Shteti edhe të rreh me policë nëse nuk pranon dhuratat e tij. Mbrëmë ndejta vonë pa fjetur sepse dora më kapi një video ku paraqitej biseda e tensionuar midis kryeministrit Edi Rama dhe tre zonjave, tre grave, që dikush nga Bashkia i kishte çuar me mashtrim nga ata që u prishen shtëpitë te “5 maji”. Nëse negociohet, negociohet me përfaqësues, jo me çfarë të kapi dora!
Biseda ishte dramatike sepse në një situatë krejt të barabartë midis tre grave shqiptare trime dhe kryeministrit të tyre.
Ato gra pa ndonjë kulturë të veçantë juridike, të stresuara, të thirrura me kopillik në zyrat e kryeministrisë për t’u impresionuar dhe përulur në bisedë, sikurse thirreshin dikur në kështjellë fshatarët e revoltuar se u merreshin tokat! Të vetmuara në ato zyra të ftohta të Leviathanit, të guximshme, të gojës, të patutura, nuk u dridhej syri. Dhe kryeministri që gjysëm i shtrirë në divan kishte avantazhet sepse ishte në shtëpinë e tij, ka në dorë edhe arrën edhe gurin, madje edhe bravën e derës të shtëpive për t’i lënë ta fusin ose jo çelësin në to! Një njeri që ka parë më të mëdhenjtë e kësaj bote, ka negociuar luftën në Krime, ka miq zotërit e Bosforit, përcolli Merkelin në pension, negocion për fatet e Kosovës dhe Ballkanit me ish ministrin e propagandës të ish Millosheviçit, etj, pra me shumë përvojë në biseda të vështira.
Mua më duket se Tiranës në katrahurën e sotme i duhet unaza e madhe por kjo nuk ka lidhje me këtë bisedë që unë e pashë thjesht si specialist i komunikimit. Ato gra e fituan tërësisht atë bisedë të vështirë mbushur me manipulime, intimidime indirekte, presione. Ato gra m’u dukën si Emiliano Zapata, luajtur nga Marlon Brando të filmi i vitit 1952 i rregjizorit amerikan Kazan. Emiliano Zapata që fshatar i revoltuar, trim, kokëfortë në të drejtën e vet, thirret nga i pushtetshmi dhe midis turmës të fshatarëve dallon për karakterin e tij, për guximin, mëçurinë. Dhe në fund oficeri madhor i thotë: Si e ke emrin tiiiii? Emiliano – u përgjigj fshatari trim, Emiliano Zapata. Në inat pushtetari i rrumbullakos emrin në listë me një rreth të kuq!
Emiliano, zoti kryeministër, Emiliano Zapata – thanë ato tre gra që sapo ngrinin pak zërin i zoti i zyrës u thoshte : Me mua nuk flet dot kështu!, pasi kaluan ca si korridore burgu, të holla dhe të ngushta, u ndodhën në një zyrë ku asnjë shishe ujë nuk u dhanë. Ato gra nuk u tutën, qendruan deri në fund. Kam parë akademikë që janë sjellë si pula që nuk bëjnë vezë ose gjela pa pupla përballë tij, studentë të bindur dhe të gënjyer, nëpunës që e shohin si Perëndia e zbritur në Tokë, gra që i qajnë në krahë, burra pa shtëpi ose me shtëpi të sapomarrë që i ulen në gjunjë duke e falenderuar me “vallahi”, dhe lloj lloj kryetarësh partish opozitare që hallin e kanë pasur, sikurse më kanë thënë mua personalisht, si të mos i bëjnë keq kryeministrit se mërzitet pastaj ai me ta! Pula të lagura!
E ja, ato tre gra sypatrembura, ato shqiponja Shqipërie nuk u trembën, nuk u bindën, nuk u tutën në të drejtën e tyre ndonëse nuk kuptohet se çfarë i duhet kryeministrit të debatojë një kontratë pronësie me qytetarë të thjeshtë. Unë nuk kam parë kontratën që debatohej aty, por kur dëgjova kryeministrin që u tha se në këmbim të shtëpive tuaja bashkia do t’u dhurojë apartamente, mendova se Xhon Loku, Thomas Hobessi, etj., kontraktualistë do t’u kishte lëvizur varri mbi shpinë.
E para t’u thuash se do t’ju marr pronën dhe si shkëmbim do t’ju jap dhuratë një apartament nuk është një akt dhurimi nga bashkia, por një dhënie dhe marrje. Termi juridik “Dhurim” pastaj jo vetëm nuk korrepsondon me faktet, por edhe është fyes. Pastaj “dhurimi” (që ngjan me fjalët “dhunimi”, “durimi”, etj., qytetare Liza ka një mijë herë të drejtë, duhet të noterizuar te një noter i veçantë. Nuk firmoset ashtu qesim.
Palé po qytetaren Liza e kishin fotografuar pa mendje dhe kryeministri i tregon fotot ku individë që për këtë mund të hidhen në gjyq si skutha e paskan marrë në fotografi kohë më parë si provë. Ka të drejtë bashkia a kryeministria a ku e di unë kush të fotografojë, të konservojë dhe të përdori si prova fotografi të marra në kundërshtim me ligjin?! Si e ke emrin tiiiiii! Emiliano, zotëri, Emiliano Zapata! Ku paska kontrata pa afat, pa përcaktuar qartë vendin e shkëmbimit të të mirave të paluejshtme, pa treguar penalitetet që duhet të pësojnë ata që nuk respektojnë jo vetëm kontratën, por edhe një ditë vonesë të saj. Akti i dhurimit është koncept krejt flu, dhe as nuk mund të mendohet se si në kohën e haraçeve sulltanore qytetari të detyrohet me policë të marrë si dhuratë nga bashkia të mira që ai nuk i do. Një dhuratë nënkupton të drejtë e kontraktuesit për të mos e pranuar dhuratën. Nuk po hyj te filozofia e dhuratës se është e ndërlikuar edhe për specialistët e Aristotelit, por shihja katastrofën juridike dhe politike ku shteti rreh me polici qytetarët që nuk pranojnë dhuratën e tij!
Ato gra e fituan atë bisedë, e cila veç të tjerash paska qenë regjistruar pa dijeninë e tyre dhe asnjë gazetar, asnjë agjenci që merret me të drejtat e individit nuk ka guximin t’i thotë kryeministrit: si mund të regjistrohen tre zonja në shtëpinë tënde që ato ta kanë dhuruar realisht, dhe pastaj t’i tregohet videoja publikut po pa pëlqimin e tyre.
Si e ke emrin tiiiiiiiii? Emiliano zotëri! Emiliano Zapata! Ne nuk të besojmë ty – tha Emiliano Zapata, ndërkohë një si tagrambledhës aty, me këmishë të shpartalluar, pa kollare, mbushur me djersë, me frymëmarrje të nxituar sikurse kishte zbritur direkt nga eksavatori, në telefon shihte dhe thoshte : Emilianos, zoti oficer do t’i dhurojmë njëqind e dy mijë e pesëqind metra katror plus njembëdhjetë mijë pash livadhe.
Diku në memorje si turbull m’u faneps si irrealitet sikurse ky njeri bëri lëmsh arsimin e lartë, pastaj shkencën, pastaj u tha studentêve në grevë do ‘tju bëj biblioteka dixhitale, do ju përkthej libra, e këtë edhe atë! Emiliano nuk e besoi atë dhe me përçmim nuk i hidhte as sytë! Si e ke emrin tiiiiiiii!
Emiliano zotëri, Emiliano Zapata!