MENU
klinika

Çfarë panë punonjësit në mëngjes

Zjarri në fabrikën e peshkut/ Flet prefekti i Lezhës

18.02.2022 - 10:53

Policia ka dalë me njoftim zyrtar për incidentin në fabrikën e përpunimit të peshkut në Lezhë e cila u përfshi nga flakët mëngjesin e sotëm.

Blutë e Lezhës njoftojnë se nuk ka pasur persona të lënduar por vetëm dëme materiale. Krahas forcave në Lezhë, është kërkuar edhe ndihma e zjarrëfikëseve të Kurbinit.

Prefekti i Lezhës, Gjok Jaku thotë se magazina kryesore është djegur totalisht.

Në një prononcim për mediat, ai tregoi se brenda magazinës kishte kryesisht materiale ambalazhimi.

Ai thotë se kanë qenë 4 punonjës që shkuan në mëngjes për të hapur magazinën, dhe kanë parë tym që dilte prej saj.

Më pas, sipas dëshmisë së tyre, kanë dëgjuar një kërcitje që dyshohet të jetë e një shkëndije elektrike.

“Besoj se në këto momente, vatra e zjarrit në magazinën kryesore është e izoluar pasi zjarrëfikëset janë vendosur në gjithë perimetrin e godinës. Nga komunikimi që kam me drejtuesin e këtij operacioni, thuhet me siguri se perimetri është e sigurt. Magazina kryesore është e gjitha e djegur. Produktet më së shumti kanë qenë produkte ambalazhimi, plastikë kryesisht. Por kjo vatër zjarrit mbetet vetëm në kuadrin e magazinës. Forcat e zjarrëfikëses nga Shkodra, Kurbini, Mirdita dhe Lezha nga ky moment besojmë se zjarri nuk do të kalojë përmasat e magazinës. Komunikova me përgjegjësin e turnit, me njeriun e parë që hapi magazinën. Ishin katër veta, thjesht më thonë se kanë parë një vatër tymi dhe një kërcitje si shkëndijë elektrike po pa e parë. Kjo ka krijuar shumë tym dhe njerëzit dolën jashtë. Fat ishte që ishte ora 6 e mëngjesit ku nuk kishte punonjës brenda. Nuk kemi lëndime. Biznesi është i siguruar, i ngelet kompanisë së sigurimit për dëmet e shkaktuara” – tha Prefekti i Lezhës, Gjok Jaku.

Zjarri përfshiu magazinën mëngjesin e sotëm në fabrikën e përpunimit të peshkut në hyrje të Lezhës. Fatmirësisht nuk kishte persona të lënduar por vetëm dëme materiale.

Për shkak se ishte pranë rrugës, policia bëri devijimin e trafikut në autostradën Lezhë-Laç për t’i ridrejtuar automjetet në rrugën dytësore.