Gjykata e Lezhës ka dënuar me 7-vite burg ish-efektivit e policisë Kol Kola, i cili u arrestua në muajin maj të vitit 2021 për ngacmim seksual të një vajze të mitur 13-vjeçare.
Korrespondenti i Panorama.al raporton se 63-vjeçari u gjet fajtor për veprën penale “Ngacmim seksual” dhe gjyqtari Ilir Përdeda dha dënimin maksimal për të pandehurin, ndërsa për veprën penale “Kryerja e veprimeve ose dhënia e urdhrave arbitrare” mori pafajësi, pasi gjykata doli në konkluzionin se nuk ka element të veprës penale.
Ish-efektivi i policisë Kol Kola u arrestua nga policia në muajin maj, pas denoncimit të bërë nga një 13-vjeçare.
HETIMI
Aty dyshohet se ka kryer vepra të turpshme, duke tentuar gjithashtu të kryejë marrëdhënie seksuale. Këto veprime janë kundërshtuar nga e mitura, e cila u largua me forcë nga banesa dhe menjëherë ka bërë kallëzim, duke rrëfyer atë çfarë i kishte ndodhur.
Nisur nga kallëzimi i së miturës dhe nga verifikimet paraprake të Policisë Gjyqësore, që dokumentoi me prova shkencore rastin, si edhe duke siguruar pamje filmike, është arritur në konkluzionin se efektivi i Policisë Kol Kola ka konsumuar elemente të veprës penale “Ngacmim seksual”.
Në lidhje me rastin po vazhdojnë hetimet nga Prokuroria e Lezhës për dokumentimin e plotë të asaj çfarë ka ndodhur. Kol Kola është pjesë e strukturave të Policisë së Shtetit prej shumë vitesh, duke shërbyer në disa zona të qarkut të Lezhës.