Nuk është më një çeshtje serioze juridike. Madje as edhe një problem i mprehtë politik e institucional. Procesi për shkarkimin e Ilir Metës në Gjykatën Kushtetuese është më së pari një batërdi e rrokopujë në planin njerëzor, në rrafshin e arsyes elementare dhe të qasjes ndaj dinjitetit dhe imazhit personal e zyrtar të Kruet tonë të shtetit. Ilir Meta ka vendosur ta kthejë gjyqin ndaj vetes në një shfaqje cirku, në një panair fjalësh, akuzash, gjestesh jashtë kontrollit dhe aludimesh përçart ndaj atyre që e kanë akuzuar dhe atyre që po e gjykojnë. Eshtë fundi i një rruge që përkon me mbarimin e mandatit më të çekuilibruar presidencial të 20 viteve të fundit.
Gjithçka gjen brenda kësaj historie, përveç normales, përveç vetëpërmbajtjes që duhet të tregonte institucioni më i lartë i vendit, në përballjen me gjykatën më të lartë të vendit. Ilir Meta ka marrë me radhë studiot e televizioneve, ka çarë rrjetin (siç i thonë në gjuhën e Instagramit), me këngë e valle apo mesazhe që herë i adresohen Ramës, pastaj Bashës e në fund Vitore Tushës. Ka nxjerrë në pazar një proces që duhet të kishte vetëpërmbajtje, seriozitet dhe klas. Në vend të kësaj, kemi një president që i ra goja në tokë nga mëngjesi në darkë për Kushtetutën, por që vetë Kushtetutën e ka bërë prej vitesh letër ambalazhi për byrek e sufllaqe.
Sjellja e Ilir Metës ndaj gjyqit në Kushtetuese përbën një rast të vërtetë studimor. Është fiks sjellja që nuk duhet, sjellja që banalizon Presidentin dhe Gjykatën njëherësh, që politizon skajshëm një proces togash të zeza, që duheshin mbajtur larg pisllëkut të politikës. Pasi është përbetuar e kacavjerrë nëpër muret e zyrës për vite të tëra për ata persona që sot po e gjykojnë, pasi ka sharë e mallkuar reformën që la vendin pa Gjykatë Kushtetuese, Presidenti i vendit është kthyer e po i sulmon me “libër shtëpie” të gjithë gjyqtarët e atij paneli të lartë. Ka krijuar një tokë të ndezur rreth karriges së secilit prej tyre, herë i akuzon për shkelje e kërkon hetim ndaj tyre, herë shprehet se askush nuk e shkarkon dot, herë thotë se kjo gjykatë po sillet sipas porosive të qeverisë dhe gjysëm-opozitës. Ilir Meta po bën gjithçka s’duhet të bënte një kryetar shteti që ka një përballje juridike me gjykatën më të lartë të vendit. Po jep shembullin sesi s’duhet të jetë “uniteti i kombit”!
Gjykata Kushtetuese është vetëm segmenti i fundit institucional që kishte mbetur deri më sot jashtë zjarrit folklorik të Ilir Metës. I cili kishte sulmuar deri më sot skajshëm qeveritarë e opozitarë, parlamentin, ambasadorë e qeveri të huaja (më vrisni me raketa të Mali me Gropa!), e që e kishte kthyer Presidencën në një lloj hazërxhevapi qesharak që sulmonte me gojën e zëdhënësve, edhe kur iknin dritat në Librazhd. Presidenti na është kthyer në “influencer”, i përshtatshëm për të gjitha rrjetet sociale ku zakonisht flitet për Përputhje apo Big Brother.
Këto orë Meta ka nxjerrë në transmetim direkt në media këshilltarët e tij për të goditur Kuvendin ndërkohë që procesi vazhdon dhe për të justifikuar tezën e një gjykimi politik në ngarkim të tij. Paçka se shkeljet eventuale të Kuvendit janë subjekt i gjykimit të Kushtetueses, duke qenë një rrethanë lehtësuese për të në fund, kur të jepet vendimi. Kthimi i gjyqit në Kushtetuese në një emision javor Big Brother-i, është pjesë e strategjisë rrënuese që Ilir Meta po përdor ndaj institucionit që e ka urryer qysh në ditën që vuri këmbën aty. Megjithëse askush se dërgoi me zor në këtë “syrgjyn” të florinjtë.
Zyra e kryetarit të shtetit ka humbur pavarësi dhe dinjitet me Ilir Metën. Presidenti aktual ka qenë pa më të voglën mëdyshje kreu më i keq i shtetit që kemi pasur në 30 vjet, pas Sali Berishës. Mbarimi mandatit të tij do të mbahet mend si fundi i një presidence që nisi me betimin për të qenë kryetari të të gjithë shqiptarëve, vazhdoi si një mandat përfaqësimi i gjysmës prej tyre (i opozitës), e po përfundon si një zyrë avokatie e çerekut të popullit (gjysmës së opozitës)! Një tkurrje që do t’i shkonte fort mirë Ilir Metës si politikan, po që s’ka pse t’i imponohet edhe Presidencës së Republikës si institucion.