MENU
klinika

''Ditët e kujtesës'' dhe një peticion...

Kë të mbajmë e kë të lëmë? Rrugët e komunizmit, a ”demokracisë”?

18.02.2022 - 18:31

          Tirana, aktualisht ka 1,238 rrugë të emërtuara: rruga “Him Kolli”, rruga “Leonard Frroku”, rruga “Mustafa Lleshi”, rruga “Irfan Tomini”, “Eshref Pumo”, “Kasem Shima”,Rruga “7 Nëntori”, Rr. “Katër dëshmorët”, Rruga “Tre dëshmorët”, rr “Dëshmorët e 4 shkurtit”…

Rrugët e kryqytetit, mbajnë emrat e personaliteteve të shquara të vendit, pa përjashtuar edhe të rajonit e botës. Ndërsa propozimi i emrave vjen nga qytetarët, organizatat e ndryshme dhe Akademia e Shkencave, përzgjedhja dhe zyrtarizimi i tyre, bëhet nga Këshilli Bashkiak i Tiranës.

Por, me zhvillimin i kryeqytetit, rrugët e Tiranës shtohen e bashkë me to, edhe nevoja për emërtime të reja. Ndërsa e ardhmja është premtuese, një tjetër çështje është cekur gjatë edicionit të 7-të, ”Ditët e kujtesës”, në sheshin “Skënderbej”, që mbahet nga 17 deri më 26 shkurt. Këtë vit, në fokus janë “Mitet e komunizmit” – nga kulti i individit te mirëqenia dhe rrethimi nga armiqtë.

Pas një performance kushtuar rënies së miteve, u bënë publike 6 pikat e peticionit për dekomunistizimin, që do t’i drejtohet parlamentit të Shqipërisë, mes të cilave edhe rishikimi i emërtimit të rrugëve të vjetra të kryeqytetit, për të mos shkuar edhe në zonat periferike (atje, emërtimet janë ashtu siç janë)…

“I kërkojmë parlamentit, miratimin e një kuadri ligjor që ndalon propagandën e regjimit komunist, që ndalon ligjërimin glorifikues të diktaturës dhe përdorimin e simboleve të regjimit komunist në hapësirën publike; vetingun e funksionarëve politikë dhe drejtuesve të institucioneve, rishikimin e emërtimit të shkollave, rrugëve, shesheve dhe institucioneve duke propozuar ndryshime konkrete, rishqyrtimin e kurrikulave mësimore në ciklin shkollor, duke propozuar krijimin e një grupi pune të përbërë nga juristë, studiues, historianë dhe specialistë të fushës”, – 0tha Jonila Godole, nga IDMC, organizatore për “Ditët e kujtesës”.

Nisma vjen dy muaj pasi një deputet i kuvendit, uroi festat e nëntorit me fotografinë e diktatorit. Personazhe të njohur në Shqipëri, kanë shprehur publikisht mbështetje për peticionin, ndërsa kanë kërkuar rishikimin e teksteve shkollore.

“Duhen rishikuar tekstet shkollore, sepse duhet të pasqyrojnë të gjitha masakrat e komunizmit”, – tha njëri prej prej atyre që mbështesin peticionin. “Ditët e kujtesës” organizohen nga Instituti për Demokraci, Medie dhe Kulturë në bashkëpunim me Fondacionin “Konrad Adenuaer” dhe disa aktorë vendas të kujtesës, me qëllim, ndërgjegjësimin e shoqërisë për të shkuarën.

Një ekspozitë në vilën e diktatorit, si disa konferenca shkencore, do të mbahen deri më 26 shkurt, duke kërkuar edhe memorial për të dënuarit e komunizmit.