MENU
klinika

Analizë ekonomike

‘Çudira’ me paratë publike

18.02.2022 - 22:07

Igli TOLA

Krye-lajmi ekonomik i tërë këtyre ditëve ishte se gjatë vitit 2021 të ardhurat e mbledhura kishin tejkaluar planin. Sipas të dhënave të Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë deri në fund të dhjetorit ishin mbledhur gati 510 miliardë lekë, një rritje me 84.5 miliardë lekë krahasuar me 2020 (një vit ky i goditur gjerësisht nga kriza pandemike), si dhe u tejkalua me 50.1 miliardë edhe totali i të ardhurave të arkëtuar gjatë 2019.

Po përtej entuziazmit sipërfaqësor që ky lajm përcjell, se ky është tregues i rimëkëmbjes së shpejtë të ekonomisë sonë post-pandemi; mjafton të thellohemi pak më tej në analizën e shifrave dhe do të konstatonim pa ekuivok se panorama nuk është aq ‘rozë’ sa na thuhet.

I.

Kjo performancë në dukje e përmirësuar u ndikua si nga përmirësimi në të ardhurat tatimore edhe ato doganore, po ndikimin më të madh aty e kanë dhënë çmimet e rritura si të importeve dhe atyre pak mallrave vendas. Vetëm duke konsultuar dy raporte bindemi për këtë fakt:

  • Nga të ardhurat doganore janë mbledhur 192.8 miliardë lekë, 25.7% më shumë se në 2020.
  • E për to, mbi 50% prej tyre janë realizuar nga akciza. Konkretisht shtrenjtimi i energjisë dhe i naftës në tregjet ndërkombëtare kanë dhënë ndikimin më të madh në të. Shtrenjtim i cili më pa ka reflektuar në gjithë çmimet e tjera në tregje.

 

Sa i takon të ardhurave tatimore edhe ato janë rritur në vazhdën e implikimit të çmimeve, me 14.5% në raport me 2020, dhe në total u mblodhën 251.5 miliardë lekë. Kjo pasi edhe të ardhurat nga TVSH janë raportuar  në rritje dyshifrore. E për sa kohë nuk kemi evidenca apo indicia për një rritje sinifikative të konsumit, detyrimisht kjo rritje e të ardhurave nga TVSH i faturohet me të drejtë shtrenjtimit të mallrave të konsumit, si rrjedhojë e kostove të rënduara.

II.

Nga po të njëjtat të dhëna historike të MFE, po të shkohet më thellë ajo që nxirret si konkluzion është akoma më absurde. Edhe për 2021, si zakonisht pëgjatë gjithë këto vite, shihet qartazi se mbi 75-80% e të ardhurave që mbledhim çdo vit vijnë nga xhepat e qytetarëve, më pak pastaj nga biznesi i vogël dhe në fund fare biznesi i madh. Çdo vit mesatarisht 47% të totalit të të ardhurave publike vijnë nga TVSH (20% në çdo blerje që bëjmë nga buka e veza shkojnë për shtetin), mbi 15% nga akciza, 14% nga TAP (tatimi mbi të ardhurat personale – 13% ose 23%  të pages, në varësi të nivelit të saj) etj.

Kurse biznesi, kryesisht ai i madh, përfitimet nga paratë publike i ka të shumta, por kontributin shumë minimalist. Mjafton tu hedhim një sy disa prej kompanive ‘big’ dhe numrat flasin vetë:

  • Kompania më e madhe private në vend për nga qarkullimi vjetor deklaron fitim vetëm 1.1% të xhiros (qarkullimit), tatim fitimi i paguar deri në qershor 0.2% e xhiros.
  • Kompania lider në ndërtimin dhe infrastrukturë deklaronte 5.3% fitim dhe vetëm 0.6% tatim fitimi të paguar.
  • Kompanitë më të mëdha të shërbimeve spitalore private dhe farmaceutike, pavarësisht se patën ‘boom’ pune gjatë 2020 për shkak të pandemisë, dekalronin 5.4% fitim, duke paguar as më shumë as më pas po 0.4% tatim fitimi.
  • Lideri i tregut të shpërndarjes dhe distribuimit të mallrave ushqimor dhe pijeve deklaronte në pasqyrat financiare të konsoliduara një nivel fitimi 3.6% dhe tatim 0.5%.

Në total e gjithë barra që mbajnë bizneset e mëdha nuk kap as 10% të të ardhurave kombëtare, por  nga shteti përmes tenderave, blerjeve publike, PPP-ve mbledhin shumëfishin e tyre.

. . . . . . . . . . . . . . . . . .

Se përse akoma pas mëse 30 vitesh që po operojmë në kapitalizëm, stimulojmë sipërmarrjen dhe propagandojmë atë si promotore të zhvillimit ekonomik, mbledhim prej saj as 10% të të ardhurave publike kjo është një pyetje që secili prej nesh duhet t’ia drejtoj vendimarrësve. Jemi jashtë çdo logjike ekonomike; Pasi qoftë tatimi i sheshtë dhe ai progresiv, në  princip kanë që në vlerë nominale të kontribuojnë më shumë ata që fitojnë dhe përfitojnë më shumë, dhe jo qytetarët në masën mbi 70%.

PhD (c). Ll.M. Igli TOLA

Pedagog, ekspert ekonomie

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


ANALIZË EKONOMIKE

Ne taksapaguesit dhe shteti