MENU
klinika

Reforma Zgjedhore dhe ajo Territoriale

PS dhe PD me prioritete të ndryshme, opozita ngre grupin e punës!

15.02.2022 - 11:46

Parlamenti pritet që të miratojë të enjten në seancën plenare përbërjen e dy komisioneve të posaçme, atë të Reformës Zgjedhore dhe të Reformës Territoriale.

Por ende pa nisur puna, duket qartë se prioritetet e dy kampeve kryesore politike, PS-së dhe PD-së, janë të ndryshme. Partia Socialiste po përgatitet për Kodin e ri Zgjedhor. Kryetari i Grupit Parlamentar, Taulant Balla, njoftoi dje se ditën e enjte do të votohen përbërjet e dy komisioneve.

Por ndërkohë, për Komisionin e Posaçëm që do të merret me ligjin e ri zgjedhor është bërë gati grupi i punës, ndërsa për komisionin e reformës territoriale ende jo.

“Ne kemi dhënë aprovimin e mbështetjen tonë në Kuvend për ngritjen e komisioneve e do të votohet të enjten për përbërjen e tyre. PS do të ketë 8 anëtarë në secilin prej komisioneve. Bashkëkryetari i Komisionit për Reformën Zgjedhore do të jetë Damian Gjiknuri nga PS. Në kryesi sot kam zhvilluar diskutim për përbërjen e Komisionit të Reformës Administrative-Territoriale dhe të enjten për këtë do të propozojmë bashkëkryetarin e anëtarët e tjerë për të nisur punën, mandati do të jetë 6- mujor.

Mendoj që 6 muaj janë të mjaftueshëm për të hulumtuar e për të vlerësuar gjithë propozimet. Ata kanë një set propozimesh dhe ne natyrshëm do të kemi një set propozimesh. Ju e dini që demokracia është arti apo sistemi ku duhet të përpiqemi të biem dakord. Nëse nuk biem dakord, ju e dini si është zgjidhja. Por sot s’dua të paragjykoj asnjë output të punës së këtij komisioni. Ka plot çështje që meritojnë të diskutohen”, tha Balla.

KOALICIONET PARAZGJEDHORE

I pyetur nëse është e gatshme PS që të negociojë rikthimin e koalicioneve parazgjedhore, kreu i Grupit të PS-së nguroi të jepte një përgjigje në mënyrë që të mos krijoheshin paragjykime ende pa nisur nga puna.

“Kjo i takon Komisionit për Reformën Zgjedhore. Është ky komision që ka marrë detyrën nga Kuvendi për t’i marrë propozimet. 6 muaj për këtë komision janë të mjaftueshme. Ky 6-mujor të përdoret në funksion të plotësimit dhe adresimit të të gjitha problemeve dhe rekomandimeve të OSBE-ODIHR. Gjithmonë e kam thënë që Komisioni i Posaçëm i Reformës zgjedhore të përmbledhë edhe ndryshime që kanë të bëjnë me ligjin për partitë politike.

Të mos harrojmë që kemi pasur plot raste, dhe një nga rastet që kam bërë publik, është rasti i një financimi të dyshimtë që PD dhe Basha ka marrë, me të cilin ka zhvilluar një proces lobimi, rast që është nën hetim. Në një vend tjetër ka nisur procesi i hetimit për këtë rast. Për financimin e dyshimtë të partisë politike. Të gjitha këto problematika të zgjidhen dhe të shtrohen në Komisionin për Reformën Zgjedhore”, tha Balla.

PRIORITETI I PD

Ndërkohë, kur na ndan thuajse një vit nga zgjedhjet lokale në 61 bashkitë e vendit, për partinë më të madhe në vend, Reforma Territoriale meriton vëmendjen më të madhe. Ndërkohë, Reforma Zgjedhore duket se ka kaluar nivelin e një rëndësie periferike.

Këtë e dëshmon fakti se që nga dita e enjte, kur Parlamenti miratoi ngritjen e dy komisioneve të posaçme, selia blu ka pasur dy deklarata për çështjen e Reformës Territoriale.

Ndërkohë, nuk dihet asgjë për grupin e punës për ligjin e ri zgjedhor. Deputetja e PD-së, njëkohësisht nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve, Dhurata Çupi, doli dje në një deklaratë për mediat ku njoftoi se PD ka ngritur një grup pune për të marrë sugjerimet e ekspertëve për Reformën Territoriale.

“Thirrja jonë është për të gjithë qytetarët dhe ekspertet që duan të japin kontributin e tyre në këtë proces shumë të rëndësishëm, të na bashkohen, janë të mirëpritur, sepse të gjithë bashkë mund të krijojmë një Reformë Administrative në shërbim të qytetarëve kudo ku ata banojnë”, tha Çupi.

Ndërsa në vijim përmendi problemet që ka ndarja aktuale territoriale. Sipas Çupit, synimi kryesor i artikuluar në publik i maxhorancës në 2014-ën ishte zvogëlimi i administratës lokale dhe përmirësimi i shërbimeve, por sipas PD-së, ka ndodhur e kundërta.

“Reforma Territoriale është një nga prioritet madhore të PD-së. Për ta çuar shërbimin pranë qytetarit, për t’i dhënë atij mundësinë të zgjedhë për faqësuesin e vet. Prandaj, vendimi i Parlamentit për nisjen e punës për Reformën Territoriale është një hap i parë shumë i rëndësishëm përpara. Ndaj, ne kemi ngritur grupin e punës për të nisur konsultime me qytetarët dhe ekspertët në çdo cep të vendit. Më pak shërbime, më shumë të punësuar dhe shumë para të çuara dëm. Kjo është ajo që prodhoi Reforma Administrative e Edi Ramës në 2014-ën.

Qëllimi i vërtetë i Edi Ramës nuk ishte vetëqeverisja vendore, por krijimi i zonave elektorale, ashtu siç i interesonte atij. Pasi për të, çdo vendim është përfitim monetar dhe kalkulim votash, dhe normalisht qytetarët janë të fundit. Shpenzimet për administratën e bashkive pas ndarjes administrative janë rritur mbi 23% dhe shërbimet publike në ish-komuna janë përkeqësuar. Në pjesën më të madhe ka zero investime në këto vite, rrugë të shkatërruara, mungesë uji, mungesë investimesh në sektorin energjetik etj. Mungesa e investimeve bën që qytetarët e zonave të thella të udhëtojnë deri në 4 orë për të shkuar në zyrat e bashkisë”, tha Çupi.

Sakaq, gazeta “Panorama” ka mësuar se kreu i PD-së, Lulzim Basha, ka caktuar drejtues politik të Reformës Territoriale Gazment Bardhin, ndërsa drejtues teknik, Roland Bejkon. Anëtare do të jetë deputetja Dhurata Çupi dhe diskutohet për Bledion Nallbatin e Greta Bardhelin. Megjithatë, skuadra përfundimtare nuk është caktuar ende.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Nga ligji i medias, Reforma Zgjedhore dhe sundimi i ligjit

Integrimi/ Gjermania ka këto kushte për Shqipërinë