Një ngjarje e rëndë është shënuar mëngjesin e sotëm në kufirin mes Greqisë dhe Turqisë.
12 emigrantë të paligjshëm janë gjetur të pajetë në tokë neutrale, pasi nuk u lejuan të hynin në Greqi.
Ngjarjen e ka konfirmuar edhe Ministri i Brendshëm i vendit, Suleyman Soylu, i cili shkruan në rrjete sociale se në total kanë qenë 22 emigrantë që tentuan të kalonin kufirin.
‘Data: 2.2 2022, vendndodhja: Ipsala kufiri Grek… 12 nga 22 emigrantë të cilëve u hoqën këpucët, u hoqën rrobat, u shtynë prapa nga trupat kufitare greke, ngrinë. BE-ja është e pafuqishme, e dobët dhe çnjerëzore. Trupat kufitare greke, dashamirës të FETO-s, i lanë të vdisnin.’,- shkruan ai ndër të tjera.
Sipas mediave turke, emigrantët kanë ndërruar jetë për shkak të të ftohtit, pasi nuk kishin rroba të mjaftueshme.
Një emigrant i parregullt, i cili u konstatua se ishte gati të ngrinte, u dërgua në Spitalin Shtetëror të Keşanit.
Në mediat greke, deri tani nuk ka ndonjë reagim për çështjen në fjalë, apo edhe nga autoritetet vendase.