MENU
klinika

Analiza

Erdogan s’do t’i shkelë “vijat e kuqe” të Rusisë

05.02.2022 - 11:59

Nga Asli Aydintasbas “Washington Post”

Të kesh sot një pasaportë turke nuk është ndonjë kënaqësi e madhe. Kjo pasi të duhet një vizë për të udhëtuar në shumicën e vendeve të Evropës Perëndimore, dhe kjo mund të merret vetëm pas një procesi aplikimi të mundimshëm dhe të kushtueshëm.

Por për të udhëtuar drejt Ukrainës, turqit nuk kanë nevojë as për vizë dhe as për pasaportë! Ata mund të udhëtojnë atje edhe vetëm me një kartë identiteti. Kjo tregon shumë për miqësinë që ka zhvilluar kohët e fundit Ankaraja me Kievin, që tashmë po përballet me mundësinë e ndërhyrjes ushtarake ruse.

Nëse hapat e ardhshëm të Vladimir Putin, do të çojnë në një inkursion ushtarak të kufizuar apo në një pushtim të plotë, rezultati do t’i jepte pa asnjë dyshim një goditje shkatërruese Ukrainës, si dhe do të thellonte përçarjet brenda NATO-s.

Por një luftë e tillë do të ishte veçanërisht e keqe për Turqinë, e ndarë midis solidaritetit si pjesëtare e NATO-s, dhe një varësie strategjike gjithnjë e në rritje nga Rusia e Putinit. Për dekada me radhë, Turqia e ka mbështetur pavarësinë e vendeve në hapësirën post-sovjetike. Por me Ukrainën ajo ka shkuar edhe më larg, duke ndërtuar një marrëdhënie të fortë dhe reciprokisht të dobishme në fushën e mbrojtjes. Turqia i shet Ukrainës dronë luftarakë në këmbim të njohurive që mund të ndihmojnë projektet ambicioze të mbrojtjes (veçanërisht në lidhje me motorët e avionëve).

Dronët turq janë përdorur tashmë në Donbas kundër objektivave pro-ruse, duke e zemëruar Moskën, dhe duke e bërë Turqinë një vend shumë popullor në mesin e ukrainasve. Dhe në rast se përkeqësohen gjërat, Kievi shpreson që flota e tij e dronëve ushtarakë turq do ta dëmtojë ushtrinë ruse.

Megjithatë, Turqia është gjithashtu e ndërvarur edhe nga gazi,nga turistët dhe importet ruse, pavarësisht shqetësimeve të vjetra historike mbi ndikimin e Moskës në Evropën Lindore, Kaukaz dhe rajonin e Detit të Zi.

Presidenti turk Recep Taip Erdogan vizitoi të enjten Kievin, në një përpjekje për të ndërmjetësuar zgjidhjen e krizës midis Ukrainës dhe Rusisë. Ky tur diplomatik i ofron Erdoganit një mundësi unike për të përmirësuar marrëdhëniet e tij të tensionuara me Uashingtonin dhe partnerët e tjerë të NATO-s.

Kjo pas distancimit të madh për shkak të blerjes së sistemeve raketore ruse; tregimit të“muskujve”ushtarakë në Siri, Libi dhe Mesdhe; dhe për zhbërjen e arritjeve demokratike të vendit deri 2 dekada më parë. Ankaraja do të përpiqet të rifitojë kredencialet e saj të NATO-s, duke e bindur Putinin të heqë dorë nga ideja e luftës.

Një luftë e mundshme Ukrainë-Rusi, do t’i shkaktonte Turqisë probleme të mëdha. Sa larg mund të shkojë Ankaraja, përtej dënimit të agresionit rus? Zyrtarët amerikanë shpresojnë në heshtje se nuk do të ketë një luftë të gjatë, Turqia mund të vazhdojë ta furnizojë Kievin me dronë luftarakë.

Po ashtu NATO do të pyesë gjithashtu për qasjen në Detin e Zi, pasi luftanijet ruse janë

të detyruara të kalojnë përmes Bosforit për të shkuar në Krime, për të mbështetur forcat tokësore ruse. Asnjë nga këto nuk do të jetë një vendim i lehtë për Ankaranë.

Ukraina do të jetë akti përfundimtar balancues i Erdoganit. Por ka disa limite mbi atë që mund të bëjë Turqia. Dhe këto kufizime do të vendosen në fund nga Moska, dhe jo nga NATO. Në vitin 2014, Turqia e dënoi aneksimin e Krimesë, por nuk iu bashkua sanksioneve perëndimore kundër Rusisë.

Që nga viti 2014,varësia ekonomike dhe strategjike e Turqisë nga Rusia, vetëm sa është rritur. Rusia është furnizuesja kryesore e Turqisë me energji dhe ka ndërtuar gazsjellësin “Turk Stream”, që transporton gazin rus direkt në Turqi nën Detin e Zi.

Po ashtu, rusët po ndërtojnë reaktorin e parë bërthamor të Turqisë, dhe i kanë zëvendësuar prej kohësh evropianët për sa i përket të ardhurave nga turizmi. Me popullaritetin e tij në rënie dhe me një ekonomi në krizë, Erdogan nuk ka luksin të përballojë një krizë energjetike. Prandaj ka të ngjarë që ai të tërhiqet nga sanksionet ekonomike perëndimore kundër Rusisë.

Siria është një arsye tjetër pse Ankaraja do të jetë e kujdesshme kur flitet për mbështetjen e plotë ushtarake ndaj Ukrainës. Inkursionet e njëpasnjëshme turke në Siri janë miratuar në përgjithësi nga Vladimir Putin.

Në Siri, rusët kanë ndikimin kryesor,dhe aftësia e Turqisë për të operuar në një “zonë të sigurt” në kufijtë e saj, është e bazuar tek dakordësia e Moskës. Rusia kontrollon hapësirën ajrore siriane, dhe ka aftësinë të dërgojë miliona refugjatë sirianë në veri drejt kufirit turk, nëse vendos të mbështesë një ofensivë të re të trupave të Assad në Idlibin e kontrolluar ende nga opozita.

Mbi të gjitha, rusët mbajnë gjithashtu “kartën kurde” në Siri. Kjo pasi makthi më i madh i Ankarasë, është njohja de fakto e rajonit autonom kurd në Siri, gjë që do të ndodhte nëse Moska vendos t’i shtyjë kurdët dhe Damaskun të arrijnë një marrëveshje midis tyre.

Vizita e Erdogan, si udhëheqës i një vendi të rëndësishëm të NATO-s, është një nxitje e madhe për moralin e ukrainasve. Nuk ka asnjë dyshim, se turqit janë vërtet të alarmuar nga dëshira e Rusisë për të rimodeluar arkitekturën e sigurisë së NATO-s.

Tek e fundit, ishte frika nga Bashkimi Sovjetik i Stalinit, ajo që e nxiti Turqinë t’i bashkohej NATO-s në vitin 1952. Kur mbaroi Lufta e Ftohtë, Turqia mbrojti zgjerimin e NATO-s në Evropën Lindore.

Por gjatë viteve të fundit, Ankaraja është afruar aq shumë me Rusinë, saqë nuk mund të hedhë dot poshtë presionin e Moskës kur bëhet fjalë për Ukrainën. Turqia mund ta mbështesë Ukrainën deri në një masë që është e lejueshme për Rusinë, por pa shkelur “vijat e kuqe” të Moskës.

Ky duhet të jetë një leksion për Turqinë dhe të tjerët në Evropë:Ju mund të merreni me Rusinë dhe të bëni tregti me të, por nëse bëheni të varur nga Moska, opsionet tuaja në lojën

e fuqive të mëdha, do të jenë të kufizuara.

Ndaj presidenti turk Erdogan do të bëjë gjithçka që ka në dorë për ta mbështetur diplomatikisht Ukrainën, dhe për të rritur angazhimin e Turqisë në NATO. Por nëse lufta bëhet e pashmangshme, ajo do të jetë e kujdesshme të mos kalojë “vijat e kuqe” të hequra nga Putin.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga Financial Times

Turqia nuk është vasal rus!