijeni të problematikes dhe brenda një kohe të shpejtë do të gjendet një zgjidhje alternative për furnizimin më ujë të banorëve të Torovicës. Në këtë fshat, i cili ndodhet rreth 20 km larg qytetit të Lezhës, jetojnë rreth 1 mijë banorë dhe mungesa e ujit është një shqetësim mjaft i madh për ta.