MENU
klinika

Nga Mero Baze

Le ta dënojmë dhe Metën e Berishën po aq “lehtë” sa Tahiri, meqë u duket “pazar”

05.02.2022 - 22:39

Pas vendimit të një gjykate për një zyrtar të lartë si Saimir Tahiri, komentet për drejtësinë nuk vlejnë. Por vlejnë komentet për politikanët e gëzuar apo trembur nga ky vendim.

Ajo që bie ne sy është se gjithë “Foltorja”, e cila ka nisur një betejë afatgjatë kundër reformës në drejtësi dhe mbikëqyrjes amerikane për të, përpiqet ta godasë vendimin në dy mënyra të ndryshme.

Njëra mënyrë është ajo e Sali Berishës, i cili i trembur në palcë, thotë se ky dënim duhet të ishte dhjetë herë më i lartë, si për të treguar se ai nuk është në sërën e Saimir Tahirit, nëse dënohet.

Komentet e tjera vijnë nga pjesa tjetër e “Foltores”, që është LSI, të cilët e quajnë vendimin një orkestrim të Edi Ramës.

Për të mos u përfshirë në makthet e tyre rreth drejtësisë dhe për t’u plotësuar njëkohësisht të gjitha dëshirat që shprehin, me këtë rast kam një propozim për ta.

Meqë sipas tyre ky është një vendim i orkestruar nga Edi Rama, meqë si thotë Berisha është një vendim i bekuar nga ambasadorja Yuri Kim, meqë siç thotë Monika është një pazar i Edi Ramës me drejtësinë, po i lutem Edi Ramës, ambasadores Yuri Kim dhe gjithë atyre që pjesëtaret e “Foltores po i akuzojnë si ndikues të drejtësisë, të zbatojnë të njëjtat kritere për të ndëshkuar Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun, Shkëlzen Berishën etj.

Pra le ta quajmë se Saimir Tahirin e kanë dënuar pak, le ta quajmë se Edi Rama ka bërë pazar me drejtësinë, le ta quajmë që ambasadorja Yuri Kim e ka garantuar këtë pazar.

Le të lutemi që ta mbajnë me hatër dhe Sali Berishën, Ilir Metën, Fatmir Mediun etj. Le t’i dënojnë sa Saimir Tahirin. E di që është një padrejtësi e madhe ndaj Tahirit, por le ta mendojmë veten të pafuqishëm për një moment dhe ta nisim me këtë dënim.

Pastaj rrugës dalin vetë të tjerët. Kështu do jenë të gjithë të barabartë para këtij standarti. Dhe disa si Meta e Berisha “edhe më të barabartë”.

Nga ish-gjyqtari tek zyrtari i lartë i Policisë! 18 të arrestuar!

Aksioni blic në Elbasan/ Zbardhen detaje nga operacioni i SPAK!

Operacioni ku u arrestuan dy ish-gjyqtarë

SPAK kontrolle në bizneset e Suel Çelës në Elbasan

Kush është personi që ndihmoi autorin të largohej

Vrasja e Martin Canit/ Dyshime se janë përdorur dy thika