10 persona rezultojnë të zhdukur nga zjarri që ra mëngjesin e sotëm në tragetin e pasagjerëve Euroferry Olympia që udhëtonte drejt Italisë, teksa lundronte në afërsi të Korfuzit. Informacionet e para vijnë pas numërimit paraprak të personave që kanë dalë në breg, 278 në total nga 290 që ndodheshin në bord bashkë me ekuipazhin.
Të mbijetuarit e anijes që u përfshi nga flakët ndodhen aktualisht në tre mjete lundruese dhe pritet të mbërrijnë në Korfuz për një orë. Aty roja bregdetare ka evidentuar 4 pika ku do të bëhet identifikimi i tyre për të pasur një raport më të saktë të të zhdukurve.
Më herët pasagjerët kanë pasur komunikime me disa televizione të ndryshme ku kanë shprehur frikën se jo të gjithë mund të kenë shpëtuar pasi kishte disa drejtues mjetesh që gjatë rrugës kanë qëndruar në kamionët e tyre në garazhe.
Si nisi zjarri
Flakët kanë shpërthyer pak pas nisjes së anijes nga porti i Igumenicës në orët e para të së premtes në Ereikousa. Alarmi ka rënë në orën 04:30 të mëngjesit dhe menjëherë ka nisur procesi i evakuimit. Pasagjerët janë larguar nga anija me varka shpëtimi. Për fat të mirë moti ishte i mirë dhe operacioni i shpëtimit ka shkuar pa probleme.